2 Shkurt, 2019

Alida Duka: S’më erdhi mirë kur mësova ndarjen e vëllait tim Stine nga partnerja


KLOTILDA HARKA/ Alida Duka është këngëtarja nga Shqipëria që mori famë botërore, pasi kënga e saj me titull “E vuaj” u shndërrua në hit vitin që lamë pas. Kompozimi i saj biografik, dedikuar ndarjes nga i dashuri pas 8 vitesh, duket se arriti të depërtonte shpejt në zemrat e publikut, edhe për faktin se ishte një përjetim i jetuar vërtet nga ajo.

E pas një periudhe, Alida u përball me ndarjen nga partnerja të vëllait të saj të njohur, kantautorit Nesti Duka (Stine). Për konceptin e saj për dashurinë apo martesën e dytë, lidhjen speciale me Stinen, ambicien për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong, paratë dhe trupin prej balerine, Alida flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Pas suksesit me këngën e jetës tënde, “E vuaj”, për çfarë po punon aktualisht për të pasur edhe më shumë sukses?

Ka pesë ditë që sapo doli kënga me klip “Chikita”, një këngë që m’u përshtat fiks në karakter dhe në stil sapo e dëgjova, si edhe sapo hodha zërin. Klipi dhe kënga? E ku tjetër, veç te “Stine Records”. Projektin e kam punuar me shumë pasion, sapo u prezantua te “Sony Music” sepse është fiks stili i muzikës që dëgjoj për momentin në Gjermani. Ndërkohë, kam dy ditë që jam kthyer nga Tirana, ku realizova një baladë, e cila do të dalë për 14 shkurtin, Shën Valentinin. E kisha shumë për zemër, ndaj jam shumë e lumtur që u realizua ashtu siç doja.

Jeton në Gjermani, po të prekësh famën ndërkombëtare si shqiptare çfarë duhet?

Për momentin, në Gjermani po dëgjohet jashtëzakonisht muzika shqiptarogjermane dhe ky është momenti më i duhur për shumë artistë shqiptarë.

E ke menduar ndonjëherë të përfaqësosh Shqipërinë në Festivalin Europian dhe si do të ishte performanca jote ideale?

E kam menduar shpeshherë këtë, por për çështje kohe e kam lënë pas dore. Ndoshta nuk ka qenë edhe momenti i duhur. Ndoshta do të vijë momenti, shpresa vdes e fundit!

Je nëna e një djali të rritur, si është marrëdhënia jote me të dhe keni mosmarrëveshje, duke qenë se ti dukesh vetë si 20 vjeçe?

Po, nganjëherë, por jo shpesh sepse ia dimë damarin njëri-tjetrit dhe hapim rrugë. Njëherë unë, pastaj e kundërta.

Më vëllain muzikant, Stinen, jeni shumë të afërt jo vetëm si bashkëpunëtorë në muzikë, por edhe në jetë. Si u ndjeve kur në atmosferën e Vitit të Ri ai dha lajmin se ishte ndarë nga partnerja me të cilën ka një vajzë?

Me Nestin kemi qenë që fëmijë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. E pavarësisht se jeta na ndau të zgjedhim drejtime të ndryshme për të jetuar, e kemi akoma atë lidhjen si atëherë, normal që nuk na erdhi mirë, por gjithsesi secili e di vetë se si do veprojë për jetën e tij. Tashmë, jemi mbi 30 dhe nuk përzihemi për çështje private. Mund të them se këmbejmë mendime, dhe kjo po, është shumë e rëndësishme.

Duke u nisur dhe nga eksperiencat e tua, mendon se dashuria është zgjedhje e zgjuar apo fat?

Dashuria është fat, po, në fund të fundit, është gjithmonë njësoj. Nuk përfundojmë kurrë me atë që duam, pasi të tjerë duam e me të tjerë përfundojmë.

E ke menduar ndonjëherë martesën e dytë dhe një fëmijë të dytë? Për t’u martuar?

Jo, kurrë më! Nëse mund të gjeja shpirtin binjak, do të pranoja të bashkëjetoja me të. Por të filloj nga e para me fëmijë, s’kam nerva më!

Dukesh në superformë në fotot e reja artistike që ke realizuar. Si mund t’ia dalësh të kesh një fizik kaq të kuruar?

Mendoj që ka të bëjë me faktin që jam marrë 8 vjet me kërcim hip-hop, e kam krijuar muskuj. Pastaj, jam një tip që jam gjithmonë aktive e nuk rri kurrë ulur. Gjithashtu ka të bëjë shumë që e kam edhe në gjen, shyqyr Zotit!

Përveç kërcimit dhe jetës aktive, a ke një dietë apo regjim sekret që të bën të dukesh në formë?

Sa për dietë, nuk kam bërë kurrë, pasi konsumoj gjithçka, vetëm se nuk kam kurrë kohë t’i ha të treja vaktet. Mund të shtoj që në frigoriferin tim mund të gjeni vetëm mish pate ose fileto pule, pasi vetëm këto gatuaj me perime dhe oriz. Ose makarona, pasi janë të lehta për stomakun. Plus edhe gatuhet shpejt.

Paraja që fiton nga puna dhe muzika të bën të ndihesh VIP?

Që fitoj nuk më duket shumë interesante, pasi paranë e kam pasur gjithmonë. Kurse muzika është për mua pasion, është ajo që më plotëson.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al