Gjykata mbylli çështjen e falsifikimit të formularëve të lobimit për PD, Balla paralajmëron prokurorë e gjyqtarë: Nuk keni kaluar vetingun, kush mendon se dosja u mbyll …

Jan 13, 2020 | 17:41
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas mbylljes së çështjes nga Gjykata e Tiranës për akuzën e falsifikimit të formularëve.

balla2-e1578916424888

Teksa ka paralajmëruar prokurorin dhe gjyqtarin se nuk kanë kaluar procesin e vetingun, Balla thekson se kush mendon se dosja u mbyll kaq lehtë gabohet.

Balla bën me dije se kjo çështje do të adresohet tek Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që të hetojnë, sipas tij, gabimet procedurale me dashje.

Reagimi i plotë:

Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.

Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfar të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.

Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura