Rigels Rajku (Noizy) dhe Arkimed Lushaj (Stresi) kanë qenë prej vitesh jo vetëm rivalë në muzikë, por armiq të përbetuar jashtë saj. Por diçka ka ndodhur këto kohë dhe ata kanë ulur armët.
Reperi i njohur, Noizy, në mes të një situate thumbimesh me moderatorin nga Kosova, Meriton Mjekiqi, dhe së fundmi me talentin e ri, Don Xhonin, duket se i ka rregulluar raportet me rivalin shumë të vjetër, Stresin.
Pas disa dëshmive pozitive të çtensionimit të situatës nga të dyja palët, dy net më parë i është vënë kapaku rregullimit të raporteve mes tyre.
Fansat kanë ruajtur disa prej komunikimeve “live” si të Noizyt, ashtu edhe Stresit mbi situatën të cilat dëshmojnë, se ata tashmë janë pajtuar dhe që jo vetëm mund të flasin për njëri-tjetrin, por dhe mund të tregojnë me respekt.
Po si u zbulua ky fakt? Së fundmi, një këngë e Dullës ka nisur përplasjen në distancë mes Meriton Mjekiqit, Don Xhonit dhe grupit OTR. Ndërkohë, në debat është përfshirë edhe Stresi, i cili ka mbajtur anën e “armikut” të tij të përjetshëm.
Në një video live në “Instagram”, Stresi tha publikisht se ai dhe Noizy tashmë janë ‘një’, teksa shtoi se janë reperat më të mirë në Shqipëri.
“I them Rigels Rajkut, hiç mos ta nin, jemi një! Kur të vijë fundi, ne do të jemi gjithë bashkë. Mbaje mend ça kemi fol në Drejtori të Policisë”, tha reperi, ndërsa u bëri thirrje fansave që ta regjistrojnë këtë deklaratë.
Nga ana tjetër, Noizy nuk premton se ata do të jenë miq, por siguron se armiq nuk do të jenë më. Kështu, Noizy i kthyer prej vitesh nga Anglia, dhe Stresi i vendosur atje pas arratisë së fundit tashmë mund t’i konsiderojmë të pajtuar.
Kujtojmë se lufta shumëvjeçare mes reperave u rindez një vit më parë. Ishte reperi Noizy që ironizoi username-in e dikurshëm të Stresit.
“Vlonjatiii. Humor pa kufi”, shkruante reperi, duke e shoqëruar tekstin e tij me shumë emoji që qeshin. Por pas këtij ngacmimi, nuk mungoi edhe një reagim i Stresit para një viti, i cili ndau në “InstaStory” një video ku thumbonte gjithashtu Noizy-n.
Në këngën që këndonte, reperi artikulonte fjalë banale dhe sharje. “Kur u bënë këta bij ku*vsh të më kallëzojnë se çfarë është rruga….“, ishte një vargjet që këndonte Stresi në një video në Instastory, duke thumbuar kështu Noizy-n.
Pas këtij konflikti të fundit, ata tashmë duket se i kanë sheshuar mosmarrëveshjet. Ndërkohë, në fillimet e tyre në muzikë ata mund të kenë qenë dhe miq, nëse i referohemi një fotoje të tyre që qarkullon në internet.
Armiqësia mes dy reperave ka pasur si shkak konkurrencën. Por thuhet se dikur Noizy dhe Stresi kanë qenë shokë, edhe pse për vite me radhë dy reperat nuk flisnin me njëri-tjetrin dhe njihen si rivalët më të mëdhenj në muzikën shqiptare me “diss”-et dhe sherret e mëdha.
Kujtojmë që sherri mes grupeve të Stresit e Noizyt në vitin 2010, degjeneroi me plagosjen me 11 thika në trup të Denis Dollapit. Më pas, pasi të tjera sherre e konflikte që janë publikuar në faqet e kronikës së zezë për vite me radhë.










