13 Shkurt, 2018

Dajana Xhemalaj: Vij nga Gjermania për të bërë modelen në Shqipëri, këtu gjithçka është më e thjeshtë


Jeton në Gjermani, është 23 vjeçe dhe luan futboll. Dajana Xhemalaj është modelja ujë e sapun, e cila është imazhi i ri që preferohet nga agjencitë shqiptare të modelingut. Pasi ka xhiruar një set fotosh me fustane nusërie, ajo rrëfen për “Panorama Plus” gjithçka rreth karrierës, bukurisë natyrale dhe limitive që s’i kap imagjinata si modele.

Jeton në Gjermani, por vjen shpesh në Shqipëri për projekte. Është më e lehtë të modelosh këtu apo në vendin ku ti jeton?

Vij këtu se kam disa projekte të agjencisë së Sonny K. Elson, pasi agjenti im më lajmëron për aktivitete të ndryshme. Në bazë të rëndësisë së tyre zgjedh nëse dua të jem pjesë ose jo, gjithmonë duke ruajtur dhe imazhin tim. Sa për pyetjen në Shqipëri apo Gjermani, duket sikur është më e lehtë pasi nuk ka një konkurrencë të mirëfilltë dhe disa agjenci nuk kanë primare edukimin e modeleve, por qëllimin për të pasur përfitime. Domethënë, mjafton të paguash për trajnime dhe ti quhesh modele. Kjo gjë ndodh edhe me disa konkurse bukurie, që vetëm me bukurinë nuk kanë lidhje.

Çfarë të bën të veçantë si modele?

Personaliteti i fortë, që kam, me bën të bëj shumë përpara. Është një nga karakteristikat më të dukshme te unë, sepse jam vetvetja në çdo moment. Që në fëmijëri, në çdo foto mundohesha të dilja sa më bukur dhe para se të shkrepej kamera për foto, mundohesha njëherë në cilin pozicion do të dilja sa më mirë dhe të tregoja anën time perfekte. Di të pozoj në çdo lloj mimike dhe nuk pres të më thotë fotografi, çfarë duhet të bëj. Pra, shkurt, siguria që kam në vetvete. E di që e bëj këtë punë mirë, pra, jam e vetëdijshme për këtë. E di ku dua të përfundoj me atë që bëj dhe në atë mënyrë veproj.

Çfarë do të arrish me modelingun?

Mundohem për momentin të vazhdoj në pjesën e reklamave, sepse aktrimi është po ashtu pasioni im. Kam synim të jem imazhi i reklamave të mëdha dhe pse jo pjesëmarrja nëpër produksione kinematografike.

Ke limite në modelim, pra, diçka që mund t’i thuash “jo”?

Po, për shembull, nuk dua të ngarkoj punën time me oferta, të cilat nuk hyjnë në imagjinatën time. Ka plot modele, që e kanë ndërtuar karrierën e tyre me foto nudo për t’u ngritur në shkallën e duhur. Kjo strategji s’do ishte aspak në tipin tim, kështu që mundohem t’i zgjedh ofertat që më vijnë me shumë kujdes.

Mendon se je aq e bukur sa të ndihesh po aq e mirë pa makeup?

Pa makeup ndihem akoma më mirë, sepse dua të ruaj freskinë e fytyrës. Duke ngarkuar fytyrën gjithë kohës për arsyen e punës, ndihem vërtet e lumtur kur vjen momenti që mund ta heq makeup-in në darkë, para se të fle. Dhe kur kam pushim, më mjafton të vendos thjesht pak hidratant poshtë syve, rimel dhe pak ndriçues për buzët.

Bie në sy për fizikun, është sporti mënyra më e mirë për ty për ta mbajtur në formë?

Ndonjëherë, mblidhem me shoqet dhe shkojmë të luajmë futboll. Kujdesem më shumë për ushqimin sesa të koncentrohem shumë te fitness, pasi nuk kam qejf të bëj sport në vend të mbyllur. Në verë kam qejf të notoj gjatë.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al