Kënga “Mall”, me të cilën artisti Eugent Bushpepa fitoi Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH, është një dedikim i ndjerë dhe shpirtëror për partneren e tij Andian, me të cilën bashkëjeton prej më shumë se 6 vitesh. Njeriu i tij i zemrës e ndoqi nga salla e Pallatit të Kongreseve duke i sjellë dhe fatin e mirë Bushpepës, i cili do të na përfaqësojë në Festivalin Europian 2018.

Gjatë netëve të Festivalit ishte Genti ai, që ishte i dukshëm, i rrethuar nga duartrokitjet dhe ovacionet e publikut. Pas fitores, Genti ende pa u përshëndetur me të, iu desh të jepte intervistat e para, fotot e para, të përballej me gazetarët në post festival dhe pastaj të largohej i lumtur bashkë me kupën dhe partneren e tij të zemrës, për të cilën ai shkroi këtë këngë që nga muzika e deri tek vargjet. Ashtu siç kanë rrëfyer ata në një studio televizive, rreth një viti më parë, dashuria mes tyre lindi në lokalin ku këngëtari i muzikës rrok këndonte. Por si çdo vit Festivali pati edhe këngëtarët e vet që pretendonin kupën. Nisur nga disa statuse dhe lajme, Genti, i cili njihet për natyrën e tërhequr shkroi një status gati filozofik, ndërsa shpjegonte gjendjen e tij si një artist i vërtetë pas fitores.

REAGIMI I GENTIT PAS FITORES: FITORJA IME, NJË DRITË NË HORIZONT PASI JE MËSUAR ME GODITJE BËRRYLASH
Me poshtë statusi i plotë i rokerit Eugent Bushpepa, pas fitores së Festivalit të 56- të të Këngës në RTSH: “Më- sohesh me mbyllje shtigjesh dhe goditje bërrylash. Bën paqe me to dhe i lë gjërat të rrjedhin duke ushqyer dilema mbi ekzistencën tënde si artist. Befas, një dritë në horizont, e lënë ndezur nga dikush enkas për mua për zbulimin e një shtegu të ri nis dhe më ushqen një tjetër ndjenjë, atë të mbivlëresimit. Mos vallë jam mbivlerë- suar dhe prandaj u la ndezur? Mos vallë zymtësia, që ushqehej nga katrahura e vështirë artistike, që më rrethon, do më çojë deri në verbim dhe rrugën do e humbas sërish?E kam të vështirë ta shpjegoj unin.Që ta bëj, do më duhet të dal jashtë tij dhe unë akoma po i eksploroj labirintet e tij në gjetjen e një rrugëdalje. Si për dreq, këto labirinte koshience, shpesh më popullohen nga artistë të paftuar, që vazhdojnë të zhgarravisin muret e këtyre rrugëve të mia me grafite pa sens, m’i ndyjnë akustikisht me megafonë të shurdhuar, që reklamojnë lajme të rreme duke ma penguar akoma më shumë gjetjen e rrugëdaljes. Mbrëmë, si rrallë kohët e fundit, pranova që ajo dritë e lënë ndezur për mua të më drejtojë qetësisht drejt shtegut të ri dhe tashmë jam i gatshëm dhe me vullnet që të eksploroj sërish. Ajo dritë ndriçon aq shumë, sa që arrij të shoh se rruga, që vazhdon pas saj, mbart plot sfida, por ndihem i fortë t’u bëj ballë falë mbështetjes së fytyrave të bukura që më shoqëruan deri tek kjo dritë, në këtë fillim rruge të re, duke kënduar njëzëri me mua tinguj dhe fjalë, që dikur buruan nga shpirti im. Rruga është akoma e gjatë, por do e zbuloj ndryshe me ndjesinë e re, që më dhuruat. Jam mëse i lumtur. Faleminderit njerëz me shpirt të bukur! Gjithashtu,faleminderit RTSH!”, përfundon statusin e tij Bushpepa./Panorama Plus/
© Panoramaplus.al
