Një gjykatë amerikane ka hedhur poshtë përpjekjen e 38-vjeçares Britney Spears, për të hequr babanë e saj si kujdestar të pasurisë që ajo ka.

Jamie Spears ka qenë kujdestari ligjor i vajzës së tij për 12 vjet, për shkak të shqetësimeve në lidhje me shëndetin e saj mendor, raporton “BBC”.
Avokati i Spears tha se ylli i popit ishte “e frikësuar” prej tij, dhe se ajo nuk do të performonte për aq kohë sa ai të vazhdonte të ishte kontrollues i pasurisë së saj.

Avokati i babait të këngëtares argumentoi se ai gjithmonë vepronte në interesin më të mirë të vajzës së tij.
Një gjykatës tha se do të merrte parasysh ankesat për shkarkimin ose largimin e tij nga kjo kujdestari.

Gjatë një seance të martën, avokati i Spears, Samuel Ingham, tha se ajo dhe babai i saj nuk kanë asnjë “marrëdhënie të qëndrueshme pune” dhe nuk kanë folur për një “kohë të gjatë”.
Por Vivian Thoreen, avokati i Jamie Spears, argumentoi se arsyeja që ata nuk kishin folur ishte sepse Ingham e kishte këshilluar Spears kundër kësaj.

Nëna e këngëtares tha në një deklaratë të lëshuar përmes avokatit të saj, se Britney nuk duhet të detyrohet t’u bindet kërkesave të babait, duke e quajtur marrëdhënien e tyre “toksike”.
Beteja ligjore po zhvillohet në sfondin e lëvizjes “Free Britney” një grup fansash që besojnë se Spears po mbahet e burgosur nga babai i saj dhe të tjerët.


