6 Maj, 2026

Beteja ligjore mes Angelina Jolie dhe Brad Pitt për “Château Miraval”, gjykata jep vendimin për vreshtarinë 184 milionë dollarëshe të ish-çiftit


Angelina Jolie ka dalë fituese në një çështje të fundit gjyqësore kundër ish-bashkëshortit të saj, Brad Pitt, lidhur me pronën e përbashkët të verës “Château Miraval”.

angelina jolie brad pitt

Sipas një vendimi të gjykatës së Los Angeles-it, të raportuar nga Daily Mail, aktorja 50-vjeçare nuk është e detyruar t’i dorëzojë palës së Pitt 22 email-e që lidhen me këtë çështje. Gjykata rrëzoi një urdhër të mëparshëm të dhjetorit 2025, duke argumentuar se këto dokumente përmbanin komunikime të mbrojtura si strategji ligjore.

Avokati i Jolie, Paul Murphy, e cilësoi vendimin si një “fitore të rëndësishme”, duke theksuar se pala e Pitt kishte kërkuar akses në materiale të privilegjuara që nuk duhet të bëheshin publike.

Nga ana tjetër, përfaqësues pranë Brad Pitt kanë deklaruar se ky është vetëm një zhvillim i përkohshëm që, sipas tyre, vonon procesin e zbulimit të informacionit të rëndësishëm për çështjen.

Megjithatë, gjykata nuk i dha plotësisht të drejtë Jolie-s, duke refuzuar kërkesën e saj për vendosjen e një gjobe prej 34,000 dollarësh ndaj avokatëve të aktorit.

Mosmarrëveshja mes dy aktorëve për “Château Miraval”, një pronë e vlerësuar rreth 184 milionë dollarë, vijon prej rreth një dekade. Konflikti lidhet si me shitjen e një pjese të pronës, ashtu edhe me menaxhimin e saj pas ndarjes së çiftit.

Paralelisht, palët po debatojnë edhe për afatin e nisjes së gjyqit, ku Jolie propozon vjeshtën e vitit 2027, ndërsa Brad Pitt kërkon që procesi të nisë më herët.

Jolie dhe Pitt u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith”, u ndanë në vitin 2016 dhe finalizuan divorcin në vitin 2024.

© Panoramaplus.al