29 Tetor, 2025

“Do ta kisha bërë edhe pa famë”- Jennifer Lawrence zbulon ndërhyrjen kirurgjikale që do të bëjë së shpejti


Aktorja 35-vjeçare fituese e çmimit Oscar, Jennifer Lawrence, ka zbuluar se planifikon të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale për zmadhimin e gjoksit pas lindjes së fëmijës së saj të dytë.

Lawrence ka shpjeguar se trupi i saj nuk është rikuperuar plotësisht pas shtatzënisë së dytë, ndryshe nga periudha pas lindjes së djalit të parë, Shai, kur gjithçka u kthye në normalitet. Ajo ka caktuar operacionin për nëntorin e këtij viti dhe ka theksuar se do ta kishte bërë këtë ndërhyrje edhe pa famë, duke qeshur: “Ndoshta nuk do të kisha nxituar kaq shumë për të caktuar takimin, por po, mendoj se do ta kisha bërë.”

Lawrence ka folur edhe për përdorimin e botoksit, të cilin e bën me masë, ndërsa nuk përdor mbushës pasi sipas saj, ato duken shumë në kamera. Ajo nuk përjashton mundësinë e një liftingu të fytyrës në të ardhmen, duke thënë: “Më besoni, do ta bëj në një moment!”

Aktorja po përgatitet gjithashtu për një skenë nudo në një film që do të xhirohet këtë pranverë, një vit pas lindjes së fëmijës së saj të dytë. Në një intervistë për The New Yorker, Lawrence ka treguar se amësia ia ka ndryshuar rrënjësisht jetën dhe mënyrën se si e sheh punën e saj: “Është një gjë e vështirë, por edhe një gjë e mrekullueshme. Nuk ndikon vetëm se ku dhe kur punoj, më ka ndryshuar plotësisht emocionalisht. Nuk e dija që mund të ndieja kaq shumë.”

Aktorja ka folur më herët për vështirësitë pas lindjes së fëmijës së parë gjatë Festivalit të Filmit në Kanë, ku prezantoi filmin e saj “Die My Love”. Në këtë film, ajo luan një nënë që vuan nga depresioni pas lindjes dhe është e shtyrë drejt psikozës, një rol që i është dukur shumë afër përvojave të saj personale.

Lawrence ka nënvizuar rëndësinë e fëmijëve në jetën e saj dhe ndikimin që kanë pasur në aspektin krijues dhe emocional: “Fëmijët e mi e kanë ndryshuar jetën time për mirë dhe më kanë ndryshuar në mënyrë krijuese. Nëse doni të bëheni aktor, e rekomandoj shumë, bëni fëmijë.”

© Panoramaplus.al