17 Janar, 2026

A është Gjesti gati për rikthim në muzikë? Zbulohet e vërteta që fshihet pas fotos që ndezi rrjetin!


Një imazh i shpërndarë masivisht gjatë ditës së djeshme në rrjete sociale, ku shfaqej artisti Gjesti pranë një vajze, nxiti reagime të shumta dhe spekulime për një rikthim të mundshëm të tij në muzikë. Shumë ndjekës e interpretuan foton si pjesë e xhirimeve të një videoklipi të ri, duke e lidhur me një rikthim pas periudhës së vështirë personale që artisti ka kaluar pas humbjes së vëllait.

Por verifikimet tregojnë një tjetër realitet. Fotografia në fjalë nuk është autentike. Ajo është gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale dhe nuk lidhet me asnjë projekt real të Gjestit. Rasti ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si përmbajtjet e krijuara me AI po keqinterpretohen lehtësisht dhe po krijojnë pritshmëri të rreme te publiku.

Sipas burimeve pranë Prive by Liberta Spahiu, edhe pse fotoja rezulton e pavërtetë, Gjesti nuk është larguar nga muzika. Ai po kalon kohë të gjatë në studio, duke punuar në materiale të reja dhe duke kanalizuar përjetimet personale në krijimtari. Aktualisht nuk ka asnjë klip në proces xhirimi, ndryshe nga sa u pretendua në postimet virale.

Publiku vazhdon ta ndjekë me interes të madh rrugëtimin e artistit, duke i qëndruar pranë me mbështetje dhe mesazhe solidariteti gjatë kësaj periudhe.

© Panoramaplus.al