4 Prill, 2021

Aktori shqiptar rrëfen eksperiencën e pazakontë të xhirimeve në filmin amerikan triller dhe fatin që i ndriti në karrierë këtë vit pandemie: Si e shoh veten në rolin e psikologut, që mund të …


Nga një rol në tjetrin, aktori i njohur Klod Hoxha thotë se karakteri është ai që i ka mbetur i njëjtë. Pas disa roleve kryesore në teatër dhe kinema, ku ka provuar nga skenat e seksit e deri te krimet e rënda, artisti sapo kam përfunduar xhirimet e filmit “Destination Murder” me regjisor e skenarist Randall Paul.

Me përjetimet e një filmi triller psikologjik të zhanrit “Noir”, Klod me një këmbë në Shqipëri dhe tjetrën në Amerikë, rrëfen për “Panorama Plus” eksperiencën e fundit kinematografike, ku bëhet fjalë për një prishje biznesi dhe rolin e dëshiruar të psikologut, ku do t’u vinte në ndihmë shpirtrave të trazuar në këtë kohë pandemie.

Sapo ke ndarë disa foto nga xhirimet e një filmi të ri triller psikologjik. Ku bazohet historia ku luan ti?

Është e vërtetë. Unë sapo kam përfunduar xhirimet e filmit “Destination Murder” me regjisor dhe skenarist Randall Paul. Është një film triller psikologjik i zhanrit “Noir”. Bëhet fjalë për një prishje biznesi, kërkohet një shumë parash që një person i tretë i ka fshehur, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor në një grabitje të madhe. Rreth kësaj historie sillet ngjarja, ku hyn në lojë gruaja e viktimës, një psikolog dhe dedektivët. Për më tepër ky film duhet parë!

Nëse do të imagjinonim një trill psikologjik të realizuar në Tiranë, ç’rol do të doje të fitoje në një kast?

Do të doja të kisha rolin e një psikologu, që mund të qetësoja sadopak njerëzit nga gjithë kjo gjendje ankthi dhe pasigurie që ndodhen sot.

Me cilët aktorë ndan sheshxhirimin në këtë film të ri dhe si të zgjodhi ty regjisori?

Në këtë film kam qenë në krah të aktorëve Randall Paul, Genci Fuga, Kamber Mici, Najada Elmazi, Vivien Thano etj. Ka qenë një bashkëpunim i frytshëm dhe besoj se kjo reflektohet edhe në filmin që kemi realizuar.

Të shohim si aktor në një spektër të gjerë gjinish, nga filmat me subjekt nga koha e komunizmit e deri te ky triller psikologjik. Ku qëndron e përbashkëta dhe veçantia kur je protagonist?

Nuk besoj se kanë ndonjë gjë të përbashkët, sepse janë diametralisht të kundërt. Përveç kinemasë, të kemi parë në disa role të spikatura në teatër.

Si e ke përjetuar këtë vit pandemie?

2019-ta për mua nisi në një mënyrë të mirë me një shfaqje, e cila u cilësua si “Komedia e vitit”. “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” me regjisore Elma Dorezin, nuk zgjati shumë për arsye të pandemisë, por pritet të vazhdohet sapo të hapen teatrot, sepse kërkesat janë të shumta. Pastaj kisha një kontratë për disa projekte kinematigrafike në Kinë, por çdo gjë u pezullua për arsye të pandemisë. E pas një pauze reflektimi dalëngadalë u rikthyem në normalitet. E nisa në nëntor me një shfaqje në Venecia me regjisore Najada Elmazin dhe pastaj me dy filma të tjerë; një film aksion me titull “Target Number One”, produksion amerikan me regjisor Andi Deliana dhe e mbylla me filmin “Destination Murder”, përsëri me regjisorin amerikan Randall Paul. Ndërkohë, jam në pritje të startimit me dy projekte të tjerë filmike, që mbeten për t’u parë. Vetëm presim që kjo pandemi të largohet sa më shpejt që ne të kthehemi në normalitet.

Para pak kohësh, provove Amerikën, duke projektuar një jetë të re jashtë Shqipërisë. Është Amerika një ëndërr që mund ta bësh realitet edhe si aktor?

Për mendimin tim, Amerika është ëndrra e çdo aktori. Unë s’i kam shkëputur lidhjet, përkundrazi i kam forcuar më shumë sepse bashkëpunimet e fundit me ta i kam, sepse me thënë të drejtën pesë projektet e fundit të mia janë të lidhura me Amerikën. Kisha premierën e “Filmit Internment” me regjisor Kast Hasën, në një site mjaft të famshme siç është “Amazone Prime”, filmin tjetër “Castle Freak” me regjisor Tate Steinstiek, i cili përsëri kishte premierë në një site tjetër “Shooder”, që është vetëm për filma horror. Edhe ky është produksion amerikan, që kështu dalngadalë shkallët kanë filluar të ngjiten.

Duhet thënë që sa i përket imazhit me kalimin e viteve i je afruar pamjes prej modeli.  Ky transformim të ka ndihmuar më shumë për të fituar role, apo ka diçka tjetër që regjisorët pëlqejnë tek ty?

Përsa i përket transformimit, ka qenë si rrjedhojë e roleve që kam pasur, dhe jam munduar të ndryshoj sadopak. Pastaj kjo është edhe e bukura e profesionit tonë, që ti ta njohësh veten sa më mirë që mund të bësh transformime të tilla.

E rol pas roli, duke dalë nga një karakter e duke hyrë në një tjetër ç’ka ndryshuar dhe ç’ka mbetur e njëjtë te Klod Hoxha?

Ka mbetur karakteri, sepse ai nuk besoj se ndryshon ndonjëherë, madje mund të jetë forcuar më shumë. Por për sa i përket ndryshimit, mund të them që kam fituar njohjen e njerëzve, të cilët m’i ka bërë të mundur profesioni.

Si aktor kë do të veçoje si deklaratën poetike apo prozaike më prekëse, me të cilën një djalë i drejtohet dashurisë?

Pa diskutim që e Romeos dhe Zhuljetës është një nga veprat më të njohura të William Shakespeare dhe një nga historitë e dashurisë më të famshme të letërsisë botërore.

Të jesh artist do të thotë që e ke më të thjeshtë apo më të vështirë për të gjetur dashurinë e vërtetë?

Duke qenë se artistët janë të ndjeshëm, është më e thjeshtë që të bien në dashuri, që kështu mendoj se është më e thjeshtë.

/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka

 

© Panoramaplus.al