Një gjykatë franceze ka njoftuar se ka vendosur të rinisë hetimet për një rast të mundshëm dhune që dyshohet të jetë kryer nga këngëtari Bertrand Cantat përpara vdekjes së ish-bashkëshortes së tij, Kristina Rady, e cila u gjet e varur në shtëpinë e saj më 10 janar 2010.
Shtysa për rihapjen e çështjes erdhi pas publikimit të dokumentarit të Netflix “Rasti Cantat”, i cili trajton jetën dhe skandalet e ish-frontmenit të grupit Noir Désir.
Prokurori i Bordosë, Renaud Gaudeul, rikujtoi se Cantat ishte dënuar në vitin 2003 për vrasjen e aktores Marie Trintignant.
Dokumentari me tre episode, i publikuar më 27 mars, përmban deklarata dhe dëshmi të reja, të cilat nuk ishin marrë parasysh gjatë katër hetimeve të mëparshme për rrethanat e vdekjes së Kristina Rady. Të gjitha hetimet e mëparshme ishin arkivuar pa ndjekje të mëtejshme.
Përveç hetimit fillestar për vdekjen e Rady në shtëpinë e çiftit në Bordeaux, autoritetet franceze kishin zhvilluar edhe tri hetime të tjera në vitet 2013, 2014 dhe 2018. Dy hetimet e fundit ishin rezultat i padive të ngritura nga Yael Melloul, kryetare e shoqatës “Gruaja dhe e Lirë”, dhe ish-avokate e partnerit të fundit të Rady.
Melloul deklaroi se ishte “e lehtësuar” nga ndryshimi i qëndrimit të prokurorisë, duke e cilësuar rastin si një “vetëvrasje e nxitur me dhunë”.
Ajo përmendi dëshminë e një infermieri anonim të përfshirë në dokumentar si një element të ri vendimtar, që sugjeron se Kristina Rady ishte viktimë e dhunës në familje. Sipas saj, ajo disponon edhe dëshmi të reja, të cilat do t’ia paraqesë prokurorisë së Bordosë, pa dhënë më shumë detaje.
Cantat ishte dënuar në Lituani në vitin 2003 me tetë vite burg për goditjet fatale ndaj Marie Trintignant. Ai u transferua në Francë dhe u lirua me kusht në vitin 2007, pasi kishte vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit.
Tre vjet më vonë, ai u përjashtua shpejt nga çdo dyshim lidhur me vdekjen e Kristina Rady, e cila u klasifikua si vetëvrasje.
Pas daljes nga burgu, Cantat tentoi të rikthehej në skenën muzikore franceze. Në dhjetor 2017 publikoi albumin e tij të parë solo, “Amor Fati”, i cili u shoqërua me kritika të ashpra dhe reagime të forta nga grupet feministe.
Turneu i tij muzikor u përball me protesta, anulime koncertesh, dhe më 11 qershor 2018 ai anuloi të gjitha paraqitjet e mbetura, pas akuzave publike, përfshirë momentin në Grenoble ku u prit me thirrjet “vrasës”.
© Panoramaplus.al

