Debati i ashpër i Antonela Berishës së “Për’puthen” me Blerim Dautin duket se ka degjeneruar në kërcënime jashtë programit, duke përfshirë edhe farefisin.
Në videot e publikuara në aplikacionin e “Për’puthen”, u zbulua se konkurrenti e kishte ofenduar Berishën duke i thënë: “Je si ato femrat që rrinë me këmbët hapur”.
Pas kësaj që dëgjoi, Antonela ishte mbyllur në tualet dhe pas saj kishte shkuar vetëm Atdhe Xharavia për ta qetësuar, për të cilin ajo po përflitet se është duke jetuar një romancë. “Kush është ai të më thotë mua ku*vë?!”, dëgjohet duke thënë mes së qarash Antonela.
Pas kësaj, Blerimi kërkoi të bënte një sqarim, duke thënë se nuk e kishte ofenduar Antonelën, sepse nuk ia lejon kultura e tij ta bëjë këtë gjë. Konkurrenti u shpreh i shqetësuar për jetën e tij jashtë programit, pasi sipas tij shtoi se ka marrë kërcënime nga persona të panjohur që i janë prezantuar si të afërm të farefisit të Antonelës.
“Nuk ma lejon kultura që t’i quaj femrat ‘ku*va’ dhe herë tjetër mos thuaj ashtu. Kam pasur dhe kërcënime nga mesazhe të shumta që thonë jam kushëriri i Antonelës dhe thonë do të bëj kështu do të bëj ashtu. Nëse ti nuk ke lidhje me këtë gjë, nuk ka problem, por nëse janë të vërteta, bujrum të vijnë të gjithë ata që më kanë kërcënuar këtu dhe ua tregoj unë kush është Blerim Dauti. Unë nuk të kam thënë ku*vë. Ka qenë batutë, nuk ka qenë ofendim, sepse mua nuk ma lejon edukata”, tha Dauti, i cili është një nga djemtë që ajo ka pasur takim romantik.
Por kush është Antonela në këtë program, vajza e ardhur nga Italia, e cila e nisi lojën me Mevlan Shabën, për të vazhduar me Atdhe Xhavarinë e Fatjon Kuqarin?
Antonela Berisha arriti të bindte produksionin që të rikthente Atdhe Xharavinë, me të cilin ajo realizoi edhe një takim shumë romantik. Mirëpo, përveç takimit, ata u panë shumë të afërt edhe në studio gjatë kohës që kamerat nuk ishin të ndezura.
Një video e konkurrentëve të “Për’puthen” është publikuar në aplikacionin e këtij programi, në të cilën Antonela dhe Atdheu shiheshin në “momente intime”. Berisha i ulej në prehër Atdheut, i cili e tund me këmbë duke ndjekur ritmin e muzikës në sfond.
“Jam mirë këtu”, dëgjohej duke thënë Antonela, ndërkohë që Atdheu e puthte në qafë. Pak kohë më parë, Berisha u fotografua duke hipur në makinën e ish-konkurrentit të “Për’puthen”, Fation Kuqarit, dhe të gjithë nisën të aludonin se mes tyre ka diçka.
Por, ajo i hodhi poshtë të gjitha dyshimet duke thënë se Fationi i kishte sjellë një palë syze dhe më pas e kishte shoqëruar deri në një qendër tregtare, sepse ajo vetë nuk ka patentë e as makinë. Antonela shtoi se mes tyre ka vetëm miqësi dhe se kanë edhe miq të përbashkët.
“Ka ndodhur më datë 13, nga ora 3-4 pasdite. Më ka sjellë një palë syze për t’ia publikuar në ‘Instagram’-in tim. I kam kërkuar të më shoqërojë se kisha për të blerë ca gjëra, sepse nuk kam patentë dhe as makinë. E kam takuar në rrugë me persona të tjerë. Kemi miq të përbashkët dhe e kam shumë shok. Kam shoqëri me pak fjalë, por nuk besoj se ka vend për keqkuptime këtu se ai mund të jetë dhe me dikë tjetër ndoshta. Unë kam shumë shokë meshkuj. Pastaj, po të kisha gjë për të fshehur, nuk do dilja haptazi në mes të Tiranës me të”, është shprehur Berisha.
NGA DHUNA E TË ATIT TE KËRCËNIMI I KONKURRENTIT TJETËR, ELVIS LUSHIT, ARSYEJA PSE ANTONELA BERISHA KRIJON DRAMA ME BURRAT
Por konflikti me Blerim Dautin nuk është i pari për Antonela Berishën në këtë program, pasi pak kohë më parë bëri bujë një tjetër përballje e saj me Elvis Lushin. Pas debateve në “Për’puthen prime”, vajza nga Shkodra u largua nga studioja e prekur dhe e përlotur.
Ndërkohë, në emision ajo tregoi arsyen pse u ndje keq dhe rrëfeu gjithë historinë prekëse të jetës së saj. Antonela tregoi se ka pasur një jetë mjaft të vështirë, sepse babai i saj, që tashmë nuk jeton më, ushtronte dhunë ndaj nënës.
