Fjolla Morina është bërë “e gjallë”, pasi u arratis nga policia.
Këngëtarja, e cila është në kërkim pas largimit nga banesa në Kukës ku po qëndronte në “arrest shtëpie”, ka publikuar në Snapchat disa foto krah bashkëshortit të saj, Fisnik Syla.
E veshur me kostum të bardhë, këngëtarja duket mjaft e lumtur dhe nuk e “vret” mendjen për asgjë.
Më 20 janar, Fjolla Morina theu arrestin e shtëpisë së vendosur nga Gjykata e Kukësit duke u larguar në drejtim të paditur.
Raportohet se nëna e dy vajzave të mitura po qëndron në Kosovë.
Këngëtarja u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi u kap me dy armë me vete. Gjithashtu u vunë në pranga edhe biznesmeni Fisnik Syla si edhe shoferi i saj.
Pasi doli para gjykatës, ndaj këngëtares u vendos masa “arrest shtëpie”.
Kur policia shkoi për të kontrolluar në banesë, këngëtarja nuk është gjetur brenda dhe u shpall në kërkim.
Para se të arratisej Fjolla Morina pranoi në gjykatë akuzën për “Trafik të armëve dhe municioneve”.
Gjatë seancës, ajo kërkoi që të gjykohet me gjykim të shkurtuar, me qëllim që ajo në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të përfitojë 1/3 e uljes së dënimit.






