Jack Osbourne, djali i legjendës së muzikës rock Ozzy Osbourne, ka ndarë me emocion momentin kur mësoi për vdekjen e të atit, duke mos mundur të përmbajë lotët teksa fliste për të.
Në një video të publikuar në YouTube të mërkurën, më 3 shtator, Jack tregoi se në orën 03:45 të mëngjesit, një person që kishte punuar për familjen për 30 vite, trokit në derën e shtëpisë së tij në Los Anxhelos për t’i dhënë lajmin e hidhur.
“Kur pashë nga dritarja dhe e dallova kush ishte, e kuptova menjëherë se diçka e keqe kishte ndodhur,” tha Jack. “Më tha se babai im kishte ndërruar jetë.”
Ai rrëfeu gjithashtu se kishte pasur mundësinë të kalonte më shumë kohë me Ozzy-n gjatë ditëve të tij të fundit, pasi kishte qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas koncertit të fundit të muzikantit legjendar me grupin Black Sabbath në Birmingham, më 5 korrik.
Familja e tij kishte planifikuar të shkonte me pushime në Portugali, por udhëtimi u anulua pasi fëmijët e tij u sëmurën me gastroenterit, dhe për këtë arsye qëndruan edhe një javë shtesë në Angli.
“Nuk kam qenë kurrë më mirënjohës që fëmijët e mi u sëmurën me gastroenterit sesa sot,” tha Jack i prekur.
Pavarësisht dhimbjes, ai pranoi se ndjen njëfarë lehtësimi, duke e ditur që babai i tij nuk vuan më.
“Do të doja të ishte ende këtu, të ishte me ne, por po kalonte një periudhë shumë të vështirë, dhe besoj se të gjithë e panë këtë në koncertin e fundit. Megjithatë, askush nuk e priste që të ndodhte kaq shpejt dhe në atë moment,” tha ai. “Nuk ishte diçka që kishim në mendje.”
Jack zbuloi gjithashtu se Ozzy priste me padurim një kapitull të ri në jetën e tij pas performancës së fundit, pasi donte të kalonte më shumë kohë në Angli dhe me nipërit e mbesat e tij.
Me lot në sy, 39-vjeçari shprehu mirënjohje që pati Ozzy Osbourne si baba. “Ishte një njeri thellësisht kompleks. Ishte qesharak, i çuditshëm, i ngathtë, i pabesueshëm dhe në të njëjtën kohë shumë i mprehtë,” u shpreh ai, duke shtuar se Ozzy “e dinte gjithmonë çfarë po ndodhte rreth tij.”
“Njerëzit mund të mendonin se ishte ‘diku tjetër’, por shpeshherë ai dëshironte që të mendoje ashtu,” tha Jack, duke theksuar: “Në të vërtetë, ishte gjithmonë shumë i vetëdijshëm.”
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik nga një atak kardiak. Ai vuante gjithashtu nga sëmundja koronare e zemrës dhe sëmundja e Parkinsonit. Ishte 76 vjeç.
© Panoramaplus.al


