8 Qershor, 2019

20 vite bashkë, Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka nënshkruajnë një tjetër kontratë televizive


Pak ditë më parë, Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka mbyllën me sukses edicionin e dytë të programit për fëmijë “Në kurthin e Piter Pan”. Por dyshja e njohur e televizionit, që ka drejtuar disa nga spektaklet më të njohura në vend, që ka arritur t’i shndërrojë në programet më të ndjekura televizive, nuk di të ndalet.

Vera dhe Alketa, të cilat njihen si gratë më të forta të televizionit, kanë nënshkruar një tjetër kontratë të rëndësishme televizive, me të cilën do të përmbyllin këtë vit 2019. Bëhet fjalë për Festivalin e 58-të të Këngës në RadioTelevizionin Publik Shqiptar, realizimin e të cilit këtë vit do e marrin përsipër Vera si regjisore dhe Alketa si moderatore.

Sipas burimeve të “Panorama Plus”, dy emrat e njohura kanë nënshkruar kontratën me drejtuesit e RTSH-së, dhe shumë shpejt do të nisin punën për organizimin e tri netëve finale në “Pallatin e Kongreseve” që, sipas traditës, mbahet në dhjetor. Nuk dihet, nëse Vera, me njohjet dhe nuhatjen që ka, do u propozojë dhe vetë këngëtarëve të mirë për të marrë pjesë në festival, me idenë për të zgjedhur emrin e duhur që do të na përfaqësojë në 2020-n në Eurosong.

Për Verën, ky është rikthimi në institucionin e karrierës së rinisë dhe vite më vonë, pasi kujtojmë që në RTSH ajo realizoi dhe spektaklet më të njohura pas viteve ’90, që sollën frymën e ndryshimit të madh në ekranin shqiptar. E tani, pas 20 vitesh që njihen dhe punojnë bashkë, duket se lidhja e Verës me Alketën është më e fortë se kurrë më parë.

Kujtojmë që pak ditë më parë Alketa i dedikoi Verës disa nga fjalët më të bukura për të vlerësuar të gjithë punën dhe miqësinë e saj gjatë këtyre dy dekadave. Moderatorja e njohur publikoi në “Instagram” një foto, në të cilën shihej e buzëqeshur përkrah Grabockës. Bashkëngjitur fotos Alketa shkruante disa nga vargjet e këngës së njohur të Tina Turner, “Simply the best”. Ndërkohë, ato kanë filluar punën për rikthimin në ekran në muajin shtator me sezonin e ri të “Dance with me”, ku çiftet e kombinuar VIP do të sfidojnë njëri-tjetrin në disiplina të ndryshme kërcimi.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al