20 Janar, 2026

Dramë në familjen e Victoria dhe David Beckham, djali i çiftit shpërthen ndaj tyre: Po përpiqen të shkatërrojnë martesën time, s’dua të pajtohem me ta


Thellohet drama në familjen e të famshmëve David dhe Victoria Beckham. Djali i tyre, Brooklyn Peltz Beckham po përpiqet të paraqesë anën e tij të historisë në lidhje me thashethemet intensive që kanë shpërthyer muajt e fundit për marrëdhënien prindërit e tij.

Djali më i madh i familjes i akuzon ata se e sulmojnë atë dhe gruan e tij në shtyp, duke u përpjekur vazhdimisht të shkatërrojnë marrëdhënien e tij me Nicola Peltz. Pas muajsh spekulimesh, është shprehur ai, ndërsa ishte përpjekur ta mbante jetën e tij personale private, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të “fliste për veten ”.

“Kam heshtur për vite me radhë, kam bërë gjithçka që munda për t’i mbajtur këto çështje private. Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre vazhdojnë të kontaktojnë shtypin, duke mos më lënë zgjidhje tjetër veçse të flas për veten time dhe të tregoj të vërtetën për vetëm disa nga gënjeshtrat që janë publikuar“, shkroi ai, duke shtuar “Nuk dua të pajtohem me familjen time. Askush nuk më kontrollon. Po mbroj veten për herë të parë në jetën time. Kohët e fundit pashë me sytë e mi se sa larg shkonin ata për të mbushur median me gënjeshtra të panumërta kundër njerëzve të pafajshëm , me qëllim që të ruanin vitrinën e tyre . Por unë besoj se e vërteta del gjithmonë në shesh.”

Ai pretendon se gruaja e tij, një aktore amerikane dhe vajza e miliarderit Nelson Peltz, është trajtuar sistematikisht “pa respekt nga familja ime, pavarësisht se sa shumë jemi përpjekur të jemi të bashkuar”.

Për dasmën e tij, ai shkruan se prindërit e tij u përpoqën ta prishnin atë dhe se e ëma anuloi fustanin e Nicolës që po dizenjonte në minutën e fundit, edhe pse ajo ishte e emocionuar që do të vishte një nga dizenjot e saj, duke e detyruar të gjente urgjentisht një fustan të ri nusërie.

Ai iu referua gjithashtu incidentit të famshëm me vallëzimin e parë të çiftit, ku nëna e Brooklyn ishte e ftuar në pistën e vallëzimit në vend të gruas së tij të re, duke e akuzuar Victorian se e “shkatërroi” atë:”Mamaja ime priste që ajo të kërcente me mua dhe ajo kërceu në mënyrë të papërshtatshme me mua, para të gjithëve”

Arsyeja, në fund të fundit, pse ata i rinovuan zotimet e tyre në vitin 2025 ishte, siç shpjegon ai, për të krijuar kujtime të reja “që na japin gëzim, në vend të ankthit dhe sikletit”.

Lidhur me mungesën e tyre në ditëlindjen e 50-të të babait të tij, ai tha se udhëtoi me gruan e tij për në Londër, por “na refuzuan për një javë, ndërsa prisnim në dhomën e hotelit për të kaluar kohë cilësore me të. Ai refuzoi të gjitha përpjekjet tona, me përjashtim të festës së tij të madhe të ditëlindjes, me qindra të ftuar dhe kamera në çdo cep”.

Më në fund, babai i tij pranoi ta takonte, por me kusht që gruaja e tij të mos ishte e pranishme, gjë që ai e përshkroi si “një shuplakë në fytyrë”.

Ai po ashtu hedh akuza se vëllai i tij i vogël, Romeo kishte planifikuar të merrte në atë festëq edhe një ish të dashurën e tij. Ai beson se kjo ka të bëjë me nënën e tij, të cilën e akuzon se vazhdimisht ka ftuar gra nga e kaluara e tij për t’i bërë të ndihen në siklet.

“Ekspozimi publik” është përparësia numër një e familjes së tij, sipas Brooklyn. “Marka Beckham vjen e para” dhe se dashuria në familje matet me numrin e postimeve që bën në rrjete sociale. Ai gjithashtu përpiqet të hedhë poshtë thashethemet se gruaja e tij e kontrollon, duke shkruar se “e kundërta është e vërtetë: Prindërit e mi më kontrollonin, për pjesën më të madhe të jetës sime. U rrita me ankth të padurueshëm. Për herë të parë në jetën time, që kur u largova nga familja ime, ky ankth u zhduk”.

© Panoramaplus.al