11 Gusht, 2018

“Birra Korça” dhe super muzikë, të rinjtë në ekstazë gjatë festës më trendi të verës


Tashmë është traditë! Ka një takim të përvitshëm çdo gusht, mes dashamirësve të birrës së mirë, në “Festën e Birrës”, që zhvillohet në Korçë. Është pikërisht numri i madh i pjesëmarrësve, që e ka shndërruar tashmë këtë festë në eventin më të rëndësishëm veror në vend. Mijëra “Check in” dhe foto turistësh me gotat e “Birra Korça” në dorë. Stendat e “Birra Korça”, ashtu sikurse edhe në vitet e kaluara, kanë qenë të preferuarat e turistëve.

Teksa festojnë e shijojnë çdo detaj e organizim të festës, ata kishin si më të preferuarën birrën, me të cilën identifikohet qyteti. Si çdo vit, kjo festë do të zgjasë pesë net dhe deri tani ka një rekord pjesëmarrësish e surprizash. Pjesëmarrësit, më së shumti, janë të rinj dhe teksa pijnë një gotë birrë “Korça”, shijojnë muzikën e mirë të përzgjedhur me këtë rast. U ngjitën në skenë shumë artistë të mirë si: Juliana Pasha, Venera Lumani, Lind Islami, Alban Skënderaj etj..

Madje, ky i fundit pati një surprizë nga fansat, të cilët ia bënë të pamundur zbritjen nga skena sepse e rrethuan dhe filluan të fotografohen me të. Kjo situatë krijoi pak tension te njerëzit që merreshin me sigurinë, por çdo gjë shkoi mirë. E duke kaluar te birra, ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini, i shoqëruar edhe nga familja e tij, teksa ka shijuar atmosferën, ka zgjedhur të konsumojë “Birra Korça”.

“Reputacioni i ‘Birra Korça’ njihet mjaft edhe në Kosovë. Kjo birrë i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe kjo është diçka mjaft pozitive. Unë mund të them që në Kosovë njihet dhe konsumohet, pasi është shumë cilësore. Është për t’u vlerësuar, pasi kjo është një birrë që mban emrin e qytetit dhe unë e kam ndër birrat e preferuara”, – tha ai. Ndër pjesëmarrësit e kësaj feste ishte edhe ambasadori i Rumanisë, Mircea Perpelea. I shoqëruar nga zonja e tij dhe një investitor i njohur italian, ai vizitoi fillimisht ambientet e fabrikës së “Birra Korça”.

“Unë dua të përgëzoj presidentin, z. Irfan Hysenbelli, për këtë investim gjigant në këtë fabrikë. Tani që vizitova ambientet e fabrikës, më pëlqen edhe më shumë “Birra Korça”, – u shpreh ambasadori.

Në festë ishte edhe Niko Peleshi, ministër i Bujqësisë dhe ish-kryetari i Bashkisë së Korçës. Ai së bashku me familjen kishin veshur bluza ku inkurajohej që t’i bëhej check-in “Festës së Birrës”.

Edhe kryetari aktual i Bashkisë Korçë, Sotiraq File dhe aktorja Zamira Kita ishin prezentë. Ndryshe nga çdo vit tjetër, këtë herë festa është kuruar në çdo detaj të sajin dhe organizatorët e kanë rikthyer birrën e qytetit dhe historikun e saj për ta vënë sa më pranë turistëve dhe vizitorëve. Vala festive ka gjallëruar së tepërmi gjithë qytetin e Korçës, ku “Birra Korça” ka qenë prezente, duke e mbajtur gjallë atmosferën.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al