“M’u kujtuan ca gjëra që kam kaluar në familje. M’u kujtua babi që nuk jeton më dhe atë rrëmujën që na bënte në shtëpi mua dhe familjes dhe mamit. Kujtoj atë pjesën që po bërtisnin të gjithë dhe s’ndalonte më situata, e humba, me dolën lot vetëvetiu”, tha Antonela kur tregoi arsyen e largimit nga studioja.
Ajo rrëfeu më pas se për shkak të dhunës së vazhdueshme të të atit, u detyrua me nënën dhe familjarët e tjerë të shkonin në Itali dhe të shpëtonin prej tij.
“Më kujtohet natën e fundit që na ka nxjerrë nga shtëpia dhe jemi ndarë aty. Kemi shkuar në Itali se ai kërcënonte se donte të na vriste ne dhe nënën, kemi shkuar në Itali me një veshje ne trup e me asgjë tjetër. Pas një viti s’kishim dokumente akoma dhe më thotë dikush në ‘Facebook’: ‘Ngushëllime për babin!’. Më ka mbetur merak që s’kam qenë në varrim, por nëna ime është një person i fortë që s’na ka bërë ta ndjejmë mungesën e babit, megjithatë ai duhet.
Kemi shkuar në Itali dhe u dorëzuam në Polici që të na ndihmonin dhe na thanë: ‘S’kemi çfarë t’ju bëjmë, ikni ku të doni’. Kishim dhe vëllain 4 vjeç, binte shi atë ditë, del mami me pasaporta dhe thotë s’na pranojnë. Shefi i Policisë e pa këtë skenë dhe na strehoi, për dy vite jetuam në një qendër, pastaj gjetëm punë dhe ia dolëm disi. Mami la gjithë jetën e saj këtu se ishte mësuese matematike dhe ka punuar edhe si pastruese në Itali. E kam parë babin gati duke e mbytur mamin dhe s’munda të bëja gjë, se s’kisha çfarë t’i bëja”, ka rrëfyer Antonela.
Historia e saj përloti konkurrentët, Bora Zemanin dhe Arjan Konomin dhe të gjithë ata shprehën mbështetjen e tyre për Antonelën. Por pas këtij rrëfimi, vajza çapkëne nga Shkodra qau sërish dhe këtë herë arsyeja ishte një nga djemtë e “Për’puthen”, Elvisi, që njihet si “Loco”.
Elvisi (Loco) vendosi të largohej nga “Për’puthen” pasi publikoi fotografinë me litar në rrjete sociale, për të cilën tha se e kishte për Antonelën. E gjitha kjo shkaktoi debate të forta në program dhe pas kësaj, Elvisi vendosi që t’i japë fund rrugëtimit të tij në programin e dashurisë, ku dukej se marrëdhënia e tij me konkurrenten tjetër, Sindin, po shkonte në drejtimin e duhur.
“Unë do të largohem sot dhe duhet të bëhet dikush kurban për të përfituar dikush tjetër. Por ta harroni që mund të bëhem kurban!”, tha ai.
Antonela iu pëgjigj se ka pasur respektin maksimal dhe është prekur se ka menduar që është i kulturuar. Dua të bëj një pyetje: “Unë të kisha bërë vetëvrasje, do të të vriste ndërgjegjja?”.
“Sigurisht që po”, tha Loco. “E kam thënë që Antonela më duket femra më e fortë këtu, nuk e di kush mund të jetë dëshmitar këtu. Po thosha që të kam vlerësuar dhe faleminderit që i the ato fjalë. Por ajo që më ka bezdisur te ti është që përpiqesh të justifikohesh për çdo situatë, herë me lot, herë me viktimizim. Sot nuk kam ardhur as me akuza, as me shpatë në dorë, por kam ardhur për të dalë e për të ikur në punën time, se nuk mundem më. Antonelës i kërkoj falje, se e kam bërë të ndihet keq!”, tha ai.
Kujtojmë që fotoja e publikuar nga Loco dhe e ripostuar nga konkurrenti tjetër, Atdheu, nxiti debat shumë të ashpër në “Për‘puthen”. Antonela shpërtheu në lot edhe në atë rast, kur tregoi foton e postuar nga Loco në “Instagram”, në të cilën shkruhej: “Ka dy lloj monstrash në këtë botë: 1. Ngacmuesit seksualë, që bëjnë gjëra pa aprovimin e palës tjetër. 2. Femra që bëjnë çfarë të duan dhe ia hedhin fajin ‘ngacmuesit seksual’. Për këtë të dytën jam më i sigurt”.
Me të parë foton, opinionisti i njohur i programit, Arjan Konomi, kërkoi përjashtimin e Locos. 24-vjeçarja Antonela Berisha hyri në programin e njohjeve pas largimit të Andit dhe Teas.
Ajo është me origjinë nga Shkodra, por jeton në Milano të Italisë. Antonela është dizajnere mode, ndërkohë që djemtë e “Për’puthen” e ndiqnin në “Instagram” para se të hynte në lojë. Gjatë rrugëtimit të saj, ajo njihet për ngacmimet dhe batutat që u bën protagonistëve, sidomos në luftën me Ledianën për shkak të Mevlanit.
























