Dosja e “Bankers Petroleum” i kaloi SPAK, GJKKO jep vendimin për masën e sigurisë ndaj CEO-s kinez të kompanisë

Jan 7, 2026 | 12:50

Gjykata e Posaçme ka zbutur masën e sigurisë “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për shtetasin kinez, Hongping Xiao, CEO i kompanisë Bankers Petroleum, i arrestuar gjatë aksionit në fillim të muajit korrik të vitit të kaluar, bashkë me ish drejtorin Leonidha Çobo dhe disa të tjerë.

gjkko

“Pranimin e kërkesës së kërkuesit (person nën hetim) Hongping Xiao. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale e caktuar ndaj personit nën hetim Hongping Xiao me vendimin nr. 62-2025-3952 (1084), dt. 02.07.2025 dhe vazhduar me vendimin nr. 62-2025-4052 (1102), dt. 05.07.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.”, njofton gjykata. 

Në fund të dhjetorit, SPAK zgjati edhe me 3 muaj afatet për hetimin e aferës së Bankers. Në Tetor, Prokuroria e Fierit ia kaloi dosjen SPAK-ut pasi gjatë hetimeve dolën në dritë elementë të rinj që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit, që përfshijnë zyrtarë të lartë, si edhe grup të strukturuar kriminal.

Nga hetimet paraprake, rezulton se kompania Bankers përgjatë 20 viteve ka deklaruar ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Hetimet nga prokuroria e Fierit nisën pas një kallëzimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila evidentoi skemën e dyshuar të mashtrimit fiskal.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesit Hongping Xiao dhe Lianyi Wang me datë 21.10.2025 kanë paraqitur pranë Gjykatës kërkesat me objekt: “1. Për marrjen e informacionit dy mujor, verifikimin e gjëndjes së procedimit dhe zëvendësimin e masës së sigurimit për shtetasin HongPing Xiao.

2. Për marrjen e informacionit dy mujor, verifikimin e gjëndjes së procedimit dhe zëvendësimin e masës së sigurimit për shtetasin Lianyi Wang.”

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 237, 246/6 dhe 260/2 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 673, datë 07.01.2026, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit (person nën hetim) Hongping Xiao.

2. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale e caktuar ndaj personit nën hetim Hongping Xiao me vendimin nr. 62-2025-3952 (1084), dt. 02.07.2025 dhe vazhduar me vendimin nr. 62-2025-4052 (1102), dt. 05.07.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

3. Urdhërohet personi nën hetim Hongping Xiao që të mos largohet nga banesa ku ai banon e cila ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****.

4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Hongping Xiao nga ambjentet e paraburgimit nëse ai nuk mbahet i arrestuar me ndonjë masë tjetër sigurimi “Arrest në burg” si i dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale apo me ndonjë vendim dënimi me burgim.

5. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (personit nën hetim) Lianyi Wang.

6. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brënda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.

© Panorama.al

Te lidhura