Gjermania pritet të dërgojë një forcë ushtarake në Groenlandë brenda kësaj jave, raporton e përditshmja gjermane Bild, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin nën kontroll këtë ishull me rëndësi strategjike, i cili është territor autonom i Danimarkës.
Sipas raportimit, që citon burime qeveritare dhe parlamentare në Berlin, ushtarët e parë gjermanë mund të mbërrijnë në Groenlandë që të enjten.
Lëvizja e Berlinit vjen pas njoftimeve të mëhershme nga Suedia dhe Norvegjia, të cilat deklaruan se do të dërgojnë gjithashtu personel ushtarak në Groenlandë, pas një kërkese zyrtare nga Danimarka.
Nga ana e saj, Kopenhaga ka bërë të ditur se po dislokon forca ushtarake në kuadër të stërvitjeve ushtarake në Groenlandë, në mes të rritjes së tensioneve ndërkombëtare dhe interesit të shtuar për sigurinë në Arktik
© Panorama.al












