7 Prill, 2024

Anxhela Peristeri lë pas dietën, fotot e paparazzi-t të këngëtares duke bërë pazar


Për publikun ajo njihet si një ndër artistet më të mira të netëve “live”. E kemi fjalën për Anxhela Peristerin, që për shumë vite vijon të mbetet ndër emrat më të pëlqyer në muzikën shqiptare. 

Por, këtë herë do të flasim për atë Anxhelën që nuk e shohim shpesh. Larg shkëlqimit të kamerave, Anxhela është si çdo njëra prej nesh, që kalon shumë kohë edhe në supermarket, duke bërë pazaret. Paparaci ynë ka mundur ta shkëpusë pikërisht gjatë këtij momenti, ku këngëtarja është shfaqur ndryshe.

E veshur me një palë xhinse të gjera dhe xhup jeshil po të gjerë, artistja duket se ka ndryshuar disi stilin e jetesës. Kujtojmë se vite më parë, ajo u shfaq në forma fizike të përmisuara. Artistja tha se kishte ndjekur një dietë rigoroze, çfarë kishte bërë të mundur largimin e disa kileve të tepërta. E që prej asaj kohe, Anxhela ia lejonte vetes veshje disi më sensuale, duke qenë se format ishin përmisuar ndjeshëm.

Por, tashmë që dieta ka përfunduar, duket se këngëtarja i është rikthyer ushqimeve të preferuara. Ajo që na ra në sy në këtë pazar të sajin, ishte pikërisht fakti sesa me vëmendje ajo kishte qëndruar para produkteve të mishit, duke përzgjedhur se çfarë do të blente. Më pas, këngëtarja afrohet edhe te rafti i bukës, duke na vulosur kështu se kishte hequr dorë njëherë e mirë nga dieta.

Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse sërish Anxhela është rikthyer te veshjet e gjera. Sa i përket jetës private, artistja ka qenë gjithnjë hermetike, duke na zbuluar shumë pak nga statusi i saj aktual. Këngëtarja Anxhela Peristeri ka zbuluar se është në një marrëdhënie dashurie dhe e ka gjetur njeriun e jetës së saj, por pa dhënë shumë detaje. Ajo ka preferuar që lidhjen e saj ta mbajë private pasi nuk dëshiron “kurrsesi që ta bëjë publike”.

“Është vetëm imi”, thotë këngëtarja me shaka. Gjatë intervistës, ajo u pyet nëse është martuar në fshehtësi, por Anxhela Peristeri la të nënkuptohet se jo, duke theksuar se beson vetëm te bashkëjetesa dhe dashuria e vërtetë.

“Nuk besoj te martesa, por te bashkëjetesa dhe njeriu i duhur, te dashuria e vërtetë. Si të martohem me fustan apo pa fustan njësoj është. E kam gjetur njeriun e jetës, por nuk dua ta bëj publik. Është vetëm imi (qesh). Nuk kam frikë nga asgjë, por ka njerëz që duan të bëhen publikë dhe të tjerë jo. Unë jam nga ata njerëz që jetën time private nuk dua ta bëj publike. Deri tani që e kam pasur private kam qenë shumë mirë dhe nuk dua kurrsesi ta kem publike”, u shpreh Anxhela Peristeri.

Ndonëse vitet kalojnë dhe mediat vijojnë të flasin për një histori të zjarrtë dashurie, Anxhela vijon të shfaqet e vetme. Anxhela Peristeri e ka mbajtur gjithmonë sekret jetën e saj private, ndonëse muaj më parë ajo konfirmoi lidhjen shumëvjeçare të dashurisë me partnerin e saj. Pak kohë më parë, u përfol se Anxhela shumë shpejt do të kurorëzojë dashurinë e saj në martesë.

Burime për “Prive”, kanë bërë me dije se Peristeri me të dashurin e saj do t’i thonë “Po” njëri-tjetrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, specifikisht në Las Vegas. Anxhela kohët e fundit ka ndarë me ndjekësit e saj në “Instagram” disa foto nga Las Vegasi, duke përforcuar kështu hipotezat se ajo ndodhet atje për ceremoninë e saj të martesës. Por në një komunikim me “Panorama Plus”, artistja mohoi lajmin e martesës, duke u shprehur se në Las Vegas ishte për punë dhe jo për t’u martuar.

E pyetur rreth kësaj, Anxhela u shpreh se është pak supersticioze dhe se privatësia i ka sjellë të mira. Mes të tjerash, pranoi se nuk ka ardhur ende koha të bëhet nënë, por e imagjinon veten nënë të rreptë.

“Për femrat në karrierë është e vështirë të vijë ora biologjike, por duhet të vijë në një moment. E mendoj veten si mami posesive se bëhem merak shumë për çdo gjë. Do isha shumë e rreptë dhe posesive”, tha ajo. Këngëtarja ka deklaruar se partneri i saj nuk është pjesë e “showbizz”-it dhe për momentin nuk ka plane për një ceremoni zyrtare, por kur kjo të ndodhë, do të merret vesh.

“Është një gjë krejt private e imja dhe nuk ka të bëjë më muzikën time. Nuk kam dashur dhe nuk dua të flas shumë për këtë pjesë”, tha këngëtarja duke dashur ta mbyllë këtë temë, për të cilën është ngacmuar gjithmonë. E ngacmuar se ajo është një nga këngëtaret shqiptare më të pasura, Anxhela tha se do e konsideronte veten të pasur nëse nuk do kishte kredi. E komentuar shpesh edhe për moshën, këngëtarja shpesh ka replikuar me komentuesit.

“Për të gjithë ata që më shkruajnë sa vjen e rinohesh ose që ngatërrohen me moshën time për shkak të viteve të shumta në skenë, jam 33 vjeçe dhe as jam rinuar e as jam plakur, jam thjesht në lule të moshës. Ju dua shumë!”, shkruante Anxhela, mirëpo përsëri shumë fansa nuk e besuan dhe njëra prej tyre i ka shkruar mesazh Anxhelës duke i thënë se ajo i ka prekur të 40-at.

© Panoramaplus.al