Na ndan më pak se një muaj nga ‘Billboard Music Awards 2022’ që do mbahet më 15 maj, teksa janë zbuluar disa nga artistët që do performojnë në shfaqjen e çmimeve.

Megan Thee Stallion, Red Hot Chili Peppers, Latto, Burna Boy dhe Rauw Alejandro janë të gjithë në listën e yjeve që do dalin në skenë në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas muajin e ardhshëm.
Pasi fitoi çmimin e reperes më të mirë në ceremoninë e vitit të kaluar, Megan Thee Stallion do të bëjë përsëri debutimin e saj me një super performancë në BBMA 2022, ku ajo është nominuar për ‘Artisten më të mirë femër’. E nominuar në të njëjtën kategori është edhe reperja dhe interpretuesja Latto, kënga e të cilës “Big Energy” së fundmi u bë hiti i parë i ‘Billboard Hot 100 top-10’ dhe nga i cili u krijuan edhe disa remix me yje si Mariah Carey dhe DJ Khaled.
Performanca e Alejandro do të shënojë gjithashtu debutimin e këngëtarit nga Puerto Riko në BBMA, i cili është në garë për katër çmime në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të këtij viti, konkretisht si ‘Artisti më i mirë latin’, ‘Artisti më i mirë mashkull latin’, ‘Albumi më i mirë latin’ për “VICE VERSA” dhe ”Kënga më e mirë latine për “Todo De Ti”’.
Burna Boy nuk është nominuar në ceremoni, por superylli global me origjinë nigeriane do të performojë në BBMA këtë vit për herë të parë, pas marrjes së çmimit për albumin më të mirë në “Grammy 2022”. Pas publikimit të albumit të tyre të 12-të në studio “Unlimited Love”, Red Hot Chili Peppers do të rikthehet në skenën e BBMA-së për të performuar për herë të parë që nga viti 1999, kur grupi performoi një remix të “Scar Tissue” nga albumi i tyre “Californication” me Snoop Dogg.
Grupi i bashkohet performueses së shpallur më parë Mary J. Blige, e cila do të marrë çmimin e lakmuar “Icon” dhe do të ngjitet në skenë për të kënduar gjatë shfaqjes. Ndërkohë që interpretuesit dhe prezantuesit e tjerë të “Billboard Music Awards 2022” do të shpallen shumë shpejt.
Finalistët dhe fituesit e ‘Billboard Music Awards’ bazohen në ndërveprimet e fansave me muzikën, duke përfshirë shitjet e albumeve dhe këngëve dixhitale, transmetimin në radio dhe angazhimin social, të dokumentuar nga Billboard dhe partnerët e tij të të dhënave, duke përfshirë Luminate (ish-MRC Data).
© Panoramaplus.al
