5 Qershor, 2019

Bianca Junzell: Po rikthehem pas 20 vitesh në muzikë të pushtoj skenën shqiptare


BLERAND REXHEPI/ E lindur në Kosovë, por e rritur në Suedi si një adoleshente, ajo ka kënduar në diasporë muzikën live shqipe, por martesa dhe krijimi i familjes e kishte shkëputur nga skena. Bianca tashmë ka një familje të mrekullueshme, një biznes dhe shumë plane në muzikë, ka realizuar shumë këngë të reja e ka në plan finalizimin e albumit me 11 të tilla. Një zonjë e vërtetë, që nuk kursen për veten, rikthehet për të kënduar dhe pushtuar skenën shqiptare, bëhuni gati!

Bianca, si u përfshive në muzikë, albumi juaj i ri a mund të quhet, mirëfilli, një rikthim në muzikë?

Muzika ka qenë pasioni im që e vogël, kam kënduar dhe vallëzuar në manifestime shkollore, 14 vjeçe fillova të këndoj live në Europë, kisha koncertet e mia, por dashuria për mashkullin e jetës më bëri që të bëj pauzë, po ashtu edhe krijova familjen, mbarova shkollën, hapa biznesin tim dhe kjo më mori 20 vite derisa fillova prapë të jem në skenë. Në mars të këtij viti publikova këngën ’Për veti të kam’, e cila u popullari zua nëpër kanalet suedeze, por çdo herë e dija se do filloj me muzikë sepse e kam pasion dhe më mungonte në jetë. Dëshira ime e madhe ishte të realizoja një album shqip sepse shpirti më flinte në vendlindjen time, edhe pse jam rritur këtu, kam një dashuri të madhe për popullin shqiptar.

Ç’vend zë muzika në jetën tënde? Zgjohesh me këngë në mëngjes? Hiti yt i preferuar?

Muzika zë një vend të madh në jetën time, në mëngjes gjatë gjimnastikës dëgjoj muzikë, më motivon por edhe pas punës më relakson. ’Inati’ më është bërë favorite, me ritëm të bukur veror, e dëgjoj në shtëpi, në makinë, gjithkund.

Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?

Po punoj në një album me 11 këngë, në Shqipëri, Kosovë me producent shqiptarë, po ashtu kam dhe marrëveshje, pas këtyre këngëve të bëj një album në Suedi, pastaj do filloj në anglisht, kënga që do dalë në verë, është punuar duet shqip/anglisht me një këngëtar nga Suedia.

Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty, duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?

Nuk ka qenë e lehtë të këndoj në shqip sepse ku jetoj unë nuk ka shqiptarë, edhe në shtëpinë time flitet suedisht me bashkëshortin dhe fëmijët, është e vështirë të komunikoj në gjuhën shqipe, nëse nuk ka njeri që flet shqip.

Po kush është Bianca, në fakt, një biografi e juaja dhe na fol mbi veten, familjen, emrin që e ke shumë karakteristik?

Bianca është një femër shumë pozitive, ka prindër shqiptarë me prejardhje nga Peja e Kosovës, e rritur në Suedi, si vajzë kisha mbiemrin Lajqi, por e martuar me Sven Junzell e mora mbiemrin e tij. Kam marrë dy kultura, kujtime të mira, isha një vajzë e urtë, e sjellshme, e shkëlqyeshme në shkollë, kam kaluar rininë në Suedi, kam ëndërruar të kem tre fëmijë dhe atë e arrita, kam një vajzë dhe dy djem, kohën më të madhe ia kushtoj familjes, jemi shumë të lumtur dhe e kënaqur me shëndetin dhe suksesin e fëmijëve.

Në shtëpi, krahas ndjenjës komode, çfarë bën, përgatit, lan enët, rregullon shtëpinë?

Në shtëpi kam shërbyes që merren me këto punë.

Dashuria kalon nga stomaku thonë… Cila është pjata e preferuar e bashkëshortit tënd dhe që ti e gatuan me shumë dëshirë, gjithmonë?

Pjata e preferuar e bashkëshortit është stek dreri, të cilën e dëshiron për ditëlindje dhe unë e gatuaj vetëm për dëshirën e tij.

Cili është vendi më i bukur në botë për ty?

Vendi më i bukur, sipas meje, është vendlindja ime Peja e pas saj vjen Rough Guides – Scottland.

Hera e fundit kur ke qenë në pushime?

Para dy javësh, i dua pushimet dhe gjithmonë bëj, edhe verës, edhe dimrit, me familje jashtë Suedisë.

Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?

Kur klientët e mi kanë rezultat të shpejtë pozitiv nga puna që bëj.

Doni një familje të madhe?

Të mesme, e kam arritur qëllimin dhe kam familjen që e ëndërroja.

Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?

Të jem e pavarur, e dashur me njerëzit, të jap respekt edhe atij që nuk e meriton sepse do të ulet një ditë dhe do mendojë e do i kujtohet respekti im.

Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?

Të dielave i kushtoj kohën familjes por edhe vetes, këndoj, relaksohem, lexoj libra, praktikoj yoga sepse kam kryer shkollën më parë edhe për yoga teachers, arsyeja ishte për ta praktikuar vetë, harmonia është thelbi i lumturisë brenda meje.

Libri i fundit që ke lexuar?

“The Shadow Sister”.

Hera e fundit që ke qeshur aq shumë?

Hera e fundit është sot, djali im 4-vjeçar bën teatër për të qeshur prindërit, dhe jam person shumë i buzëqeshur.

© Panoramaplus.al