Zvicra fiton falë shqiptarëve, Franca fundos Hondurasin

Jun 16, 2014 | 11:55
SHPËRNDAJE

Mehmedi historik, goli i parë shqiptar në Botëror.

Franca fiton lehtësisht ndaj Hondurasit, ndërsa Zvicra arrin të përmbysë Ekuadorin.
“Gjelat” e Didier Deshamp i falen Karim Benzemasë në përballjen e parë të këtij Botërori kundër modestëve të Hondurasit. Sulmuesi i Realit të Madridit shënoi me penallti në fundin e pjesës së parë, teksa detyroi në një autogol portierin e latino-amerikanëve, në fillim të pjesës së dytë. Në këtë rast në fushë hyri teknologjia, e cila vlerësoi me shumë të drejtë golin për francezët. Pavarësisht se hondurenët pretendonin se topi nuk e kaloi vijën fatale, duhet thënë se falë teknologjisë së aprovuar për herë të parë në këtë Botëror goli u vlerësua me të drejtë si i rregullt. Më pas, Benzema shënoi edhe në minutën e 73-të. Ndërkohë, edhe Zvicra e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e saj në Botërorin 2014 në Brazil. Skuadra e Otmar Hitzfieldit, në të cilën luajnë pesë shqiptarë, arriti të mposhtë Ekuadorin, në një ndeshje mjaft emocionuese, me rezultat 2:1. Valon Behrami ka shpëtuar gol të sigurt në zonën e rrezikut të Zvicrës, për të marrë topin e për t’u nisur në kundërsulm. Ai ka pasuar te Rikardo Rodriguez, që e gjeti të lirë Seferoviçin, në golin e fitores për kombëtaren zvicerane në minutat shtesë të takimit. Sakaq, duhet thënë se shqiptarët kanë qenë protagonistët kryesorë të kësaj fitoreje tejet të rëndësishme të helvetikëve, që tashmë kanë gjithçka në duart e tyre për të siguruar kualifikimin në fazën e dytë. Në fakt, Admir Mehmedi është shqiptari i parë, që në historinë e kombit tonë ka shënuar gol në kampionatin botëror. Përfaqësuesi i Zvicrës realizoi dje në minutën e 48-të. Sulmuesi e nisi takimin nga stoli, por u hodh në fushë nga fillimi i pjesës së dytë. Dhe vetëm dy minuta më pas arriti të shënojë me kokë (shih foton). Pas këtij goli u zhvillua një lojë e hapur dhe të dyja skuadrat synonin të gjenin golin e fitores, por në fund ishte pikërisht skuadra helvete që iu gëzua fitores dhe marrjes së tri pikëve.

Zvicër-Ekuador 2-1
Shënues: Mehmedi 48’, Seferoviç 90+2’/ E.Valencia 22’
Kartonë të verdhë: Dxhoru/ Paredes
Zvicra: Benalio, Rodriguez, Dxhoru, Lihtshteiner, Von Bergen, Shaqiri, Stoker (Mehmedi 46’), Behrami, Inler, Xhaka, Dërmiç (Seferoviç 70’). Trajner: Otmar Hitcfeld
Ekuadori: Dominguez, Paredes, Ajovi, Guagua, Erazo, Noboa, Montero (Rojas 77’), A.Valencia, Gruezo, E.Valencia, Kaisedo (Arrojo 70’). Trajner: Reinaldo Rueda

Francë-Honduras 3-0
Shënues: Benzema 45’ (p), 72’, Valarades 48’ (autg)
Kartonë të verdhë: Evra, Pogba, Kabaj/ Palasio, Garsia
Karton i kuq: Palasio 43’
Franca: Loris, Debushi, Evra, Varane, Sako, Kabaj (Mavuba 65’), Valbuena (Zhiru 78’), Benzema, Griezman, Matuidi, Pogba (Sisoko 57’). Trajner: Didie Deshamp
Honduras: Valadares, Figueroa, Bernardez (Çaves 46’), Izaguirre, Palasios, Bengtson (Garsia 46’), Kostli, Espinoza, Najar (Klaros 58’), Garrido, Bekeles. Trajner: Luis Suarez

“Sep Blater, “ortak” i mafies ruse”
Vijnë akuzat e radhës ndaj presidentit të FIFA-s Sep Blater. Këtë herë është e përditshmja gjermane “Bild”, e cila ka publikuar dje një foto të kreut të qeverisë së futbollit botëror në një takim me një personazh të mafies ruse. Mediat gjermane i referohet shërbimit sekret, sipas të cilit personi në foto, i njohur me emrin Alisman Toshtashunov, vazhdon të jetë në kërkim nga Interpoli për vepra të ndryshme penale. “Bild” bën me dije se Toshtashunov është akuzuar për mashtrim, korrupsion dhe baste të paligjshme. Fotoja e marrë në 2005-n gjatë një takimi të “China Club”, në Moskë, ku u bisedua mbi dhënien e mundësisë që Rusia të organizonte Kampionatin Botëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura