Krishtlindjet, një histori e kultit të diellit parakristian. Tre magë panë dritën që iu ndriçoi rrugën…

Dec 24, 2019 | 12:12
SHPËRNDAJE

ferdinand-samarxhi

FERDINAND SAMARXHI, “MJESHTËR I MADH”

“Një mbret lindi atë ditë, një bebe porsi ti…” Këto janë vargjet e një kënge tradicionale të Krishtlindjeve, të titulluar “A baby just like you” (Një bebe porsi ti), të kompozuar nga Xhon D. Henri (1975). Kjo këngë shpreh besimin tradicional, sipas të cilit Krishtlindjet lidhen me ditën e lindjes së Jezu Krishtit, të adhuruar nga miliona të krishterë në mbarë botën dhe të nderuar e respektuar nga po aq myslimanë, të cilët, gjithashtu, mbështetur në shkrimet e tyre të shenjta, megjithëse nuk e besojnë si Zot, e vlerësojnë plot përkushtim të birin e virgjëreshës Mari, si një ndër profetët më të mëdhenj të historisë së marrëdhënies së njeriut me hyjninë. Tradita e krishterë e besimit të lindjes së Krishtit në këtë ditë ka ndikuar edhe në etimologjinë e fjalës shqipe “Krishtlindje”, të italishtes “Natale” apo spanjishtes “Navidad”, ndërsa anglishtja e sotme “Christmas” rrjedh nga anglishtja mesjetare “Christes Masse” (Mesha e Krishtit).

Mirëpo Krishtlindja, duke anashkaluar traditën sinkretiste të një festimi plot ngjyra e hare, siç pohon edhe Papa Gjon Pali II dhe siç mësohet nëpër fakultetet teologjike, ka një histori më të hershme se vetë Krishterimi, sot pakkush e di se pranimi i 25 dhjetorit si dita e lindjes së Krishtit është bërë nga kisha e hershme vetëm në mënyrë simbolike, për t’u dhënë mundësinë të krishterëve që të përqendrohen në rituale e vepra adhurimi, në kujtim të lindjes së figurës qendrore të besimit të krishterë, Jezusit nga Nazareti.

Në një numër të madh të kishave të shekujve të parë ishte zakon, në përgjithësi, të kremtuarit e vdekjes dhe jo të lindjes së personave të shquar, pasi Bibla (Mateu 14, 6-10) aludon për një lidhje të mundshme të festimit të Krishtlindjeve me traditat pagane. Edhe vetë Jezusi biblik, i cituar në letrën e parë drejtuar Korintasve (11, 24-26), duket se nxit ithtarët e tij që të përkujtojnë vdekjen dhe jo lindjen e tij. Studiuesit dhe teologët na bëjnë me dije se një pjesë e kishave të krishtera kremtonin ditëlindjen e Krishtit në maj, prill apo janar. Vetë teksti biblik duket se nuk mbështet lindjen e Jezu Krishtit në dhjetor. Bibla na thotë se në kohën e lindjes së Jezusit, barinjtë ishin ende fushave natën (Luka 2, 8-12) dhe kjo, duke njohur kushtet klimaterike të zonës gjeografike për të cilën bëhet fjalë, nuk mund të ndodhë në dimrin e ftohtë të dhjetorit.

PARAHISTORI KREMTIMI… 

Presidenti Meta uron Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, Shkëlqesinë e Tij, George Frendo
Presidenti Meta uron Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, Shkëlqesinë e Tij, George Frendo

Të gjithë popujt e botës, mesin e dimrit prej kohësh e festonin.

Kjo lidhej me gëzimin e tyre të zjarrtë për largimin e ditëve të egra, të acarta të dimrit dhe afrimin e ditëve me diell dhe dritë. Europianët, shumë kohë përpara Jezusit, festonin dritën dhe lindjen e diellit në ditët më të errëta dhe më të zymta të vitit. Njerëzit gëzonin gjatë solsticit dimëror, kur ditët e egra kishin përfunduar dhe gëzonin ditët me diell e me orë ta zgjatura të dritës. Në Skandinavi, norvegjezët festonin që nga 21 dhjetori Julin, solsticin dimëror deri në fund të janarit.

