Sot shënohet dita e 41-të e protestës qytetare, ku mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës së vjetër politike.
Çdo ditë mijëra qytetarë mblidhen në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës dëgjohen thirrje si “Shqipëri e re”, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, si dhe kërkesa që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu ndryshim të klasës politike shqiptare. Mes thirrjeve të dëgjuara gjatë marshimit kanë qenë edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur pakënaqësi ndaj figurave kryesore të politikës.
Protesta cilësohet si më e madhe, më jetëgjatë dhe më e qëndrueshme që është zhvilluar në Shqipëri që pas rënies së regjimit komunist.
Protesta nisi fillimisht si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti në zonën e Zvernecit, por me kalimin e ditëve është zgjeruar, duke përfshirë edhe kërkesa më të gjera politike dhe sociale. Pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë, të cilën e akuzojnë për korrupsion.
© Panorama.al












