Letra me autokritikën e Thoma Delianës drejtuar Enverit në vitin 1976

Mar 16, 2015 | 14:34
SHPËRNDAJE

Deliana: Problemet kam dashur t’i zgjidh me të mirë e pa zhurmë, me një butësi të krishterë dhe harmoni false

Tatëpjeta e ish-ministrit emblematik të Arsimit, Thoma Deliana ka nisur në mesin e viteve 70, kur kishte mbushur 15 vite në këtë detyrë dhe ishte dekoruar me titujt më të lartë të kohës disa herë.
 

Ai kishte shpëtuar pa u lagur nga furtuna e Plenumit IV të KQ të Partisë, ku u kryqëzuan miqtë e tij Thoma Deliana e Fadil Paçrami, por nuk i ndodhi kështu në plenumet pasardhëse që penalizuan një pjesë të mirë të ministrave të qeverisë komuniste, duke filluar me Abdyl Kllëzin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhë zëvendësit e bashkëpunë- torët e tyre të afërt.

I përmendur në njërin prej tyre shkarazi nga Enver Hoxha, Deliana u vu në syrin e ciklonit për t’u bërë në vijim objekt i një fushate të egër goditjesh. Si gjithnjë në të tilla raste, sulmi nisi në mbledhjen e organizatës së Partisë të Ministrisë së Arsimit, drejtimin e të cilës “Një-shi” ia kishte besuar një prej eksponentëve të lartë të Partisë. Manush Myftiu, asokohe sekretar i Parë i Partisë për Tiranën, sipas porosisë së shefit, pa pritur gjykimin e të tjerëve për Delianën, renditi një mori akuzash që kishte adresuar më së fundi udhëheqja e Partisë ndaj tij.

Në mbledhjen maratonë treditore (29-31 mars 1976), i deleguari i Byrosë Politike, duke ftuar të tjerët të qëndronin ashpër ndaj kreut të dikasterit që “kishte shkelur vijën e Partisë dhe kishte manifestuar shfaqe liberale e oportuniste”, nuk reshti për të vënë në vëmendjen e tyre rastet që komprometonin jo vetëm personalitetin e ministrit, por edhe figurën e tij morale.

Në morinë e fakteve të tilla, Myftiu veçoi aktetet e imoralitetit të dy zëvendësministrave të arsimit, trafikun e influencës dhe klientelizmin si praktikë dominuese në rekrutimin e punonjësve të ministrisë. I gjendur përballë këtij rrebeshi, ministri u përpoq të mbrohej me argumente të ndryshme me karakter justifikues, por kur pa këmbënguljen e të deleguarit, filloi të reflektojë për të shpëtuar çfarë mund të shpëtonte.

Në produktin final, mbledhja e bujshme ia delegoi çështjen për shqyrtim organeve drejtuese të Partisë për të vlerësuar anëtarësinë e Delianës jo vetëm në radhët e KQ, ku militonte prej një dekade, por edhe anëtarësinë në Parti. I terrorizuar nga ajo që pritej të ndodhte pas kësaj, kjo falë edhe përvojës disavjeçare në udhëheqje të Partisë dhe në strukturat e larta të shtetit, Thoma Deliana nxitoi t’i drejtohej Enver Hoxhës me një autokritikë të gjatë, nëpërmjet të cilës duke i kërkuar një mundësi të dytë për t’ia shpërblyer Partisë, i përbetohet se to të mbetet deri në frymën e fundit një ushtar besnik i saj.

Gazeta “Panorama” zbardh tekstin e letrës që ish-kreu i Arsimit i drejton kreut të regjimit, së bashku me përgjigjen shpërfillëse të këtij të fundit…

DOKUMENTI

Shoku Enver,

Më vjen rëndë të dal para Jush me ngjarjet që ndodhën kohët e fundit në Ministrinë tonë, pas konkluzioneve që nxori Partia nga plenumet e fundit të KQ për punën armiqësore dhe pas kritikave shumë të drejta që më keni bërë Ju për punën tonë.

Brenda një viti dy ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur në Ministrinë tonë: Rasti i Hasan Dumes dhe tash së fundi rasti i shëmtuar i Mantho Balës, të cilat kanë dëmtuar rëndë vijën e Partisë dhe kanë tronditur opinionin shoqëror. Kjo gjendje u analizua në Sekretariatin e KQ, më datën 29.3.1976 dhe në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve për tri ditë me radhë. Konkluzionet e Sekretariatit, vërejtjet që më bënë shokët si dhe kritikat në organizatën e Partisë, më kanë ndihmuar shumë të reflektoj më thellë për dobësitë e punës time.

Nga analiza që i kam bërë këto ditë punës time, rezulton se s’kam qenë në krye të situatës, por në bisht të saj, jam treguar liberal e kam toleruar të më hipin në qafë njerëz mendjemëdhenj, karrierist e të degjeneruar si Hasan Duma e Mantho Bala, kam mbajtur qëndrime oportuniste ndaj tyre dhe s’kam nxjerrë mësime nga kritikat e Partisë, sidomos pas plenumeve të IV dhe të VII të KQ.

Ne nuk kemi analizuar thellë të metat e kritikat që na bënte plenumi i IV, por duke u nisur nga kundërvënia që kemi pasur si ministri me Fadil Paçramin, e kemi hequr veten si të persekutuar nga ky dhe s’kemi bërë një qilizmë të thellë në përgjegjësitë që kishim si Ministri. Po të ishim ndalur si duhet në këtë drejtim, do t’i kishim goditur me forcë këto shfaqje të huaja liberale që dalin sot. Një rol negativ në këtë drejtim ka luajtur Mantho Bala.

Sukseset në revulicionarizimin e shkollës na mbyllën sytë para disa shfaqjeve relativisht të vogla, por që më vonë u frynë dhe plasën. Mantho Bala dilte si luftëtar i madh pas Plenumit të IV, kurse Hasan Duma, korifeu i arsimit, që të dy mendjemëdhenj, arrogantë, prepotentë e të degjeneruar moralisht. Këta ishin dy gjela që herë ziheshin për sfera influence dhe herë pajtoheshin kur u puqeshin interesat. Këto diheshin, njiheshin, por ne s’jemi ndalur t’i analizonim e të nxirrnim konkluzione, e veçanërisht unë jam pajtuar gjithnjë e më shumë me këtë situatë dhe kam mbajtur një qëndrim liberal. Unë kam dashur të ruaj një qetësi e harmoni të rreme në udhëheqjen e Ministrisë, kam dashur që çështjet të zgjidhen urtë e butë brenda për brenda Ministrisë. Po kjo situatë s’mund të vazhdonte gjatë, e një ditë lakrat dolën sheshit. Hasan Duma vitin e kaluar bëri gabime të rënda dhe ne nuk e dënuam rëndë, i zbutëm gjërat dhe çështja u mbyll brenda organizatës ku bënte pjesë Hasani, ku ai bënte ligjin. Duke mos e bërë operacionin deri në fund, Hasani përsëriti gabimet duke iu kundërvënë kontrollit punëtor në rastin e luftës kundër burokratizmit në aparatet shtetërore. Ky nuk u vlerësua si një gabim i rëndë politik nga ana ime, prandaj mbajta një qëndrim liberal ndaj Hasan Dumës.

Po kështu, Mantho Bala si njeri hileqar, i pasinqertë dhe shumë i djallëzuar shfrytëzoi dobësitë e të metat e punës time, deri sa u zbulua nga Partia dhe u dënua. Ndaj tij, unë përsëri mbajta një qëndrim oportunist, duke mos e dënuar me tërë forcën veprimtarinë e tij moralo-politike, të cilën do ta shpjegoj më poshtë.

Në marrëdhënie me Hasanin ka influencuar edhe familjariteti që kam patur me të si specialist i mirë i arsimit dhe kam pasur një ndjenjë inferioriteti ndaj tij në këtë fushë. Po kështu ka ndodhur edhe me Manthon. Kur Partia na i zbuloi lakuriq fytyrën e tij, mua më vrau ndërgjegjja se si ndodhi kjo përsëri te ne, me ç’sy e faqe do t’i dal KQ e qeverisë dmth e pashë më shumë në prizmin sentimental mikroborgjez se sa në prizmin politik, se po t’i qëronim këto qelbësira puna jonë do të shkonte përpara. Dua të siguroj KQ se asnjë gjë komprometuese moralo-politike s’ka nga ana ime me Mantho Balën. Kam mbajtur qëndrim të butë ndaj Mantho Balës, se në gabimet e rënda moralo-politike që i viheshin në dukje, veçanërisht për Asije Hoxhën e Miho Gjinin, unë shikoja edhe përgjegjësinë time pse i lejova këto e kjo më rëndonte ndërgjegjen e më bënte të mos isha i vendosur si shokët e tjerë. Ai ishte mjaft finok, i pasinqertë, njeri me dy fytyra dhe ta linte dobiçin në derë.

Unë s’jam kapur si duhet nga lufta e klasave për zgjidhjen e problemeve nga ballafaqimi i të kundërtave, nga çuarja deri në fund e kësaj lufte, por kam dashur t’i zgjidh me të mirë e me të butë, me një butësi të krishterë, me një harmoni false në dukje, gjë që s’shkon gjatë dhe plasë. Pra, ky është një koncept revizionist në kokën time. Ka edhe politikë personale me kuadrin si rasti i ardhjes nga Lushnja i Asije Hoxhës me ndërhyrjen e Adem Sollakut, e cila edhe pasi u hoq për arsye të burgosjes së të shoqit, me ndërhyrjen e Manthos është mbajtur në shtëpinë qendrore të krijimtarisë, në kundërshtim me vendimin për ta çuar në Mirditë.

Po ashtu është edhe rasti i Miho Gjinit, kritik letrar, i cili për gabime ideologjike dhe karakterin e tij të dobët qysh në vitin 1973 u hoq nga Ministria dhe Mantho Bala, e vendosi në Tiranë në shkollën e kulturës dhe e ka aktivizuar në zhurira deri në ekipe të Ministrisë për të kontrolluar. Këto janë gabime të rënda oportuniste, për të cilat mbaj edhe unë përgjegjësi që nuk kam ngulur këmbë që këta elementë të largoheshin fare nga Tirana.

Koncept tjetër liberal kam patur për kompetencat e zëvendësministrave, duke u dhënë më shumë iniciativë për t’i zgjidhur vetë problemet dhe duke mos i kontrolluar si duhet. Veçanërisht Hasan Dumën që merrej me kuadrin, i kisha lënë më shumë kompetenca. Ndaj kërkesave, ankesave e sinjalizimeve që kam pasur nuk jam treguar rigoroz t’i çoj deri në fund, i kam nënvleftësuar shpesh si gjëra të vogla dhe nuk i kam parë në këndin që dhe gjërat e vogla dalin të mëdha. Kështu edhe sinjalizimi që më ka dhënë Hasani për Manthon në kohën kur po kritikohej vetë, se kur ka qenë në Shkodër si sekretar partie ka qenë imoral dhe tani vazhdon përsëri, unë e quajta si shpifje hakmarrëse ndaj tij dhe e nënvleftësova.

E gjithë kjo situatë që u krijua në dikaster dalëngadalë, me të metat e predispozitat e mija liberale, mosthellimi sa duhet në mësimet e Partisë, sidomos në luftën kundër armiqve të brendshëm, mos vlerësimi sa duhet i presionit ideologjik imperialisto-revizionist, qenia e dy zëvendësministrave me të meta shumë të theksuara në karakter, kanë bërë që unë si drejtues të mos jem në krye të punëve dhe me qëndrimet oportuniste të humb dhe besimin e kolektivit. Veç kësaj, tek unë ka ndikuar paaftësia ime për të drejtuar këta sektor kaq delikat si dhe boshllëqet e përgatitjes ideologjike e profesionale.

Dobësitë e mia në punë e në drejtim, predispozitat e mia liberale, Hasani e Mantho i kanë ditur dhe i kanë shfrytëzuar për interesat e tyre dhe të prirur për karrierë e për pozita janë munduar sa njëri tjetri të përfitojnë nga këto e të livadhisin.

I jam shumë mirënjohës Partisë dhe shokut Enver për ndihmën dhe kujdesin që kanë treguar kurdoherë ndaj meje dhe më vjen shumë rëndë që ua shpërblej në këtë mënyrë. Unë s’kam justifikuar besimin e madh që më ka dhënë Partia dhe populli dhe gabimet e mia e kanë dëmtuar rëndë vijën e Partisë.

Unë premtoj se jam dhe do të jem besnik deri në fund të jetës time Partisë dhe shokut Enver, kam besim të madh te Partia dhe jam gati të pranoj edhe dënimin më të rëndë që do më jap ajo. Më vjen rëndë e turp që s’e ka kaluar akoma as një vit që shoku Enver më kritikoi rëndë dhe më paralajmëroi në plenumin e VII të KQ për mungesë vigjilence e mprehtësi politike si dhe për qëndrime liberale me njerëzit dhe tamam në këto gabime unë kam rënë përsëri.

