Veshja e fustanit të kuq të Valdrin Sahitit nga Beyonce padyshim që ishte një sukses i jashtëzakonshëm për stilistin.

Diva e muzikës botërore u shfaq në Grammy me veshjen e tij.
Gjithçka erdhi si një surprizë jo vetëm për publikun por edhe për vetë Valdrinin. I ftuar në emisionin “Nin” zbuloi se nuk ishte në dijeni se Beyonce do vishte pikërisht fustanin e kuq.
“Nuk e dija saktësisht se do vishte atë fustan, jo saktësisht datën. Ka qenë një surprizë e njëjtë sikurse për mua dhe krejt publikun. Nuk dihet paraprakisht se çfarë do të veshë. Zakonisht këto kontaktet mes yjeve të ndryshme botërore janë zyrtare që qëndrojnë brenda kontakteve me email të departamentit tonë të marketingut. Nuk kemi një komunikim të afërt dhe miqësor me ekipin e saj që t’i dimë detajet. Thjesht shohim çfarë kemi të arsyeshme dhe potenciale në varësi edhe të buxhetit dhe pastaj ekipe të ndryshme zgjedhin gjëra të ndryshme,”- tregoi ai.
Stilisti u shpreh se kontaktohen vetë nga ekipet e menaxhimit të yjeve të ndryshëm botëror dhe se për Beyonce janë diskutuar disa fustane.
“Janë vetë ata që na kontaktojnë dhe pastaj me anë të asistentëve të ndryshëm. Janë diskutuar disa veshje, jo vetëm fustani i kuq. Ka disa ide që jo gjithnjë dalin mirë në trupa të ndryshëm për të cilat ne e bëjmë një farë verifikimi të cilësisë dhe ideve. Gjithmonë kam besuar në ëndrra dhe vizione. Unë jam një përkrahës i flakë i faktit se arti nuk ka kufi pavarësisht moshës apo vendeve. Rrjetet sociale i ka bërë gjërat më të prekshme dhe të afërta”- u shpreh Valdrini.

Ndërsa tregoi edhe të vërtetën e deklaratës së këngëtares Elvana Gjata e cila tha se Beyonce kishte 3 vite që e kërkonte.
“Kemi tre vite që kemi ngritur një departament që merret me klasifikimin dhe kërkesa të ndryshme nga e gjithë bota që vijnë për bashkëpunime brenda firmës sonë. Një nga këto bashkëpunime ishte edhe ekipi i Beyonce. Ka shumë ekipe të ndryshme qe jemi në bisedime për marrëveshje bashkëpunimi. Elvana e ka idhull pafund Beyonce dhe është gëzuar shumë,”- tha stilisti.






© Panoramaplus.al

