28 Mars, 2021

Bashkëshorti që mban sekret dhe ceremonia e martesës që nuk u bë realitet/ Eliona Pitarka ndan me fansat detaje nga ardhja në jetë e vajzës së saj


Këtë të hënë, aktorja e humorit, Eliona Pitarka u bë nënë. Eliona Pitarka, një nga vajzat më seksi të ekranit, solli në jetë vajzën e saj, Gala, dhe për gjatë gjithë shtatzënisë ajo ka qenë mjaft aktive në rrjetet sociale, duke ndarë me fansat e saj, fotot shtatzënë dhe ndjesitë që po përjetonte në pritje të ardhjes në jetë të fëmijës së saj.

Me të njëjtin intensitet, ajo ka vijuar të jetë në komunikim me fansat edhe pas lindjes, duke gjetur kohë për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje të tyre. Ne kemi shkëputur disa nga pyetjet e fansave.

Në çfarë peshe ka lindur bebi?

Eliona Pitarka: 3250 gr.

Në çfarë ore ke lindur?

Eliona Pitarka: Në 12 e 25 të ditës së hënë.

Pse zgjodhe maternitetin shtetëror?

Eliona Pitarka: Zgjodha shtetin për profesionalizmin dhe eksperiencën e tyre. I zgjodha për vitet mbi supe, për femrat e forta si mamia që priti vajzën time, të cilat japin shpirtin bashkë me gratë aty.

Sa orë zgjatën kontraktimet e lindjes?

Eliona Pitarka: Nga ora 5 e mëngjësit deri në 12 e 25 kur lindi pupushja.

A ke filluar t’i japësh gji apo me formulë?

Eliona Pitarka: Jo, jam kundër formulës kur ke qumësht gjiri. Sigurisht që gji duke qenë se kisha lindje natyrale dhe qumështi më erdhi menjëherë.

Post partum a të ka kapur me stres apo jo?

Eliona Pitarka: Një temë delikate dhe që duhet shtjelluar sepse ka shumë për të thënë. Deri tani jam mirë, sigurisht pak e ngarkuar emocionalisht nga gjithë eksperienca e lindjes dhe frika nga e reja, kujdesi që duhet të kesh për një të sapolindur, sidomos kur e ke fëmijën e parë. Por mundohem ta marr me qetësi dhe të mendoj vetëm pozitivisht.

Si u ndjeve kur e more për herë të parë vajzën në krah?

Eliona Pitarka: Oh, nuk di ta spjegoj me fjalë. Ishte përtej çdo ndjesie që kemi provuar deri më sot. Magji, emocioni më i fortë, kuptimi i jetës dhe i faktit që jemi femra.

Si është rutina e përditshme tani që linde vajzën?

Eliona Pitarka: Është thjesht dita e dytë në shtëpi me pupushen. Duke marrë parasysh që edhe për vete kam nevojë të marr pak veten, paralelisht të kujdesem edhe për vajzën. Por kam mamanë time dhe mamanë e burrit që më ndihmojnë.

Pse nuk linde në spital privat?

Eliona Pitarka:  Sepse asnjë spital privat nuk të jep sigurinë e shtetit. Në shtet edhe sanitaret kanë nga 30 vite eksperiencë e të ndihmojnë sikur janë infermiere. Profesionalizmi dhe siguria janë maksimale. Kjo më bëri që të mos e mendoj për asnjë sekond spitalin privat.

SI NDRYSHOI JETA E AKTORES, PASI RA NË DASHURI ME BASHKËSHORTIN E SAJ

“Barku u zvogëlua, zemra u zmadhua”, shkruante aktorja, teksa ndante me fansat fotot me të voglën e saj. Por si nisi historia e dashurisë së aktores, me djalin misterioz, identitetin e të cilit nuk e zbuloi kurrë?

Në intervista të mëparshme, aktorja ka treguar për ndjekësit e saj se bashkëshorti i saj nuk ka lidhje fare me televizionin dhe se madje nuk e ka fare qejf. Madje, kjo duhet të jetë dhe një ndër arsyet pse ajo nuk shfaqet publikisht me të.

Eliona ka 3 vite e gjysmë në lidhje me partnerin dhe së fundmi janë futur në shtëpi të re, ku kanë mirëpritur dhe të voglën. Eliona Pitarka i tha “Po” propozimit për martesë nga i dashuri misterioz, në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar.

“Përgjithmonë ne, përgjithmonë po. Ai më propozoi”, shkroi Eliona Pitarka, teksa ndau me ndjekësit lajmin e bukur, nëpërmjet një fotoje të postuar në llogarinë e saj në “Instagram”, ku zgjati dorën për të treguar unazën në gisht.

Ndërkohë, fustanin e nusërisë, aktorja e ka veshur disa herë për foto profesionale, por akoma për ceremoninë e saj të dasmës, e cila mund të jetë shtyrë në kohë edhe për shkak të situatës së pandemisë.

E pyetur nga një ndjekës i saj se cili është synimi i saj në jetë, ajo përgjigjet: “Janë shumë në fakt, por po them njërën që më erdhi në mendje tani: Një familje e madhe e lumtur me 4 fëmijë”.

Kujtojmë që pak kohë më parë 28-vjeçarja u bë objekt i mediave online dhe portaleve, në lidhje me jetën e saj të komentuar si luksoze. Ajo u përgjigj se nuk shtiret aspak, sepse fatkeqësisht nuk kishte të dashur me “X6” që ta shëtisë nëpër Tiranë dhe se s’ka qenë kurrë për pushime në Dubai, dy tregues, sipas saj, që do ta kategorizonin si pasaniken e metropolit: “Unë jam një modele dhe për rrjedhojë, fotot janë më të goditura”.

“Aq shumë gjëra janë përfolur për mua dhe aq shumë janë shpifur saqë kam vendosur që këtë pjesë ta mbaj për veten time. Ai nuk është person publik dhe nuk do që të jetë absolutisht fare, prandaj e respektoj vendimin e tij. Ai është shumë i kuptueshëm. Më ka ndihmuar dhe më ndihmon, kontrollon emailet e mia të punës, është shumë mendjehapur. Sigurisht, bëhet edhe xheloz, sepse kam edhe epitetin e femrës seksi të spektaklit. Por ai e di kush jam unë. Ai më njeh shumë mirë. Kuptohemi me sy. Nuk kam qenë kurrë romantike, por derisa zbulova dashurinë e vërtetë, jam bërë shumë. Njeriun e ndryshoka dashuria! Kam qejf të më sjellë lule, çokollatë. Ku i kam dashur unë ndonjëherë këto gjëra, kam qenë grifshë. Ai më ka transformuar, më ka bërë më të ëmbël”, shprehej Eliona ndër të tjera.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al