Kryeministri britanik Keir Starmer urdhëroi zhvillimin e një “hetimi të plotë” mbi lidhjet mes Jeffrey Epstein dhe Peter Mandelson, ish-ambasadorit britanik në Uashington dhe ish-ministrit, duke vlerësuar se ai duhet të përjashtohet edhe nga Dhoma e Lordëve.
Starmer i ka ngarkuar sekretarit të përgjithshëm të qeverisë, Chris Wormald, “të shqyrtojë të gjitha informacionet e disponueshme lidhur me kontaktet mes Peter Mandelson dhe Jeffrey Epstein gjatë periudhës kur i pari ishte ministër, pra nga viti 2008 deri në vitin 2010”, deklaroi një zëdhënës i Downing Street.
Sipas dokumenteve të publikuara të premten e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në vitin 2009 Mandelson, i cili atëherë mbante postin e ministrit të Tregtisë në qeverinë e Gordon Brown, i kishte dërguar Epstein-it një email që përmbante një memorandum të brendshëm qeveritar. Bëhej fjalë për një përditësim mbi situatën ekonomike, të përgatitur për Gordon Brown, por të ndarë edhe me ministrin e tij.
Në një tjetër shkëmbim mesazhesh, të zbuluar nga gazeta Financial Times, Peter Mandelson shfaqet duke i sugjeruar Epstein-it që t’i kërkojë drejtuesit të bankës JPMorgan “ta kërcënojë pak” ministrin britanik të Financave, me qëllim uljen e taksës mbi bonuset e bankierëve.
Mandelson dha dorëheqjen të dielën nga anëtarësia në Partinë Laburiste, pas zbulimeve të reja mbi marrëdhëniet e tij të ngushta me amerikani pedofil, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Sipas një zëdhënësi të Downing Street, Starmer vlerëson se politikani “nuk duhet” të mbetet anëtar i Dhomës së Lordëve, por nuk ka kompetencën ligjore për t’ia hequr këtë status.
72-vjeçari Mandelson, i cili ka shërbyer gjithashtu si Komisioner i Tregtisë i BE-së nga viti 2004 deri në 2008, është anëtar i Dhomës së Lordëve që prej vitit 2008. Sipas faqes zyrtare të Parlamentit britanik, ai është pezulluar nga ky institucion që nga fundi i janarit 2025.
Këto zbulime të reja i shtohen atyre të mëparshme, të cilat lidhen me të dhëna bankare që tregojnë se Epstein kishte transferuar gjithsej 75.000 dollarë, në tre transaksione, në llogari të lidhura me Mandelson në vitet 2003 dhe 2004.
I pyetur nga BBC, Peter Mandelson, i cili në atë kohë ishte vetëm deputet, deklaroi të dielën se nuk i mban mend këto transaksione dhe se nuk e di nëse dokumentet bankare janë autentike.
Mandelson shfaqet gjithashtu në fotografi pa datë, pranë një gruaje me fytyrë të mbuluar. Ai tha të dielën se “nuk mund të përcaktojë vendin” ku është shkrepur fotografia dhe as të identifikojë gruan.
Dokumente të tjera tregojnë se në vitin 2009 Epstein i kishte transferuar 10.000 paund Reynaldo Avila da Silva-s, partnerit të Mandelsonit, në një periudhë kur ky i fundit ishte ende ministër.
Ish-ambasadori, i cili u largua nga detyra në shtator, rreth një vit pas emërimit të tij, kërkoi falje në janar për miqësinë që kishte pasur me Epstein.
© Panorama.al














