Humbja e pasaportave, Rama mbledhje në Ministrinë e Jashtme

Feb 25, 2019 | 9:03
SHPËRNDAJE

Ministria e Punëve të Jashtme po zhvillon një mbledhje pas humbjes së pasaportave drejt Greqisë.

ministria-e-jashtme

Burime për “News 24” bëjnë me dije se mbledhja po zhvillohet në prani të kryeministrit Edi Rama.

Kujtojme se “Panorama” publikoi skandalin per humbjen e pasaportave shqiptare që transportoheshin në Greqi. 

Pasaportat e reja të përgatitura nga kompania koncesionare Aleat, ishin futur në çanta, me të cilat zakonisht transportojmë rroba dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë.

Por gjatë kontrollit të Policisë greke në Pikën Kufitare të Kakavijës, kjo dërgesë ka krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar.

Burime nga agjencia e transportit të udhëtarëve thanë për gazetën “Panorama” se Policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar në një trafik me pasaporta shqiptare ndërkombëtare.

pasaporte

Kjo situatë ka krijuar shqetësime dhe për udhëtarët e autobusit, të cilëve po u bëhej e pamundur lëvizja drejt Greqisë. Shoferi ka sqaruar autoritetet greke se ishte një dërgesë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë me pasaportat e reja të bashkëkombësve tanë.

Të çuditur për këtë lloj ngarkese dhe nën dyshime të forta ndaj shoferit, Policia greke ka hyrë në kontakte me Ministrinë e Jashtme të Greqisë, nga e cila kërkoi që të kontaktonte homologen e saj në Tiranë. Pas disa orësh, situata është sqaruar, shoferi është lënë i lirë të vazhdojë rrugën me autobusin e tij, por çantat me pasaporta janë bllokuar në Kakavijë deri në mbërritjen e punonjësve diplomatikë të autorizuar për tërheqjen e tyre.

Sipas Konventës së Vjenës, e cila përcakton qartë se si bëhet transportimi i materialeve diplomatike, dy janë rrugët e transportit të tyre: përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik.

Gjithmonë pakoja diplomatike ka firmën e një kutie të stampuar, me elementë sigurie dhe tregues dhe duhet të ketë letër shoqëruese. Në asnjë pikë të nenit 27 të Konventës së Vjenës nuk thuhet që pakot diplomatike mund të dërgohen me autobusë të udhëtarëve dhe të pashoqëruar nga korrierë diplomatikë. Gazeta “Panorama” kontaktoi konsullin tonë në Janinë, Pervin Gjikuria, i cili nuk e mohoi bllokimin e pasaportave nga Policia greke, por e cilësoi si një procedurë në vijim që po ndiqet.

“Është vetëm një proces, i cili është në vijim dhe që do të zgjidhet për shumë pak kohë. Nuk kemi të bëjmë me sekuestrim, por vetëm me verifikim. Sepse ka një procedurë të caktuar se si kalojnë dokumentet e kësaj natyre nga një shtet në një tjetër. Nuk ishte postë diplomatike. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, u shpreh konsulli Gjikuria. Por peripecia me pasaportat nuk ka mbaruar në Kakavijë. Një pjesë e tyre janë vjedhur në Athinë. Pasi një punonjës i ambasadës sonë në Athinë e tërhoqi nga Kakavija këtë dërgesë me pasaporta të Ministrisë së Jashtme, makina ku ndodheshin pasaportat është vjedhur në një parkim në Athinë.

Si pasojë, janë vjedhur dhjetëra pasaporta të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Përtej skandalit për sigurinë e dërgesës diplomatike që është bërë jashtë çdo standardi ndërkombëtar, vjedhja e pasaportave ka dhe një kosto shumë të lartë, pasi shqiptarët që kanë aplikuar për to kanë paguar nga 150 euro dhe është e paqartë se kush do të paguajë riprodhimin e pasaportave të reja, pa marrë parasysh këtu dhe vajtjen e tyre përsëri për të aplikuar pranë shërbimeve tona konsullore në Greqi, në Athinë, Selanik dhe Janinë.

Reagimi i Ministrise 

Në një komunikatë për mediat, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpjeguar të gjithë itinerarin e transportit të pasaportave, ndërkohë që theksuar se pako e pasaportave u vodhën nga makina e konsullit.

“Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua. Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre:

  1.    Kqyrja e ambientit dhe makinës;
  2.    Marrja e shenjave të gishtërinjve;
  3.    Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, z. Pervin Gjikuria në ambientet e policisë”, thekson Ministria e Jashtme, e cila siguron se pasaportat u nxorrën jasht funksioni dhe janë marrë masa për të siguruar transportin e tyre.

Reagimi Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e bllokimit të pasaportave shqiptare në Kakavijë dhe humbjen e 100 prej këtyre pasaportave në Greqi:

Në datë 13 shkurt, pasaportat e prodhuara nga kompania ALEAT po transportoheshin drejt Greqisë të ambalazhuara jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike.

Nisur nga ky fakt autoritetet doganore greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kryen verifikimin e rastit dhe bllokuan pakon me të cilën transportoheshin pasaportat.

Pako me pasaportat shqiptare, u zhbllokua pas verifikimit të tyre dhe takimit të përfaqësuesve të Konsullatës së Përgjithshme të RSH-së në Janinë me autoritetet doganore greke. Theksojmë se ngarkesa ka qenë e shoqëruar me një dokumentacion autorizues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me anë të të cilit autorizohej një punonjëse e Kompanisë “Top Lines” të dorëzonte aplikimet dhe të tërhiqte pasaportat dhe kartat ID pranë Kompanisë ALEAT, për llogari të Ambasadës sonë në Athinë.

Dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët kanë proceduar me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë​ në Athinë.

Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua.

Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre:

  1.    Kqyrja e ambientit dhe makinës;
  2.    Marrja e shenjave të gishtërinjve;
  3.    Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, z. Pervin Gjikuria në ambientet e policisë.

Menjëherë, si në rastin e ngjarjes së parë, në kufi, dhe në rastin e ngjarjes së dytë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u angazhua për të marrë masa të menjëhershme parandaluese për evitimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur menjëherë të gjitha procedurat hetimore dhe administrative për të ndëshkuar në mënyrë rigoroze, sipas shkallës së shkeljes, përgjegjësit për këto praktika që shkojnë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi.

Ministria e Brendshme në bashkëpunim me kompaninë ALEAT, kanë marrë masat për nxjerrjen jashtë përdorimi  dhe shpalljen e pavlefshme të këtyre pasaportave, si dhe angazhimin për të përshpejtuar procedurat e riprodhimit dhe zëvendësimin e tyre.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka udhëzuar të gjitha instancat e nevojshme që qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja të bëhet me urgjencë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura