Nëna e Ylli Bufit: Tim shoq e helmuan me urdhër të Mehmetit, pse gënjen Liri Belishova

Dec 28, 2011 | 11:23

KSANTHIPI BUFI DUKE DESHMUAR PER “PANORAMA” (MAJTAS) ISH-KRYEMINISTRI MEHMET SHEHU

Ksanthipi Bufi zbardh pjesën e panjohur të dosjes “Bufi”

“Më herët kërkuan ta arrestojnë dhe provuan ta zhduknin në një aksident automobilistik”

Mehmet Shehu nuk mund t’ia falte kurrë Sokrat Bufit akuzën për puç e tradhti. Hakmarrja shpërthyese menjëherë pas ngjarjes, rezultoi fatale për njeriun që guxoi ta denonconte nga Moska.

Përkundër historisë që kemi zbardhur këto ditë nga dosja “Bufi”, familjarët zbulojnë të tjera argumente e dëshmi për  ngjarjen e bujshme të vitit ’53. Ksanthipi Bufi, bashkëshortja e Sokratit, në një rrëfim për “Panorama” duke publikuar pjesët e panjohura të çështjes “Bufi”, pohon shkaqet e konfliktit të hershëm me Mehmet Shehun, përmbajtjen e vërtetë të letrës adresuar nga Moska, përjetimet nga mbledhjet maratonë të KQ për akuzat e të shoqit e deri te rrethanat misterioze në të cilat ai ndërroi jetë. Tronditja e Mehmet Shehut pas denoncimit që Sokrati adresoi nga Moska, ishte e jashtëzakonshme, dëshmon zonja Bufi duke kujtuar përpjekjet e ish-ministrit të Brendshëm për zhdukjen e letrës dhe orvatjet për ta mbyllur këtë histori në rrugë misterioze. Madje ajo shkon edhe më tej, kur pohon se Mehemt Shehu dhe klani i tij organizuan vdekjen makabre të Sokratit. Fillimisht, kujton bashkëshortja e Bufit, provuan ta zhdukin me aksident automobilistik, por kur dështuan, zgjodhën rrugën e helmit me veprim të menjëhershëm. Ksanthipi Bufi shprehet e bindur se vdekja e të shoqit është e lidhur me urdhrin e drejtpërdrejtë të Mehemt Shehut dhe e marionetave të tij në lidershipin e partisë dhe të ekzekutivit komunist të kohës. Më shumë se te perceptimet e veta, këtë akuzë ajo e mbështet në përfundimet e eksperizës mjeko-ligjore të realizuar në vitin 1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Më poshtë rrëfimi i plotë i Ksanthipi Bufit…

Kur filluan të bëhen publike dokumentet që lidhen me “letrën e Sokrat Bufit kundër Mehmet Shehut” vazhdimisht kam qenë në dilemën nëse duhej edhe unë, si bashkëshorte e Sokratit, të flisja, të dëshmoja, për ato që dija rreth kësaj

Sokrat Bufi me te shoqen ne diten e marteses

historie. Është një ngjarje shumë e dhimbshme për mua dhe familjen time sepse lidhet me vdekjen e burrit tim dhe përpjekjet e mia për rritjen e katër fëmijëve të vegjël  të ngelur pa baba. Duke mos më interesuar përmbajtja politike e kësaj historie, për mua, si bashkëshorte e Sokratit, është e rëndësishme përmbajtja njerëzore e veprimit të tij, guximi për të thënë  hapur ato që ai mendonte për njërin prej personave më të fuqishëm të pushtetit të asaj kohe, pa pasur frikë se këtë  veprim ai do ta paguante me jetën e tij. Veprime të  tilla bëhen vetëm nga njerëz me karakter të fortë dhe trima, si Sokrati. Pikërisht këtë vlerësim njerëzor ne donim ta mbanim brenda nesh, brenda familjes sonë, pa qenë nevoja për ta bërë publike nëpërmjet mediave. Ajo që më nxiti sot që t’i rikthehem asaj ngjarjeje, është intervista e Liri Belishovës e përfshirë në specialen e botuar nga gazeta “Panorama” për historinë e letrës së Sokrat Bufit. Kisha dëgjuar për ndjesën publike që ajo zonjë ka bërë për krimet e sistemit komunist, besoj edhe të sajat, si drejtuese e rëndësishme e atij sistemi, por me sa duket, ka mbetur po ajo, si dikur, që duke mbrojtur interesat e klanit të saj, të vërtetat përpiqet t’i mbulojë me të pavërteta, pa pasur merak se vazhdon të shtojë mëkatet e saj. Ndjesa më e mirë do të ishte që ajo të heshtte, të paktën për ato ngjarje për të cilat ka qenë vetë e implikuar drejtpërsëdrejti.

