22 Gusht, 2018

Djemtë fitues të Kampionatit të Minifutbollit Shqiptar, në një darkë speciale para nisjes në Kiev


Katër humbje dhe një fitore është bilanci i Kombëtares së Minifutbollit në Europianin “Kiev 2018”. Një rezultat në pamje të parë zhgënjyes, por duhet të përmendim faktin se kjo ishte eksperienca e parë e Shqipërisë në Minifutboll, ndërkohë që shtetet e tjera pjesëmarrëse kanë disa eksperienca të mëparshme në këtë sport. Më 16 gusht, kuqezinjtë u mundën nga Bullgaria me rezultatin e thellë 5-0.

Duhet pasur parasysh se skuadra bullgare ishte e motivuar në kulm, pasi luante për të siguruar vendin e dytë, vend të cilin nuk e arritën, pasi Kazakistani mori një barazim të çmuar ndaj Bosnjës së vendit të parë. Gjithsesi, djemtë e ekipit “Prestige”, me në krye kapitenin Fatmir Hysenbelliu, janë për t’u përgëzuar për punën e madhe që bënë në një kohë të shkurtër. “Prestige” fitoi Kampionatin e parë të Minifutbollit amator më 14 qershor të këtij viti.

Ata fituan trofeun e më të mirëve, duke u renditur mes 6 skuadrave, ndërkohë që golashënuesi më i mirë doli Fatmir Hysenbelliu me 22 gola. Një natë para nisjes për në Kiev, djemtë e “Prestige” u mblodhën për të darkuar në restorantin me të njëjtin emër dhe duhet thënë se pavarësisht humbjes, ata hapën dyert e një aktiviteti shumë të bukur sportiv, i cili me siguri do të vazhdojë në të ardhmen.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al