“PERANDORET” , NJE LIBER NDRYSHE

Jun 2, 2014 | 15:21
SHPËRNDAJE

Promovohet në ambientet e Ministrisë së Kulturës libri më i fundit i gazetares së “Panoramës”, Majlinda Rama, romani “Perandorët”. Me pjesëmarrjen e emrave të njohur të kritikës, studimeve letrare, politikës e përfaqësues mediash, të pranishmit bënë një vështrim empirik mbi librin e katërt të autores, libër i cili vjen si një dëshmi e kohës që jetojmë. Të pranishmit e vlerësuan romanin si të parin e këtij lloji për sa i përket temës  të cilën autorja e ka trajtuar me delikatesë nëpërmjet asaj që quhet letërsi e angazhimit, ku lexuesi bëhet pjesë e ngjarjes, mendon dhe në fund i duhet të reflektojë mbi çështje me interesa të gjera.
Studiuesja e letërsisë Klara Kodra u shpreh se ky është një roman që ka thyer traditën romanore, duke na sjellë një risi në fushën e letrave.
“Majlinda i ka dhënë romanit titullin unik ‘Perandorët’. Këta janë perandorët e kohës sonë. Një gjë vihet re, që Majlinda ka pasur guximin krijues t’i drejtohet problematikës aktuale, një realiteti në zhvillim me linjën e gjithanshme shoqërore, politike dhe morale. Romani i saj nuk privilegjon kohën në dëm të mesazhit, ajo ka shkruar duke qenë e bindur për atë që thotë. Duhet thënë se romani ka shenja rrëqethëse që të kujtojnë një film horror dhe është një prurje e llojit social-psikologjik. Ky roman qëndron pranë romaneve të këtij lloji të Fatos Kongolit apo Virion Gracit”, tha midis të tjerash në fjalën e saj Kodra.
Ndërsa akademiku Jorgo Bulo është shprehur se ky është libër i guximit.
 “Ky libër i guximshëm është një moment që ne të shohin ku është letërsia në marrëdhënie më bashkëkohësinë. Majlinda përballet dinjitetshëm me situata të ndryshme deri te krimi dhe sjellja që ajo ka bërë në letërsi duhet përshëndetur”, ka vijuar Bulo.

Gjatë promovimit të librit të Majlinda Ramës
 Studiuesi Behar Gjoka, që ishte edhe moderator i aktivitetit, shprehu vlerësimin për autoren, jo vetëm si krijuese, por edhe si organizatore e shumë aktiviteteve .
 “Majlinda është shembulli që një femër duhet të ndjekë, jo vetëm se na ka sjellë një roman me vlera të gjithanshme, apo edhe më herët libra të një stili të veçantë, por edhe sepse ajo di të jetë e fortë përballë fenomeneve të shoqërisë. Kujtojmë këtu panairin e librit në Fier, të cilin e menaxhoi mirë dhe i solli një sukses të jashtëzakonshëm. Pra, më shumë se për librin, për të cilin e kam thënë fjalën time edhe më herët, që është një libër që duhet lexuar që të kuptosh çfarë jetohet sot nga ajo që nuk shihet, dua ta përgëzoj për guximin dhe përgjegjshmërinë që ka si qytetare, si intelektuale”, ka vijuar Gjoka.
Pjesë e këtij diskutimi letrar ishte studiuesi Nasho Jorgaqi, deputetë, profesorë e akademikë, të cilët e vlerësuan këtë roman si unik në subjekt, mënyrën e sjelljes, zgjidhjen e veprimeve, dialogët etj.
“Perandorët” është romani i parë i autores Majlinda Rama, që pason librat me poezi dhe prozë. Ky roman të ofron një realitet të frikshëm, një pamje makabre të krimit dhe të pasojave të tij në përditshmërinë tonë. Ngjizja e tekstit vjen si rrëfim dhe dialog, strukturë dhe shprehësi, ku përplaset humania me çnjerëzoren, duke endur një libër me problematika shoqërore, të cilat zbulohen përmes toneve realiste dhe postmoderne, si dhe figurimit të karaktereve realiste, të cilat të grishin për ta lexuar romanin, si një grimcë tronditëse jetësore, që rroket dhe shqiptohet me anë të artit të fjalës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura