1 Mars, 2022

Cindy Marina pas Eva Muratit/ Fiksimi i djalit të Jozefina Topallit për bukuroshet e sportit që kërkojnë famën jashtë Shqipërisë


Ndonëse nuk është një person publik djali i ish-kryetares së Kuvendit Jozafina Topalli, Genari, ka qenë shpesh pjesë e mediave rozë. Kjo lidhet jo vetëm me faktin që nëna e tij është një person publik por edhe për shkak të romancave me dy vajza të njohura të botës së ekranit.

Prej kohësh Genari dhe ish-Missi shqiptar, Cindy Marina, janë në një lidhje dashurie. Këtë vit në 14 shkurt, në ditën e të dashuruarve, ka qenë vetë Cindy që ka postuar një foto, ku çifti shfaqen së bashku. Ata janë shumë të qeshur dhe krah njëri-tjetrit, duke konfirmuar kështu dashurinë mes tyre.

Cindy Marina, përveçse Miss, është edhe moderatore sportive. Ajo është prezantuesja e Serie A në Shqipëri e Kosovë, teksa së fundmi ka qenë e ftuar për herë në parë në një televizion në Itali. Përmes një statusi në rrjetet sociale ajo ka zbuluar se ka qenë e ftuar në “Sport Italia”, duke u shprehur shumë krenare për këtë gjë.

Si duket Genari është i fiksuar me vajzat e bukura të sportit që kërkojnë famën jashtë Shqipërisë. Këtu gjejmë rastin të kujtojmë lidhjen e tij shumëvjeçare me moderatoren Eva Murati.

Që kur filloi karrierën në televizion si moderatore, Eva Murati nuk ka ngurruar të flasë dhe të ndajë në rrjete sociale foto me të dashurin e saj asokohe, Genari. Ajo ka rrëfyer se është njohur me të kur ka qenë 15 vjeçe dhe nuk ka tentuar asnjëherë që t’i fshehë diçka nga jeta e saj, familjes.
Mirëpo, në 2019 ata i dhanë papritur fund lidhjes.

Eva fshiu nga rrjetet sociale fotot e tyre, të cilat nuk ishin pak, sepse ajo ndante mjaft momente të lumtura me të dashurin, për ndjekësit e saj. Megjithatë, ajo nuk ka folur asnjëherë se çfarë ndodhi dhe pse u ndanë, duke konfirmuar në heshtje ndarjen.

 

Moderatorja së fundmi ka zbuluar se ka marrë oferta tunduese nga projekte mjaft të rëndësishme në Itali dhe ka rrëfyer se së shpejti do ta shohim në një program televiziv në shtetin fqinj.

 

© Panoramaplus.al