Aktorja e njohur turke, Hande Erçel, ka dalë nga hija e spekulimeve që qarkulluan ditët e fundit, pasi autoritetet kanë publikuar rezultatet e analizave të saj për substanca të ndaluara, në kuadër të hetimit të nisur në Turqi.

Sipas mediave, pas kthimit në vend, Erçel është paraqitur para prokurorisë, ku ka dhënë dëshminë e saj dhe i është nënshtruar analizave toksikologjike, përfshirë mostra gjaku dhe flokësh.
Rezultatet e këtyre analizave kanë dalë negative, duke mos evidentuar praninë e substancave të ndaluara në organizmin e saj, çka konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në këtë çështje.

Gjatë dëshmisë së saj, aktorja ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në përdorimin e drogës, duke theksuar: “Nuk kam përdorur kurrë drogë ose stimulantë në asnjë moment të jetës sime.”
Ajo ka shtuar gjithashtu se për shkak të profesionit i kushton rëndësi një jetese të shëndetshme, duke u distancuar nga çdo aktivitet i dyshuar që është raportuar në media.
“Nuk kam jetë nate. Nuk kam marrë pjesë në asnjë festë apo aktivitet privat që është raportuar në shtyp,” është shprehur më tej aktorja.

Çështja ndaj saj u bë publike pas një hetimi të gjerë antidrogë në Turqi, ku u përfshinë disa emra të njohur të jetës publike, ndërsa për Erçel ishte lëshuar më herët edhe një urdhër ndalimi, i cili më pas u sqarua pas paraqitjes së saj para autoriteteve.
Me daljen e rezultateve negative të analizave, pritet që hetimi ndaj aktores të marrë një tjetër drejtim, ndërsa vetë Erçel ka kërkuar që emri i saj të mos njolloset nga akuza që, sipas saj, nuk kanë asnjë bazë.

