Zyrtarët: Bombardimet e NATO-s vranë 18 civilë

Jun 7, 2012 | 15:27

Tensionet mes qeverisë afgane dhe Perëndimit janë rritur pas vrasjes së 18 civilëve nga një avion bombardues i NATO-s gjatë së mërkurës. Lajmi u konfirmua nga zyrtarët dhe banorët afganë. Rreth 20 civilë të tjerë u vranë kur një çift vetëvrasësish–bombë shpërthyen veten para portës së një baze të NATO-s në Kandahar. Në një tjetër ngjarje, dy ushtarë të NATO-s kanë humbur jetën pasi u rrëzuan bashkë me helikopterin e tyre, ndërsa po inspektonin në lindje të Afganistanit. Sipas NATO-s, shkaku i aksidentit duhet të hetohet, por guvernatori i provincës juglindore Ghazni, Musa Akbarzada, tha se helikopterin e kishin qëlluar talebanët. Edhe rebelët e pranuan këtë përgjegjësi. Dhuna është rritur gjatë javëve të fundit në Afganistan, një periudhë kur forcat ndërkombëtare po përgatiten t’i kalojnë përgjegjësitë e sigurisë qeverisë në vend. Talebanët po sulmojnë ndërtesa qeveritare dhe po ashtu edhe bazat e trupave ndërkombëtare, të cilat kanë atje rreth 130.000 ushtarë, të cilët do të largohen të gjithë deri në fund të vitit 2014. Sa për ngjarjen e fundit të së mërkurës, Tahir Khan Sabri, guvernatori i provincës Logar, në jug të Kabulit, tha se 18 fshatarët e vrarë nga bombardimi i NATO-s ishin të gjithë civilë dhe pjesa më madhe e tyre ishin gra dhe fëmijë që po mblidheshin për një dasmë. Ai shtoi se Presidenti Hamid Karzai ka urdhëruar nisjen e një hetimi për ngjarjen. Trupat e NATO-s po e shqyrtojnë me shumë seriozitet çështjen e civilëve të vrarë në përpjekjet e tyre për të kapur një figurë të rëndësishme të talebanëve. Por zyrtarët lokalë të zemëruar thonë se nuk kishte asnjë taleban në dy shtëpitë e bombarduara nga NATO. Sipas “Reuters”, pamjet e siguruara nga një fotograf lokal tregojnë trupa fëmijësh që besohet se janë vrarë nga bombardimi i NATO-s.

© Panorama.al

Te lidhura