Sezonin veror janë VIP-at ata që e hapin të parët çdo vit, ashtu ka ndodhur edhe këtë herë. Amanda Toska dhe Adelina Tahiri kanë zgjedhur destinacione të ndryshme për të nisur sezonin veror, duke shijuar pushime me familjet e tyre në vende ekzotike.

Amanda ndodhet në Maldive, ku po kalon ditë relaksi me familjen e saj. Në rrjetet sociale, ajo ka ndarë momente nga pushimet, duke treguar për një atmosferë të qetë dhe të ngrohtë familjare.

Fotot e saj në plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat e kristalta të Maldiveve reflektojnë një fillim të mbarë të verës. Së bashku me të në këto ditë është edhe Ermali dhe dy fëmijët e tyre.

Duhet thënë se Ami, këtë verë shfaqet në një formë perfekte fizike, duke shijuar kështu pushimet dhe duke mos i ndalur pozat në rrjetet sociale, ku shfaqet sensuale. Si një emër disi më larg mediave, Ami ka ndarë pak kohë më parë eksperiencën e saj si nënë, por edhe humbjen e një fëmije në fillim të shtatzënisë. Ajo ka treguar se ishte shtatzënia e parë për të, por nuk shkoi siç duhej, pasi në muajin e tretë ajo e humbi fëmijën.

Moderatorja tha se emocioni i asaj ngjarje i është fshirë nga mendja dhe e vetmja gjë që ia kujton është një lodër që bashkëshorti i saj Ermali e kishte blerë kur çifti morën vesh lajmin.

“Atë shtatzëni që nuk u çua deri në fund unë nuk e mbaj mend fare, kam pasur vetëm një lodër të cilën ma ka blerë Ermali, ka qenë një nga këto rraket për fëmijë ishte kot sa për fund, kur filloi e gjitha kjo gjë. Atë rrake unë e kam dhe sot e kësaj dite dhe ua kam kaluar Joelit dhe Sias. Vetëm ajo ma kujton shtatzëninë e parë”, u shpreh moderatorja.

Ndërkohë, Adelina Tahiri ka zgjedhur Dubain për pushimet e saj. Pas një periudhe prej nëntë muajsh krizë në martesë, ajo është ribashkuar me bashkëshortin e saj, avokatin maqedonas Serjoza Markov.

Në një intervistë, Adelina ka pranuar se çdo marrëdhënie ka uljet dhe ngritjet e saj, por rëndësi ka dashuria që mbizotëron në fund. Ajo ka ndarë në rrjetet sociale momente nga pushimet luksoze në Dubai, ku shfaqet së bashku me bashkëshortin dhe djalin e tyre, duke festuar ribashkimin e tyre.

Këngëtarja e njohur Adelina Tahiri, ka rrëfyer detaje nga kriza që ka kaluar në marrëdhënien e saj me bashkëshortin, Serjoza Markov. Ajo ka theksuar se e ka tepruar pak me sinqeritetin e saj dhe kjo si pasojë e çiltërisë që e karakterizon, por gjithçka ka mbetur pas dhe çifti i kanë zgjidhur problemet e tyre. Këngëtarja tha se problemet asnjëherë nuk zgjidhen nëse nuk provojnë të dy partnerët.

“Nuk kalon kriza pa e marrë hapin të dy. Normale unë jam femër dhe unë jam e edukuar ashtu që të pres hapin prej burrit dhe e respektoj si burrë dhe pranoj hapat nga ana e tij. Kur kalon njëfarë kohe, ftohen pak gjërat, entuziazmi i zënkës, atëherë sheh a je e lumtur dhe a e do dikë. Unë besoj që dashuria asnjëherë nuk vdes”, u shpreh ajo në “Studio A”.
Të dyja artistet kanë zgjedhur të kalojnë kohë cilësore me familjet e tyre, duke reflektuar një fillim të ngrohtë dhe të qetë të sezonit veror.
/Gazeta Panorama