Unë jam plotësisht dakord me propozimet e bëra në organizatën e Partisë, që unë të shkarkohem nga funksionet që mbaj dhe për gabimet dhe dëmin e madh që i kam sjellë Partisë të shkoj në skajin më të largët të vendit, ta filloj jetën nga e para, se kam nevojë të edukohem midis klasës punëtore dhe të kalitem në gjirin e saj. Këtë nuk e them për kapitullim apo për shmangie të përgjegjësisë, por për hir të punës së Partisë dhe për autoritet të Ministrisë.

I them Partisë dhe shokut Enver se dëshira ime e fundit është të mbyll sytë si ushtar i thjeshtë i saj.

Me respekt të thellë

Thoma Deliana

Tiranë, më 3 prill 1976

Enveri: Çojeni punëtor në një fshat malor

Kjo autokritikë është për t’u shfajësuar për fajet e tij të rënda dhe të dënueshme dhe t’ua hedhë të tjerëve që edhe ata i kanë po aq të rënda.

Duhet të marrim masa të rënda kundër tij pse ka vepruar kundër Partisë. Të pranohen të gjitha vendimet e organizatës bazë, të kthehen në kandidatë partie. Ministri të përjashtohet fare. Mos t’i jepet asnjë punë drejtuese dhe të vejë punëtor krahu ose mësues në ndonjë kooperativë malore. K

ështu mendoj unë dhe kjo që më shkruan më forcon më shumë bindjen se ky njeri nuk është i pastër.

Enver

12.4.1976

Masa e parë, me vendim qeverie të pezullohet sa të gjendet zëvendësuesi.

Enver

Deliana, ministri që përfundoi bari me lopë

Ndryshe nga ministrat e tjerë që regjimi komunist penalizoi në vitet ’70, Thoma Deliana pati fatin të mos kalojë para skuadrës së pushkatimit, si mjaft nga kolegët e tij.

I kryqëzuar në forumet e Partisë nga Enver Hoxha dhe të tijtë për frymë liberale dhe mungesë vigjilence, njeriu që drejtoi për 15 vite dikasterin e arsimit, përfundoi bari me lopë në një zonë të skajshme të rrethit të Tepelenës. Deliana vinte te kjo dramë pas një jete plotë tallaze dhe një karriere të suksesshme në strukturat drejtuese të Partisë e të shtetit komunist.

I lindur në vitin 1925, në lagjen “Kala” të Elbasanit dhe i arsimuar në “Normalen” e qytetit, ai u rreshtua në lëvizjen antifashiste në moshë fare të re. Për veprimtarinë e spikatur në betejat me pushtuesit në Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste, që u zhvillua në Helmës të Skraparit, u zgjodh anëtar i Këshillit Qendror të Rinisë Antifashiste Shqiptare dhe në shtator të vitit 1944 u zgjodh kryetar i Rinisë së qarkut të Elbasanit dhe anëtar të Kryesisë së Këshillit Antifashist të vendit.

Pas çlirimit, iu besuan detyra e përgjegjësi të rëndësishme, fillimisht në Komisionin e Planit të Shtetit, në aparatin e Komitetit Qendror dhe pas përfundimit të studimeve për filozofi në Moskë, u zgjodh sekretar i Parë i KP të rrethit të Elbasanit dhe anëtar i KQ të Partisë.

Në tetor të vitit 1961 u emërua zv.ministër i Arsimit dhe pak më vonë ministër i Arsimit dhe Kulturës, detyrë që e kreu me sukses deri në vitin 1975, kur u përjashtua nga Partia dhe u dënua për frymë antiparti dhe qëndrime oportuniste.

Në dënimin e Thoma Delianës u përfshi edhe çështja e ish-zv.ministrave Hasan Duma e Mantho Bala, të cilët u akuzuan për imoralitet, ndërkohë që ai i mbrojti, duke vlerësuar të pavërteta denoncimin e letrave anonime. Fillimisht, e dërguan si drejtor shkolle në Sinanaj, në Dhëmblan të Tepelenës.

Më pas e detyruan të bëhej blegtor, bari lopësh. Në 1987 u kthye në Elbasan, si pensionist.

Afrim Imaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura