Gjuha e trupit është shpeshherë një shpjeguese e mirë e raportit emocional që dy njerëz mund të kenë me njëri-tjetrin. Kur bëhet fjalë për dy të dashuruar gjuha e trupit është treguese po aq edhe sa është dashuria. Prekja e duarve, shikimi sy më sy, ecja në rrugë etj janë detaje nga ku mund të kuptohet më shumë rreth raportit të një çifti. Kjo gjë ka nxitur kuriozitet edhe në raportin e dy çifteve të oborrit mbretëror anglez Kate-William dhe Meghan –Harry.

Ekspertja e gjuhës së trupit, Myka Meier gjatë një prononcimi për “People” ka treguar se fakti që Kate dhe William në daljet publike ecin secili ndaras ndërsa Meghan dhe Harry të shtrënguar prej dore nuk ka të bëjë aspak me rregullat që ka familja mbretërore. Sipas saj, kapja e duarve dhe afeksioni në publik, është një formë që tregon kohëzgjatjen e angazhimit të çiftit.

“Ndonëse kapja e duarve dhe afeksioni në publik i Meghan dhe Princ Harry-it, mund t’ju duken sjellje atipike për angazhimet mbretërore, ky është një gjest që tregon në këtë rast unitet dhe se çifti ka shumë pak kohë që ka zyrtarizuar lidhjen e tyre. Nuk ka asnjë rregull në protokoll ku thuhet se ata nuk mund të tregojnë dashuri në ceremoninë e zyrtarizmit të fejesës, përkundrazi. Kjo i bën ata më të afërt dhe më të pëlqyeshëm për publikun”, u shpreh Meier.

© Panoramaplus.al