Duke e quajtur si gjë të shenjtë rikthimin e diellit, njerëzit sillnin në shtëpi trungje të mëdha, të cilat më pas u vinin flakën. Njerëzit festonin kur trungu digjej plotësisht, gjë që mund të kërkonte deri në 12 ditë. Norvegjezët besonin se çdo shkëndijë prej zjarri që shpërthente tej vatrës ishte mbarësi, që përfaqësonte një gic apo viç që do të lindte vitin e ardhëm. Fundi i dhjetorit ishte koha e përsosur për festime në shumë vende të Europës. Në Gjermani, njerëzit nderonin perëndinë pagane Oden, gjatë pushimeve të mesit të dimrit. Gjermanët ishin të tmerruar prej Odenit, teksa besonin se kjo perëndi fluturonte natën nëpër qiell për të vëzhguar njerëzit.

Perëndia vendoste se kush do të kishte mirësi e begati dhe kush do të zhdukej. Për shkak të frikës së kësaj perëndie, shumë njerëz preferonin të qëndronin brenda në shtëpi pa dalë, që të mos pësonin fatin e zhdukjes nga kjo perëndi. Në Romë, aty ku dimri nuk ishte aq i egër dhe i acartë, festohej Saturnalja, një ditë pushimi në nderim të Saturnit, perëndisë së bujqësisë, duke filluar nga solstici dimëror e vazhduar për një muaj, Saturnalja kremtohej për ta si një kohë hedoniste, kur kishte bollëk dhe rendi shoqëror romak shprehte demokraci. Për një muaj, skllevërit bëheshin zotër. Fshatarët merrnin komandën e qytetit, tregu mbyllej, qyteti kthehej në festë.

Të gjithë argëtoheshin. Romakët besonin në këto ditë të solsticit dimëror Juvenalian, kremtim ku nderoheshin fëmijët e Romës. Pjesëtarët e klasave të larta festonin ditëlindjen e Mithrës, perëndisë së diellit të papushtueshëm, më 25 dhjetor. Besohej se Mithra, një perëndi fëmijë, kishte lindur nga një shkëmb. Për disa romakë, ditëlindja e Mithrës ishte më e shenjta ditë e vitit. E quajtur fillimisht Festa e Lindjes, kjo traditë u përhap në Egjipt në 432 dhe në Angli në fundin e shekullit VI. Deri në fundin e shekullit VIII, festimi i Krishtlindjeve ishte përhapur deri në Skandinavi. Në Indi, 25 dhjetori kremtohej me forma dhe adhurime nga më të ndryshmet. Shtëpitë zbukuroheshin me kurora lulesh, gjethesh. Njerëzit ndanin urime, dhurata të shumta me njëri-tjetrin.

december-shopping-visit-tirana

Buda (Buddha) në Kinën e lashtë besohej të kishte lindur më 25 dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja. Më 25 dhjetor, egjiptianët e lashtë festonin lindjen e shpëtimtarit të tyre të madh, Horusit, zoti i dritës dhe biri i nënës virgjëreshë Isis, mbretëreshë e qiejve. Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe i botës së nëndheshme në Egjiptin e lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 dhjetor. Shumë kohë përpara konvertimit në krishterimin ortodoks, grekët festonin 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i zotit suprem të grekëve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme Alcmena.

Bakusi romak, i njohur nga grekët me emrin Dionis, perëndi i verës dhe muzikës, besohej të kishte lindur gjithashtu më 25 dhjetor. Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekët e lashtë, kishte lindur mrekullisht më 25 dhjetor. Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit, sipas të dhënave historike dhe arkeologjike, janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën shpellë, ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik. Edhe skandinavët parakristianë festonin Krishtlindjen e tyre më 25 dhjetor. Për ta, kjo ditë shënonte ditën e lindjes së Zotit të tyre, të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i perëndisë së lartë të qiejve, Odinit.

KRISHTERIMI, BORXHLI DHE PASUES I TRASHËGIMISË SË KULTIT TË DIELLIT TË PAMPOSHTUR 

Perandori Aurel, me origjinë ilire, kohë më parë kishte themeluar një tempull të madh të diellit të pamposhtur, si një pikë qendrore e gjithë sistemit fetar të një shteti (274). Ditëlindja e Zotit qe menduar të jetë më 25 dhjetor dhe kjo, e transformuar në Krishtlindje, është një ndër trashëgimitë që krishterimi ia ka borxh këtij kulti (391-392). Por adhurimi i Zotit diell vazhdoi gjerësisht kudo në perandori dhe nën perandorin Aurel (me origjinë ilire) (270-275 p.e.s). Kulti u rivendos në pozitën e lartë të mëparshme. Në vitin 274, Aureli e shpalli Zotin, tash të quajtur Deus Sol Invictus, perëndinë zyrtare të Perandorisë Romake. Ai ndërtoi një tempull të shkëlqyer të diellit në Romë dhe vendosi festimin e lindjes së diellit (naturalis solis invicti) më 25 dhjetor, ditë e cila atëherë u pranua për solsticin dimëror. Në kohën e Kostandinit (me origjinë ilire), kulti i Deus Sol Invictus kishte ende një pozitë të lartë dhe portreti i Zotit diell gjendej në monedhën e Kostandinit. Kështu duhet të ketë qenë në këtë kohë dhe me qëllimin e transformimit të rëndësisë së një date të shenjtë ekzistuese që datëlindja e Jezusit, e cila festohej në Lindje më 6 janar, u vendos në Romë më 25 dhjetor, ditën e festimit të ditëlindjes së Sol Invictus. Kjo ka ndodhur në shekullin e katërt pas Jezusit.

KONVERTIMI I DITËLINDJES SË ZOTIT DIELL – DITËLINDJE E JEZUSIT

Presidenti Meta uron Kryepeshkopin Anastas për Krishtlindje
Presidenti Meta uron Kryepeshkopin Anastas për Krishtlindje

Asokohe, kisha inkorporoi ditëlindjen e Zotit diell në kalendarin e ashtuquajtur të krishterë dhe konvertoi “ditëlindjen” e tij në ditëlindjen e vetë Jezusit. Ajo, që përfundimisht dhe pa dyshim kishte qenë pagane, tash u “pagëzua” dhe me anë të një akti magjik, u transformua në diçka të krishterë. Së paku, për historianët kjo nuk dukej të ishte e krishterë. Tash quhej e krishterë. Por në fakt, ende kishte një zemër dhe bërthamë pagane. Në librin e Enciklopedisë Botërore shkruhet: “Data e saktë e lindjes së Krishtit është e panjohur”. Të krishterët e hershëm nuk e kanë festuar lindjen e tij, sepse e konsideronin pagane festimin e ditëlindjes së kujtdo. Përmendja e parë e nderimit të ditëlindjes së Krishtit u shfaq diku rreth vitit 200 p.e.s. Për shumë vite u përdorën disa data. Për herë të parë, 25 dhjetori qe përmendur në vitin 336.

KOSTANDINI, “INKARNIMI” I DIELLIT

25 dhjetori i festimit të Krishtlindjeve lidhet me veprimtarinë e perandorit romak me origjinë ilire, Kostandinit, i cili gjatë qenies së tij si perandor njihej si “inkarnimi” apo “trupëzimi” i diellit, që në atë kohë adhurohej nga romakët si perëndi. Pas konvertimit në krishterim, ky perandor me gjak të gjenezës sonë ilire udhëhoqi Koncilin e Niçeas (viti 325 pas Kr.), në të cilin krishterimi njohu për herë të parë në mënyrë zyrtare doktrinën e “trinisë së shenjtë”. Kostandini e orientoi besimin e krishterë jo drejt një ndarjeje të ashpër me paganizmin, por e pasuroi besimin e ri me shumë elemente ekzistuese në besimet e mëparshme romake. Në këtë kuadër, historiani Eduard Gibon sqaron se “të krishterët romakë, të cilët nuk e dinin datën e lindjes së tij (Krishtit), përcaktuan si festë solemne 25 dhjetorin, Brumalinë, apo solsticin e dimrit, të cilin paganët e festonin çdo vit në përkujtim të lindjes së diellit”. Në librin “Historia e Romës” nga Michael Grant lexojmë siç vijon: “Ka pasur po ashtu një tjetër besim pagan gjatë kësaj epoke, që garonte me Krishtin për kontrollin e botës perëndimore. Ky ishte kulti i diellit (kulti i ilirëve parahistorikë, i cili respektohej nga miliona banorë të Perandorisë Romake, madje ky besim njëherë e në një kohë qe bërë fe zyrtare)”.

SANTA KLAUSI- BABAGJYSHI I KRISHTLINDJEVE DHE I VITIT TË RI 

352-0-d8df56113a97733b365f7968372cd2eb

Në histori ekziston realisht një personazh i quajtur Shën Nikolla, që sot njihet me emrin Santa Klaus. Shën Nikolla (greq. “Agios Nikolas” ose “fitorja e popullit”). Në Shqipëri, Shën Kolli njihet me emrin Shën Nikolla i Mirës në kishën katolike, edhe Shën Nikolli i Barit. Në atë ortodokse, Nikolla Mrekullibërësi, që jetoi në shekullin IV në Lician Bizantine (sot me emrin Demre, Antalia, Turqi). Në botë njihet më tepër si Santa Claus ose Santa Klaus, ndërsa në Shqipëri njihet edhe si Plaku i Vitit të Ri apo Baba Dimri. Lindi në Patara, në Turqi, nga një familje e pasur, ne shekullin IV u bë peshkop i Myra-s dhe mori pjesë në Koncilion e Nicea-s në vitin 325. Kur vdiq, eshtrat e tij u vendosën në Myra, deri në 1087, kur u morën nga një grup kavalierësh italianë, të hequr si tregtarë dhe u dërguan në Bari, ku ruhen deri në ditët e sotme. Një nga legjendat më të famshme, e konfirmuar nga Dante në Purgatorin (XX, 31-33) tregon që Shën Nikolla, i prekur nga lutjet e një njeriu të mirë, që s’kishte mundësi të martonte tri vajzat e tij, sepse kishte rënë në mjerim, vendosi t’i hidhte për tri net me radhë nga një dritare gjithnjë e hapur e kështjellës, tri thasët me monedha, që do të bënin pajën e vajzave. Natën e parë dhe të dytë gjërat ndodhën sipas planit dhe natën e tretë Shën Nikolla gjeti dritaren mbyllur. I vendosur për të mbajtur fjalën, plaku me mjekër të bardhë, u kacavor mbi çatitë dhe hodhi thesin me monedha nëpërmjet oxhakut, ku ishin varur rrobat për t’u tharë, duke bërë të lumtur njeriun e mirë dhe tri vajzat e tij. Shën Nikolla i ndante dhurata më të varfërve, në të gjithë botën, duke shëtitur me karrocën, slitën e tij, duke udhëtuar dhe nëpër dëborë, duke ua hedhur anonimisht nëpërmjet oxhaqeve ose dritareve të tyre. Sipas legjendave të tjera, këtij shenjtori i kishte rënë në dorë një objekt mitik, “Sacro Graal”, që, veç te qenurit përgjegjës për aftësitë e tij për të dhuruar me bollëk, që edhe shkaku i hapjes së varrit të tij (nga kavalierët italianë) me urdhër të Papa Gregorit VII. Në çdo rast, Shën Nikolla u bë në fantazinë popullore “sjellës dhuratash”, detyrë e kryer falë një slite me drerë në natën e 6 dhjetorit (Shën Nikolla, pikërisht) ose deri edhe në natën e Krishtlindjeve.

PEMA E KRISHTLINDJEVE, ORIGJINA DHE HISTORIA E SAJ 

Pema e Krishtlindjeve është një pemë halore me gjelbërim të përhershëm, që lidhet me traditën e festimit të Krishtlindjeve. Sipas Biblës, pema e ka zanafillën e saj nga Kopshti i Edenit, që mbolli Perëndia. Në mes të kopshtit mbolli dhe dy pemë të tjera të veçanta, njëra pemë e jetës, që me frutin e saj dhuronte pavdekësinë dhe tjetra vdekjen. Dihet që njeriu, i nxitur nga djalli dhe nga epshi, hëngri frutat prej pemës së keqe. Por, Perëndia, në planin e saj për shpëtimin e njeriut, që aq shumë e deshi botën, sa dha dhe birin e Tij të vetëm lindur, që kushdo që të besojë tek Ai, të mos humbasë, por të ketë një jetë të përtejme (Jn: 3:16). Kryqi tashmë është “Pema e Jetës”, e cila gjendet në Parajsë. Druri i Kryqit u bë bekim për gjithë natyrën e pemëve. Në një tjetër himn thuhet “u gëzofshin të gjithë drunjtë e pyllit, sot u shenjtërua natyra e tyre, nga druri zotëror, që u mboll në fillim…”. Sipas historisë, pema është e lidhur dhe me Shën Bonifacin dhe qytetin gjerman, Geismar. Një herë, gjatë jetës së tij (672-754), preu pemën e Thorit (perëndi pagane), në mënyrë që të hidhte poshtë hyjnizimin e perëndive skandinave mbi fiset polake-gjermane. Shën Bonifaci pa një pemë bredhi të mbinte në rrënjët e një lisi të vjetër. Duke marrë këtë si një shenjë të besimit të Krishterë, ai tha: “Le të jetë Krishti në qendër të familjeve tuaja”. Duke përdorur drurin e bredhit si simbol të krishterimit. Historia e simbolit të vendosjes së pemës fillon me Martin Luterin (1483-1546), i cili vendosi për herë të parë pemën si simbol, ashtu siç dhe Shën Françesku i Asizit (1181-1226), që vendosi si simbol Grazhdin e lindjes së Krishtit, ku në gjithë botën sot skenografia e lindjes së Krishtit parafytyrohet në një grazhd. Tradita e simbolit të vendosjes së pemës së Krishtlindjes gjurmohet edhe në Estoni e Letoni. Në vitin 1871, në Kanada. Në vitin 1816 u prezantua në Vjen dhe prej andej u përhap në gjithë Austrinë. Në vitin 1841, në Britani. Në vitin 1850, Amerika njohu traditën e Pemës së Krishtlindjeve. Për herë ta parë, pema është vendosur në sheshin “Shën Pjetër” të Vatikanit, në vitin 1982.

EDHE PEMA, ZBUKURIMI PAGAN MË PARË SE KRISHTERIMI 

Pema, që në kohët e hershme, para se Krishtlindjet të datonin dhe të kthehej në simbolikë, Festa e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor, zbukurohej sipas vendeve dhe popujve në mënyrat e tyre tradicionale, ku mbizotëronin kambanat, zilkat, dritat, yjet, qirinjtë, mollët, frutat e tjera si shenjë e begatisë, por mbi gjithçka dominon kryqi si simbol i Krishtit dhe i pemës së jetës, si dhe ylli si simbol i diellit, simbol i njeriut si perëndi në universin e mëshiruar. Kisha e krishterë i mori traditat dhe elementët nga festat pagane, siç ishte dita e 25 dhjetorit, që ka lidhje me Solsticin dimëror, me festën e Kultit të Diellit të Pamposhtur. Kisha, me inkuperimin që bëri edhe këtë simbol të pemës, e pagëzoi si pemë të Festës së Krishtlindjes me një akt urtësie dhe magjie. Pagëzoi edhe ketë pemë si të Festës së Krishtlindjeve, që kudo tashmë në qendër të udhëheqjes të ishte vetë Krishti, mesazhi i udhës së Tij dhe i festës së Krishtlindjeve me pemën simbol të saj.

LINDJA E KRISHTIT- KREMTIM KRISHTLINDJEJE 

Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, lindja e të cilit ishte e parathënë nga profeci të ndryshme. Mesia do të lindte nga shtëpia e Davidit për të shpëtuar botën nga mëkati. Besohet se Krishti ka lindur në 24-25 dhjetor, por data e saktë e lindjes së tij nuk përmendet në Dhiatën e Re. Pavarësisht se kjo datë edhe në vetë tekstin biblik duket se nuk mbështet lindjen e Jezusit në dhjetor. Bibla na thotë se në kohën e lindjes së Jezusit, barinjtë ishin ende fushave, natën (Luka 2, 8-12), gjë që për kushtet klimatike dhe njohjen e zonës gjeografike nuk mund të ketë ndodhur. Krishtlindja është festa e lindjes së Krishtit, se Zoti u bë njeri në Krishtin, që njeriu në bashkim me Krishtin, të bëhet sipas hirit Perëndi, që besohet nga miliona e miliona njerëz dhe respektuar po nga aq myslimanë, të cilët, gjithashtu, mbështetur në shkrimet e tyre të shenjta, megjithëse nuk e besojnë si Zot, e vlerësojnë plot përkushtim të birin e Virgjëreshës Mari, si një ndër profetët më të mëdhenj të marrëdhënies së profetëve me hyjnitë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura