KLOTILDA HARKA/ E konsideron veten “njeri nate”, por duke drejtuar një program mëngjesi, kuptoi se ia vlen më shumë të jetë një person i orëve të para. Por pas tri vitesh nga jeta e tij duke moderuar “Mirëmëngjes Shqipëri”, Arbër Çepani ka njoftuar ndjekësit se po largohet nga emisioni. Ish-fituesi i “Big Brother” njoftoi marrjen e këtij vendimi që nuk pritej, ndërkohë që në këtë intervistë zbulon arsyen pse po e mbyll me kaq këtë eksperiencë. Për jetën mes biznesit dhe televizionit, dashurinë dhe planin për t’iu rikthyer një formati mbrëmjeje dhe të tjera sekrete nga jeta e tij, i rrëfen të gjitha për “Panorama Plus”.

Vendos të largohesh nga emisioni i mëngjesit “Mirëmëngjes Shqipëri”, lajm që e ke dhënë vetë me një status në rrjetet sociale. Mos ndoshta nga “Mirëmëngjes” ka ardhur koha t’i thuash publikut “Natën e mirë” me një program nate?
Kam qenë gjithmonë njeri i natës, derisa nisa të drejtoj emisionin e mëngjesit dhe kuptova që është shumë më mirë të jesh njeri i mëngjesit. Tashmë pas 3 vitesh me ose pa emision, zgjimi në 06:00 të mëngjesit më është kthyer në zakon dhe më pëlqen sepse je shumë më efektiv në rezultate. Sa për një emision që uron natën e mirë, mund edhe të jetë, por e sigurt është që nuk do jetë i përditshëm, sepse më kushton shumë koha për dedikim të përditshëm në televizion.
Mund ta konsiderojmë këtë një heqje dore në mënyrë graduale nga ekrani?
Nuk e shoh si një heqje dorë nga televizioni, më shumë sesa heqje dore thjesht nga përditshmëria. Duhet të bashkoj pasionin për televizionin me pasionin për sipërmarrjen. Një format që i lidh të dyja është jo vetëm ndryshe nga çfarë ofron momentalisht tregu televiziv, por edhe shumë i nevojshëm.
Paralelisht merresh dhe me sipërmarrjen tënde. Çfarë u bë me gjobën 40 milionë lekë nga Tatimet?
Nuk ka gjobë që të ndalojë vrullin, energjinë dhe dëshirën që kemi për të materializuar ëndrrat tona.
Në merkaton televizive mund të themi se je ndër më të paguarit dhe cila është partnerja e duhur për ty?
Pagesa është gjithmonë relative. Një ditë punë, që unë nuk i dedikohem cilësisë së bizneseve që unë ndjek, nuk mund të kompensohet financiariasht asnjëherë edhe nga rrogat e luksit në televizion. Sa për partneren e duhur, më të duhur se Blerinën që në 3 edicione nuk kujtoj të kemi pasur asnjëherë një zënkë të vetme, vështirë se do mund të gjej.

I hyre televizionit pas eksperiencës si lojtar e fitues i “Big Brother”. Është ekrani magneti që s’të lë t’i largohesh?
Ekrani është një privilegj i jashtëzakonshëm, që të jep mundësinë të jesh në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Lum kush e kupton dhe e përdor për qëllime fisnike.
Ty për çfarë të ka ndihmuar në jetë fama televizive?
Për të qënë më afër njerëzve.
Po ambiciet politike, a janë pjesë e karrierës tënde? Ke ndonjë synim të tillë?
Çdo qytetar duhet të aktivizohet politikisht, por e keqja jonë është që jemi thjesht militantë partie. As nuk dua ta mendoj veten sot pjesë të ndonjë partie politike të momentit, majtas apo djathtas, si vasal i sulltanit të radhës, që të detyron vetëm të ulësh dhe të ngresh kartonët.
Ka ardhur koha të shkruash librin tjetër dhe cili mund të jetë subjekti?
Ndoshta shumë më shpejt sesa mund ta mendonit. Në Shqipëri kemi nevojë të besojmë se përtej modeleve negative që kanë pushtuar skenën, ka edhe modele pozitive që punojnë dhe frymëzojnë. Do jetë një libër dedikuar pikërisht atyre.
Shpesh je komentuar edhe për jetën private. A je në një lidhje dashurie, që ndoshta po e mban sekret?
Ritmi i jetës që kam, e bën shumë të vështirë për dikë, që jo vetëm të më mirëkuptojë, por edhe të jetë turbina e dytë e ndezur në maksimumin e energjisë për të qenë vlera e shtuar në rrugëtimin që do bëjmë bashkë. Sa për dashurinë, jam i dashuruar që nga lindja me gjërat e bukura dhe të thjeshta të jetës. Kjo shpesh më mjafton.
Sa u përket shijeve për vajzat, si duhet të jetë ajo?
E butë në sjellje. Ambicioze. Dhe shumë kërkuese ndaj vetes!
KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al
