27 Shkurt, 2021

Anxhela Peristeri larg ekstravagancës, “Eurovizioni” e prezanton si vajza tradicionale nga Shqipëria


Këngëtarja Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në “Eurovision” si vajzë tradicionale, larg ekstravagancës.

“Karma” titullohet kënga që është përzgjedhur fituese në Festivalin e RTSH-së dhjetorin e kaluar dhe që do të jetë prezantuese e shtetit shqiptar në festivalin europian.

Teksa është duke promovuar projektin muzikor, Peristeri ka realizuar edhe disa fotografi me motive kombëtare, që do ta bëjnë edhe më të lehtë identifikimin e këngës. Këngëtarja ka pozuar me veshje tradicionale, duke pasqyruar kështu kulturën dhe traditën vendase.

Faqja zyrtare e “Eurovision”-it në “Instagram” i ka publikuar këto fotografi të këngëtares shqiptare, duke i ndarë me ndjekësit e saj të shumtë.

“Shikoni këto fotografi mahnitëse të Anxhela Peristerit, ndërsa ajo u bën dedikime shqiptarëve në të gjithë botën”, shkruan faqja zyrtare e “Eurovision”-it.

Ndërsa afrohet data e nisjes së Eurovizionit, një prej festivaleve më të rëndësishme të këngës në Europë, organizatorët e eventit janë duke punuar që t’i vënë të gjithë konkurrentët në qendër të vëmendjes së publikut, me anë të postimeve në rrjetet sociale.

Në faqen zyrtare të “Instagram”-it të Eurovizion, i cili këtë vit do të zhvillohet në Holandë pas anulimit që ndodhi vjet për shkak të pandemisë, janë duke u prezantuar artistët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe këngët e tyre.

Për Anxhelën, ata zgjodhën të publikojnë disa foto, ku këngëtarja shfaqet me kostum tradicional. Bashkëngjitur me fotot e realizuara nga Norik Uka, nuk kanë munguar tifozët e Festivalit Europian me komentet e tyre. Fotot dhe Anxhela me veshjen tradicionale duket se janë pëlqyer nga fansat e festivalit, jo vetëm ata shqiptarë.

Ndërkohë pritet që ditët e ardhshme të mësohen më shumë detaje nga netët që do të mbahet Eurovizioni, radhën e performancave, si artistët do të paraqiten dhe si do të organizohet eventi me apo pa publik. Këngëtarja Anxhela Peristeri u shpall fituese e “Festivalit të 59-të të RTSH-së” vitin që lamë pas, ku konkurroi me këngën “Karma”.

Në muajin maj të këtij viti, kjo këngë fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, i cili do të mbahet në Roterdam. Kujtojmë që para festivalit, në media qarkulloi një lajm jo zyrtar për “fitoren e paracaktuar” të Anxhelës, që u mohua nga drejtuesit.

E ftuar në “Jonida’s Room”, Anxhela foli për herë të parë lidhur me këto fjalë pas fitores. Këngëtarja u shpreh se në fakt ka pasur reagime jo vetëm për të, por edhe për çmimin e dytë dhe të tretë. Pavarësisht kësaj, Peristeri tregoi se dëshiron që të ketë reagime sa herë që fiton, nuk e ka aspak problem dhe e kupton këtë gjë.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al