Pak rreshta për jetëshkrimin

Sokrat Bufi, deputet në vitin 1951

Sokrati ka qenë pjesëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe pasi përfundoi studimet në gjimnazin e atij qyteti, u kthye në Fier, ku u bë një nga themeluesit kryesorë të celulës komuniste të rrethit të Fierit. Ai e drejtoi atë deri sa u zbulua dhe u detyrua të shkonte në radhët e çetës partizane të Mallakastrës. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Sokrati vazhdimisht kreu funksione partie, deri në zëvendëskomisar i Brigadës XVI. Në Kongresin e parë të partisë në vitin 1948, ai u zgjodh sekretar i parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Fierit dhe në vitin 1952 u caktua nga Byroja Politike të shkonte në Shkollën e lartë të Partisë në Moskë. Një vit më parë ishte dërguar për studime në këtë shkollë një grup i përbërë nga Ramiz Alia, Liri Belishova, Pirro Kondi, Jorgji Sota. Në grupin e dytë bashkë me Sokratin ishin dhe Xhavit Qesja, Ramadan Xhangolli, Jorgjie Premti dhe Dashnor Mamaqi. Në atë kohë në Bashkimin Sovjetik ndodhën ngjarje të tilla që patën ndikime të mëdha për gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare, si vdekja e Stalinit dhe arrestimi i Beries.

Letra për Mehmet Shehun
Ky është momenti kur Sokrati i drejton nga Moska një letër Komitetit Qendror të Partisë. Kjo letër nuk rezulton të jetë në Arkivin e KQ. Së paku kur është kërkuar zyrtarisht pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për të hetuar mbi shkaqet e vdekjes së Sokratit, është konstatuar se është zhdukur. Misteri i kësaj letre vazhdon edhe sot, sepse me gjithë përpjekjet tona, letra vazhdon të mos gjendet. Në Arkivat e Shtetit ndodhen të gjitha dokumentet e mbledhjeve të Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Byrosë Politike, ku analizohet qëndrimi i Sokratit, madje edhe shënimet e përcjelljes së dokumenteve, por jo letra origjinale që Sokrati adresoi nga Moska për Komitetin Qendror. Nuk është e vështirë të mendosh se cili mund të jetë autori i zhdukjes së saj, kur personi drejtpërdrejt i akuzuar ishte Mehmet Shehu, në atë kohë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë dhe ministër i Punëve të Brendshme. Tronditja e Mehmet Shehut pas letrës së Sokratit ishte shumë e madhe. Zhdukja e saj ishte e pamjaftueshme për ta qetësuar atë duke shkuar me veprimet e tij deri në zhdukjen fizike të Sokratit. Kur e panë se Sokrati nuk do të burgosej, siç kërkuan ata, Mehmet Shehu dhe Liri Belishova u “kujdesën” që ai të punonte në një vend të mbikëqyrur prej tyre, jo atje ku ishte vendosur nga Byroja Politike, por në Ministrinë e Bujqësisë ku Maqo Çomo (burri i Liri Belishovës) sapo ishte caktuar si ministër. Mbas një aksidenti automobilistik të dështuar që i ndodhi Sokratit kur punonte në Ministrinë e Bujqësisë (për koincidencë shoferi i automjetit që po udhëtonte ishte shoferi i Maqo Çomos, bashkëshortit të Belishovës (!)) pas disa ditëve, pikërisht më 20 maj 1957, ai vdiq i helmuar në rrethana misterioze, pa qenë më parë asnjë ditë dhe asnjëherë i sëmurë. Helmimin e Sokratit unë munda ta marr vesh vetëm pas hetimeve në 1982-shin, nëpërmjet ekspertizave që iu bënë pas 25 vjetëve eshtrave të tij të nxjerra nga varri. Duke lexuar fjalët e Ramiz Alisë të botuara dje në këtë gazetë, është hera e parë që helmimi i Sokratit thuhet publikisht nga një drejtues i shtetit të asaj kohe.

Hakmarrja monstruoze
Unë vetë nuk kam qenë në dijeni për përmbajtjen e letrës që Sokrati i drejtoi Komitetit Qendror kur ishte në Moskë, por kur e pyeta atë pse ia ndërprenë studimet dhe pse e thërriti Enver Hoxha dhe Byroja Politike, ai m’u përgjigj: “Ti e di se unë gjithmonë kam pasur kontradikta me Liri Belishovën. Kam thënë që Mehmet Shehu është provokator”. “Pse, e ke thënë këtë gjë?”, e pyeta unë. “Ai më provokoi, ai është si Beria”, tha Sokrati. Unë u trondita nga fjalët që më tha në mënyrë lakonike dhe mendova se situata ishte shumë më e rëndë. Mehmeti ishte ministër i Punëve të Brendshme. Pa ditur veprimin e Sokratit, mendja më shkoi menjëherë te Mehmeti. Ai nuk do t’ia falte kurrë këtë gjë. Duke ditur disa veprime të tij kriminale, sidomos gjatë luftës, unë u shqetësova për jetën e tij. Kisha një parandjenjë të keqe, që shumë shpejt, pas 2-3 vjetësh, do të ndodhte. Sokrati ishte vetëm 36 vjeç kur vdiq i helmuar, unë 28 dhe me katër fëmijë të vegjël, djali i madh 9 vjeç dhe vajza vetëm 6-muajshe. Shehu nuk ngurroi që t’u tërhiqte vërejtje.

