“Odisea”, filmi i ri i Christopher Nolan, do të shfaqet në kinema më 17 korrik 2026 dhe konsiderohet një nga premierat më të shumëpritura të vitit. Adaptimi i poemës epike të Homerit ka krijuar pritshmëri të mëdha, ndërsa reagimet e para të kritikëve sugjerojnë se regjisori mund t’i ketë tejkaluar ato.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të “Oppenheimer”, Nolan rikthehet me një tjetër projekt ambicioz, që pritet të dominojë arkëtimet në kinema. Nëse mezi prisni ta shihni “Odisean”, këta 10 filma do t’ju ndihmojnë të hyni në atmosferën e mitologjisë, aventurës dhe rrëfimeve epike.
- Jason and the Argonauts (1963)
Një klasik i kinemasë fantastike me regji të Don Chaffey dhe efektet speciale revolucionare të Ray Harryhausen. Filmi ndjek Jasonin (Todd Armstrong) në kërkimin e Leshit të Artë, duke u përballur me krijesa mitologjike dhe sfida të shumta.
Edhe pse merr liri artistike nga miti origjinal grek, mbetet një nga adaptimet më të dashura të mitologjisë klasike dhe një shembull i shkëlqyer i animacionit stop-motion.
- Clash of the Titans (1981)
Versioni origjinal i “Clash of the Titans” është një tjetër kryevepër e Ray Harryhausen, ku marrin jetë figura mitologjike si Meduza, Pegasi dhe Krakeni.
Harry Hamlin interpreton Perseun, heroin që përfshihet në konfliktet mes perëndive të Olimpit. Me aventura, beteja, romancë dhe efekte speciale ikonike për kohën, filmi konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të zhanrit.
- Hercules (1997)
Filmi i animuar i Disney-t nuk është besnik ndaj mitologjisë greke, por mbetet një nga prodhimet më të suksesshme të studios.
Historia ndjek Herkulin, djalin e Zeusit, i cili përpiqet të provojë vlerën e tij për t’u rikthyer në Olimp. Me kolonë zanore të spikatur, humor dhe aventura, “Hercules” është një zgjedhje ideale për të gjithë familjen.
- Gladiator (2000)
Kryevepra e Ridley Scott me Russell Crowe në rolin e Maksimusit është një nga filmat më të vlerësuar historikë të dy dekadave të fundit.
Pas tradhtisë së perandorit Komod (Joaquin Phoenix), Maksimusi shndërrohet nga gjeneral romak në gladiator dhe nis rrugën e hakmarrjes. Filmi kombinon emocione, aksion dhe spektakël në një nga epikat më të mira moderne.
- O Brother, Where Art Thou? (2000)
Komedia muzikore e Joel dhe Ethan Coen është një adaptim modern dhe satirik i “Odisesë” së Homerit.
Ngjarja zhvillohet në Misisipi gjatë viteve 1930 dhe ndjek tre të burgosur të arratisur në kërkim të një thesari. Filmi është i mbushur me referenca ndaj poemës origjinale, nga sirenat dhe ciklopi deri te protagonisti Ulysses Everett McGill, emri romak i Odiseut.
- Sinbad: Legend of the Seven Seas (2003)
Një nga filmat më të nënvlerësuar të DreamWorks Animation, që ndërthur mitologjinë greke me legjendat arabe.
Filmi sjell aventura detare, perëndi, sirena dhe krijesa fantastike, ndërsa zërat u përkasin aktorëve të njohur si Brad Pitt, Catherine Zeta-Jones, Michelle Pfeiffer dhe Joseph Fiennes.
- Troy (2004)

Nëse dëshironi të njiheni më mirë me ngjarjet që paraprijnë “Odisean”, “Troy” është zgjedhja ideale.
Me Brad Pitt në rolin e Akilit, filmi i Wolfgang Petersen rrëfen Luftën e Trojës me beteja spektakolare dhe një prodhim madhështor. Edhe pse merr disa liri historike, mbetet një nga filmat më të njohur të zhanrit.
- 300 (2006)
Filmi i Zack Snyder, i bazuar në romanin grafik të Frank Miller, sjell një version stilizuar të Betejës së Termopileve.
Gerard Butler interpreton mbretin Leonidën, i cili udhëheq 300 luftëtarët spartanë kundër ushtrisë persiane. Me estetikën karakteristike dhe skenat spektakolare të betejës, filmi është bërë tashmë një klasik modern.
- Apocalypto (2006)
Edhe pse nuk lidhet me mitologjinë greke, “Apocalypto” trajton një temë të ngjashme me “Odisean”: udhëtimin e një njeriu për t’u rikthyer te familja.
Filmi i Mel Gibson zhvillohet në Gadishullin Jukatan në shekullin XVI dhe ndjek Jaguar Paw (Rudy Youngblood), i cili arratiset nga robëria dhe lufton me kohën për t’u kthyer te të afërmit e tij. Një histori intensive mbijetese dhe vendosmërie.
- The Green Knight (2021)
Filmi i David Lowery është një adaptim i poemës mesjetare “Sir Gawain and the Green Knight” dhe një tjetër rrëfim klasik mbi udhëtimin e heroit.
Dev Patel interpreton Gawain, i cili pranon sfidën misterioze të Kalorësit të Gjelbër dhe niset në një rrugëtim të mbushur me sprova, krijesa fantastike dhe dilema morale. Me atmosferën e tij poetike dhe fundin e hapur për interpretim, filmi konsiderohet një nga fantazitë më të veçanta të viteve të fundit.
© Panorama.al




















