U mbyll sot dita e 27-të e protestave masive kundër Ramës dhe klasës së vjetër politike. Mijëra qytetarë u mblodhën sërish para Kryeministrisë dhe marshuan rrugëve të kryeqytetit të palëkundur në kërkesat e tyre për revolucion dhe një Shqipëri të re.
Fillimisht turmat e protestuesve u grumbulluan si zakonisht në sheshin Skënderbej në ora 19:00, ku nisi më pas marshimi drejt Kryeministrisë me pankarta dhe banderola në duar, një prej të cilave sot kujtonte gjenocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Para kryeministrisë qytetarët mbajtën fjalime të shumta si çdo pasdite teksa lexuan edhe një herë deklaratën me kërkesat e tyre për dorëheqjen e Ramës dhe gjithë kabinetit të tij qeveritar si dhe krijimin e një qeverie tranzitore 12-mujore.
Më pas protestuesit vijuan marshimin rrugëve të kryeqytetit të shumtë në numër. Këtë mbrëmje ata kaluan rrugës së Elbasanit, për të vijuar te zona e Brrylit, e për t’u kthyer te Ministria e Jashtme dhe drejt për ta mbyllur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.
Nesër protesta e 28-të do të jetë kombëtare, teksa janë thirrur të bëhen pjesë shqiptarët nga çdo qytet si dhe pritet të bashkohen dhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
© Panorama.al











