21 Prill, 2018

Prifti shpenzon 500 mijë euro të Kishës në kazino e baste


Një 48-vjeçar i fiksuar pas bixhozit dhe lojërave të tjera të fatit, ka harxhuar brenda pak muajve mbi gjysmë milioni euro.

Deri këtu asgjë e habitshme, pasi njerëz të tillë gjen plot nëpër botë. Por rasti në fjalë është i një prifti të Famullisë së Spineas, pranë Venecias.

Mediat italiane shkruajnë se Don Flavio Gobbo u hetua nga prokuroria e këtij qyteti dhe në përfundim të hetimeve doli se i kishte shkaktuar një dëm prej më shumë se 500 mijë eurosh famullisë që drejtonte.

Ndërkohë vetë Dioqeza e Trevizos, nga ku varet kjo famulli e ka pranuar këtë dhe thotë se prifti “mëkatar” po kurohet.

“Ka qenë gjithmonë në kontakt me ne dhe ka mbështetjen tonë, duke i ofruar ndihmën e nevojshme”, thuhet në deklaratën e kësaj dioqeze.

Kjo e fundit thotë se veç trajtimit kundër veseve, prifti Don Flavio Gobbo është zotuar që të kthejë mbrapsht të gjitha paratë dhe ka nisur ta bëjë këtë me këste.

Paratë ishin të gjitha të ardhura nga besimtarët si donacione në ndihmë të kishës dhe të varfërve.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al