Një rocker i vërtetë që nga klipi në klip i këndon dashurisë, si një ndjenjë sublime që ndihet në ajër. Kantautori mjaft i pëlqyer nga Kosova ka publikuar projektin e tij më të ri, regjinë e të cilit ia ka besuar Ajola Xoxës. Duke qenë mik me Gent Bushpepën, Andos komenton klipin “Mall” dhe pritshmërinë që ka për të në Eurovizion. Për jetën e një djali të lakmuar, femrën që i pushton qenien dhe ndonjë varësi nga e cila kërkon të heqë dorë, Andos flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Ata sy”, një klip me regji të Ajola Xoxës. Si ndodhi që ia besove asaj projektin tënd të ri, të zbuloi ajo ty, apo ti atë?
Ajolës në fillim i besova rolin si regjisore-kreative, organizatore dhe koordinatore kryesore të klipit të këngës “Heshtja”. E duke e parë gjatë procesit të regjistrimit sa profesioniste dhe e dedikuar që është dhe sa të lumtur e bën disi i tërë procesi i krijimit të idesë, konceptit dhe realizimit të filmave dhe video-imazheve në përgjithësi, ia besova komplet kësaj here videoklipin me titull “Ata sy” dhe e falënderoj shumë. Më duhet të them që “Heshtja” dhe “Ata sy” janë ndoshta dhe klipet me të arrira artistikisht, mendoj unë, në koleksionin tim, në këtë rrugëtimin tim në botën e muzikës deri tani.
Ke zgjedhur si protagonistë dy aktorë që nuk bien në sy për bukurinë, por për interpretimin. Pse një zgjedhje e tillë?
Sa u përket aktorëve, Kristi Lleshi dhe Ermir Jonka, ishin një përzgjedhje e Ajola Xoxës. Ajo u kujdes për casting të aktorëve dhe jam shumë i kënaqur me performancën e tyre, sidomos me emocionin që kanë transmetuar. Por kjo është edhe një meritë e Ajolës, pasi ajo është siguruar dhe i ka drejtuar disi aktorët të përcjellin emocionin e duhur.

Ajola ka realizuar edhe klipin “Mall” të Gent Bushpepës, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Ke një koment për atë realizim?
Shumë koncept i qëlluar me këngën. I ka dhënë emocionin e duhur vizual këngës.
Meqë jemi para garës europiane të muzikës, cilat janë pritshmëritë e tua për Gentin në Eurovizion dhe ç’mund të veçosh si pika të forta, krahasuar me përfaqësuesin tjetër nga Shqipëria të Italisë, Ermal Metën?
Uroj që të dy të arrijnë sa më lart në kualifikime, edhe, pse mos ta fitojnë! E them këtë, pasi të dy kanë këngë të bukura, të fuqishme me një vokal dhe emocion unik. (E sigurisht që më shumë suksese i uroj Gentit, pasi e kam edhe mik.)
Shumë këngë të ndjera publikon herë pas here. Nisur nga krijimet e tua, je një djalë i plotësuar me dashuri apo i pushtuar nga ndjenja e dashurisë së pamundur?
Nuk jam i plotësuar me dashuri dhe uroj mos të jem i pushtuar nga ndjenja e dashurisë së pamundur, pasi sado të fortë apo indiferent mundohemi të bëhemi, në fund, besoj që forca fondamentale që i jep kuptimin e plotë jetës, është dashuria.
Të jesh i pashëm si ty, do të thotë që je djalë i lumtur, pasi nuk të mungon kurrë vëmendja, apo kjo s’ka lidhje?
Jo, asnjëherë nuk e kam menduar kështu dhe nuk e mendoj. Nuk kam besuar kurrë dhe nuk e besoj që çelësi i lumturisë qëndron te pamja fizike. Edhe pse sigurisht nuk e besoj që jam njeri nga ata që janë të pashëm, të tjerë janë ata besoj. Po të kisha besuar aq shumë në atë gjë, ndoshta dhe do të kisha dalë në videoklipe më tepër.
Që një femër të pushtojë qenien tënde mashkullore, çfarë duhet të ketë?
Buzëqeshje shpresë dhënëse, sinqeritet, besnikëri dhe një qetësi të brendshme shpirtërore.
Ku qëndron e bukura e jetës, po e keqja e saj?
Ta jetosh.
Si artist i vërtetë që konsiderohesh, a ke ndonjë varësi nga e cila do të heqësh dorë?
Cigarja.
PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al
