6 Nëntor, 2023

Dua Lipa tifoze me klubin e Bogdanit? Seria B italiane poston foton e pazakontë të këngëtares shqiptare


Seria B në Itali ka bërë një postim të pazakontë sot në rrjetet sociale, duke shfaqur një foto të Dua Lipës. Jo për ndonjë album të ri të këngëtares, por për faktin se ajo është shfaqur në mënyrë të papritur me një fanellë futbolli.

Fotoja në fjalë sheh këngëtaren shqiptare teksa mban veshur fanellën e klubit të Palermos, skuadër me shumë traditë në Itali e cila aktualisht militon në Serinë B.

Nuk dihet arsyeja se pse Dua Lipa mban veshur pikërisht këtë fanellë, por klubi në fjalë ka marrë shumë shikueshmëri që kur kaloi në pronësi të grupit që kontrollon edhe Mançester Sitin. Pjesë e këtij projekti të ri është bërë edhe Erjon Bogdani, i cili është drejtor në akademinë e skuadrës së jugut të Italisë.

 

© Panoramaplus.al