15 Korrik, 2025

Dashuria në kohët e sotme: A kishte më shumë rëndësi personaliteti apo pasuria? Studimi që jep përgjigje


Burri beqar kërkon një zonjë për shoqëri” – këto ishin rreshtat klasike që lexoheshin dikur në gazetat e vjetra të takimeve. Por çfarë kishte më shumë rëndësi për burrat dhe gratë në kërkim të dashurisë? Paratë apo personaliteti?

Një studim i ri nga Universiteti i Jorkut dhe ai i Essex-it ka analizuar më shumë se 1 milion reklama personale të publikuara nga viti 1950 deri në vitin 1995 në gazetat e Kanadasë, SHBA-së, Francës dhe Indisë – për të zbuluar se çfarë kërkonin njerëzit në një partner.

Personalet flasin: Personaliteti “mund paratë” në Perëndim

Në vendet perëndimore si SHBA, Kanada dhe Francë, studiuesit zbuluan se personaliteti ishte faktori dominues në përshkrimin e partnerit ideal, sidomos pas viteve 1970.

Gratë përmendnin tipare të personalitetit në rreth 45% të rasteve, ndërsa financat vetëm në 10%.

Burrat u fokusuan te personaliteti në 35–40% të rasteve, ndërsa financat përbënin vetëm 5% të interesit.

Studiuesit i ndanë reklamat në katër kategori: financiare, personale, fizike dhe shije (hobe, zakone). Me kalimin e kohës, personaliteti doli në pah si faktori kyç në kërkimin e një lidhjeje.

“Studimi ynë tregon se personaliteti po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në vendet perëndimore, siç janë Shtetet e Bashkuara, por nuk shohim të njëjtën tendencë në Indi”, tha bashkëhulumtuesi Dr. Quentin Lippmann.

India: Paratë ende kanë peshë

Në të kundërt, në Indi, edhe statusi financiar mbeti thelbësor në reklamat e publikuara, si nga burrat ashtu edhe nga gratë. Sipas studimit, gratë indiane kishin më shumë gjasa të përmendnin statusin ekonomik të partnerëve të mundshëm, krahasuar me gratë nga vendet perëndimore.

Ky ndryshim pasqyron ndikimin e faktorëve kulturorë dhe ekonomikë mbi mënyrën se si njerëzit kërkojnë një partner.

Dashuria, edhe me para… por jo përherë

Studimi konfirmon atë që shumë njerëz e ndjejnë në praktikë: dashuria nuk blihet, dhe ndonëse paratë mund të kenë ndikim, ato nuk janë përcaktuese për përputhshmëri apo sukses në marrëdhënie.

Pra, nëse jeni ende duke kërkuar një “Zonjë për shoqëri” apo një “Zotëri të përkushtuar”, ndoshta është më mirë të fokusoheni te humori, ndjeshmëria dhe komunikimi, sesa te llogaria bankare.

© Panoramaplus.al