Përplasjet me Mehmetin

Bufi me çetën e Mallakastrës

Para disa vitesh, kur lexova për herë të parë dokumentet e procesverbaleve të takimit të Sokratit me Enver Hoxhën, si dhe ato të mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror e të Byrosë Politike, më bëri përshtypje fakti që çështjet që janë folur në këto mbledhje nuk kanë qenë kaq shumë të rënda, sa të shkaktonin atë traumë të madhe që pësoi Mehmet Shehu. Me sa duket, thëniet e Sokratit në këto mbledhje ishin më shumë rezultat i presionit të anëtarëve të Byrosë Politike që ai të reflektonte e të bënte autokritikë për të treguar se kishte besim tek partia. Në fakt, më vonë, pas vdekjes së Sokratit, nga disa shokë të tij, si Jorgji Sota, Josif Pogaçe, që kishin folur me të, unë mora vesh se në atë letër Sokrati shfaqte dyshime për Mehmet Shehun qysh në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare. Kur Mehmeti shkoi për herë të parë në çetën e Mallakastrës më 1942-shin, Sokrati ishte zv/komisar i saj. Në mbledhjen e celulës ka kërkuar që Mehmeti të sqarojë periudhën kur ishte i internuar në kampin e përqendrimit në Itali dhe si ishte larguar i vetëm nga kampi; apo si ishte liruar nga arrestimi në Tiranë. Mbaj mend gjithashtu se kur Sokrati ishte sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Fier, sa herë që zhvillonte takime me Mehmet Shehun dhe Liri Belishovën, ai vinte në shtëpi shumë i mërzitur. Këto kontradikta janë shfaqur edhe në mbledhjet e organizatës së partisë në Moskë, ku Liri Belishova ishte sekretare. Sokrati ka kërkuar në mbledhjen e organizatës që analiza e gabimeve të Berias në Bashkimin Sovjetik të bëhej edhe në Shqipëri, sepse gabime të tilla janë bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Këto ai i lidhte me qëndrimet e Mehmet Shehut si ministër i Punëve të Brendshme. Unë besoj se janë këto akuzat kryesore, ndoshta edhe të tjera që unë nuk i di, që e tronditën Mehmetin aq shumë; Ai u vërsul ndaj Sokratit duke i kërkuar Enverit arrestimin e menjëhershëm, duke thënë se ai ishte i çmendur. Në mbrojtje të Mehmet Shehut u angazhua edhe vetë ambasadori sovjetik, i cili i foli Enverit për tronditjen e madhe të tij. Vetë “autokritika e thellë” e Mehmet Shehut për këtë ngjarje tregon se letra e Sokratit kishte hapur një faqe të errët të veprimtarisë së tij, që do të përfundonte, siç ndodh në këto raste, me vetëvrasjen e tij. Tronditja ishte kaq e madhe, sa Shehu nuk ngurroi që t’u tërhiqte vëmendjen autoriteteve drejtuese të Fierit për ceremoninë dhe pjesëmarrjen madhështore të banorëve të qytetit të Fierit në varrimin e Sokratit.

Çfarë fsheh Belishova
Më befasoi dhe njëkohësisht më trishtoi fakti që pas 55 vjetëve del përsëri në skenë Liri Belishova për të rrëfyer rreth letrës së Sokratit, pikërisht ajo që është e përfshirë drejtpërsëdrejti së bashku me burrin e saj Maqo Çomo në gjithë historinë e kësaj ngjarjeje, deri në eliminimin e Sokrat Bufit. Kur para 30 vjetëve ajo u thirr për të deponuar rreth kësaj ngjarjeje, pikërisht atëherë ajo nuk kujtonte asgjë; tani i kujtohen mjaft gjëra, edhe detaje, duke përdorur të njëjtat fjalë se “Sokrati ishte i çmendur”, si dikur Mehmet Shehu. Me sa duket, Belishova vuan nga sindroma e krizës nervore. Belishova e di mirë që kjo alibi përdorej shpesh në atë kohë për të mbuluar krimin. Sokrati nuk ka pasur asnjë herë krizë nervore. Ai nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë. Edhe provimet e fundit të shkollës disa ditë përpara se të kthehej për në Shqipëri ai i mbaroi shkëlqyeshëm. Ai thjesht ishte i trim, i guximshëm, i vendosur dhe shumë idealist. Si i ri në moshë, nuk i njihte intrigat e pushtetit, sidomos të një pushteti kriminal, pjesë e të cilit ka qenë edhe Liri Belishova.

Në mbyllje
Nuk mund të mos theksoj se e gjithë kjo histori i përket një sistemi të kaluar. Është shumë e vështirë që ngjarje si kjo të kuptohen nga brezi i sotëm. Ajo ishte një botë tjetër. Edhe për ne që i përkasim atij sistemi, ngjarje të tilla na duken sa të largëta, aq dhe paradoksale. Tani mund të flasim sa të duam edhe si të duam, deri dhe të mashtrojmë, por demokracia nuk na duhet vetëm për këtë; mbi të gjitha sistemi demokratik duhet të mos lejojë kriminalizimin e pushtetit.
vijon…

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura