Zyrtarët shëndetësorë thonë se Izraeli goditi një klinikë në Gazë, ushtria e mohon: Nuk kemi kryer asnjë sulm në zonë

Nov 3, 2024 | 16:32
SHPËRNDAJE

Zyrtarët palestinezë të Shëndetësisë njoftuan se një sulm izraelit me dron në një klinikë në Gazën veriore, ku fëmijët po vaksinoheshin për poliomielitin, plagosi gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë. Ushtria izraelite mohoi përgjegjësinë për sulmin.

gaza

Ndërkohë autoritetet libaneze thanë se po hetonin nëse Izraeli ishte përfshirë në një operacion për kapjen e një kapiteni libanez, i cili sipas një videoje nga kamerat e sigurisë merret nga një grup ushtarësh pranë qytetit verior Batroun.

Zyrtarët palestinezë të Shëndetësisë thonë se një sulm izraelit me dron në një klinikë në Gazën veriore, ku fëmijët po vaksinoheshin për poliomielitin, plagosi gjashtë persona.

Forcat izraelite vazhdimisht kanë kryer operacione në spitalet në Gazë që nga fillimi luftës, duke thënë se grupi militant Hamas i përdor ato si baza ushtarake.

Dr. Munir al-Boursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga Hamasi, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se një dron goditi klinikën “Sheikh Radwan” në qytetin e Gazës vetëm pak minuta pasi një delegacion i Kombeve të Bashkuara u largua nga objekti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia e OKB-së për fëmijë, e njohur si UNICEF, të cilat së bashku po kryejnë fushatën e vaksinimit ndaj poliomielitit, shprehën shqetësimin për sulmin e raportuar.

Por Nënkoloneli izraelit Nadav Shoshani hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se “ushtria izraelite nuk ka kryer asnjë sulm në atë zonë në kohën kur pretendohet”.

Të shtunën në Gazë nisi një fushatë për të vaksinuar fëmijet me dozën e dytë të vaksinës së poliomielitit, ndërsa rasti i parë në gati 25 vjet u raportua në këtë territor. Lufta e Izraelit në Gazë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 43 mijë palestinezë që nga 7 tetori i vitit 2023, kur si pasojë e një sulmi terrorist nga militantët e Hamasit u vranë 1200 persona në Izrael dhe u morën peng rreth 250 të tjerë.

Ndërkohë forcat izraelite kapën një drejtues të lartë të Hezbollahut në veri të Libanit, tha një zyrtar ushtarak izraelit, ndërsa konflikti midis grupit militant të mbështetur nga Irani dhe Izraelit duket se nuk do të ketë ndalim.

Autoritetet libaneze thanë se po hetonin nëse Izraeli qëndronte pas kapjes së një kapiteni libanez, i cili sipas një videoje nga kamerat e sigurisë merret nga një grup ushtarësh pranë qytetit verior Batroun.

Operacioni shënon herën e parë që Izraeli njofton se trupat e tij janë futur thellë në Libanin verior për të kapur një operativ të lartë të Hezbollahut, që nga përshkallëzimi i konfliktit midis dy palëve në fund të shtatorit.

Hezbollahu filloi të sulmonte me raketa dhe dronë nga Libani drejt Izraelit në solidaritet me luftën në Gazë, që nisi menjëherë pas sulmit të grupit militant të Hamasit më 7 tetor 2023 mbi Izraelin, që shkaktoi dhe luftën.

Që nga shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, më shumë se 2800 persona janë vrarë dhe mbi 13 mijë të tjerë janë plagosur në Liban, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë libaneze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura