Teleferiku

Jan 13, 2012 | 10:58
SHPËRNDAJE

MITRO ÇELA

Duke parë reklamën gjysmëlakuriq karshi shkollës “Edith Durham”, goma e parë e makinës përfundoi në gropë. Dikush kishte vjedhur rrotën prej gize! Mallkova të parin kryetarin e Bashkisë. Nuk qenka aq i zoti sa të bëjë zap hajdutët e pusetave? Kur më nxorën nga puseta disa djem të rinj, pashë se kisha shtrembëruar diskun. Rrugës për te gomisti kalova para Bashkisë. Në vend që të mallkoja, nisa të flas me vete: Lënë gjurmë kryetarët që qeverisin Tiranën? Domethënë, kur bien nga fiku, mund të thonë njerëzia që këtë vepër e ka bërë filani kur ishte kryetar bashkie, siç thonë për Sahatin a Xhaminë? Kur rregullova rrotën e makinës, nisa të vështroj andej-këndej në kërkim të veprave që do t’i “qepeshin” historisë.
Lulishtja karshi hotel “Dajtit”. Dje e mbushur me kioska, sot gjelbëron nga bari e pemët. Dje mes kioskave pihej xhin, kafe… larg qoftë drogë dhe “hahej” mish i bardhë! Sot “kullosin” sytë, gjithë lezet, me bar pensionistët. Meritë e Ed Ramës? Sigurisht. Por jo se u hap një park i ri. E shumta, njerëzia do të kujtojnë: “Këtë lulishte, në vitin 2001, Ramë kryetari e ktheu në identitet”.
Kujtova kryetarët demokratë që qeverisën Tiranën. Sali Kelmendi i pari. Pas tij Albert Brojka. Lanë ndonjë “vepër mbi piedestal”? Asgjë. Kur trutë punojnë në boshllëk, zënë e mbushen me kujtime rreth temës që të sëkëlldis… Dhe bëra 30 vjet prapakthehu në vite…
Viti 1981. Ishte një ditë e bukur pranvere. (Mbase ia fut edhe kot: Nuk mund të ketë edhe diktaturë, edhe ditë me diell!)… Unë punoja në gazetën “Zëri i popullit”. Më thotë shefi:
– Merr fotoreporterin Niko Xhufka dhe hidhu na bëni ca foto nga mali i Dajtit….
Kur mbërritëm në lëndinën përpara Kampit të Pionierëve, para nesh qëndroi një makinë. Njëri pas tjetrit zbritën disa topografë me vegla në duar. Njërin e njihja. Më tregoi:
– Shoku Enver na paskësh thirrur në zyrë Jashar Menzelxhiun, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. I thotë: O Jashar! Një ditë do të vdesësh. Do thonë njerëzia: Çfarë la nga pas ki kryetar Jashari mo?… Mos më ul sytë përtokë, mo. Mendon edhe për ty Partia jonë sokoleshë!… Unë them të bëjmë një teleferik nga Tirana në malin e Dajtit. E bëmë teleferikun? E bëmë. Unë them që punëtoria të hipin pa lekë, badihava.
Nga zyra e Enverit, Jashari u degdis në Makinaimport, vazhdoi tregimin topografi. Mori ca oferta nga Austria. Teleferiku kushtonte nja 7-8 milionë dollarë. Pa bërë kontratë, Jashar Mezenxhiu nisi grupin për të bërë projektin në malin e Dajtit…
Zbrita në Tiranë. Nisa të ndjek gjurmët e kryetarit të Komitetit. Tregimi i topografit ishte i saktë. Më kapën “ethet” e shkrimit. Thashë të takoj Jasharin. Nuk më bënë këmbët: Me siguri nuk do të pranonte të bëja zhurmë në gazetë! Vendosa të shkruaj me iniciativë. Artikulli u botua.
Në orën shtatë të sabahut ra telefoni i parë. Ishte Kryeministri, Adil Çarçani: “Shoku kryeredaktor! Mos keni luajtur nga mendtë ti që e boton dhe Mitrua që shkruan për teleferikun? Ne e kemi arkën e shtetit trokë, ju kërkoni qiqra në hell”.
Telefonat nuk pushuan atë mëngjes. Pas Adil Çarçanit mori Vangjush Çërava, sekretar i Komiteti Qendror të Partisë. Na ftoi në zyrë. Ndërsa makina ecte nëpër bulevard, më thotë kryeredaktori: “Këtë mesele për teleferikun ma ka treguar edhe mua Jashari. Kështu e dimë unë, ti, Jashari dhe shoku Enver. Të tjerët që nuk dinë asgjë bëjnë gam-gam! Kur të marrin vesh se është porosia e shokut Enver, do të futin bishtin në shalë?”.
Ngjitëm dy-tri palë shkallë. Kaluam në dy korridore dhe përfunduam në zyrën e shokut Vangjel Çërava.
– Keni lënë kokrrën e namit, – tha ai… – I paudhi ua futi në vesh këtë proçkë?
– Me kujdes kur flisni, shoku Vangjush, – tha kryeredaktori. – Porosinë për të ndërtuar teleferikun e ka dhëne vetë shoku Enver Hoxha…
U këmbyen rolet. Vangjushi u ngrit në këmbë. Fytyra e burrit mori ngjyrën e verdhë… Të njëjtin fat patën edhe projektet për ndërtimin e teleferikut Tiranë-Dajt. Vetëm pas 25 vjetëve u ndërtua me paratë e biznesmenëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura