Zyrtare, Nevil Dede, trajneri i ri i Laçit

Jun 29, 2011 | 11:48

Ish-kapiteni legjendar i Tiranës dhe më pas ish-trajneri i 24 herë kampionëve të Shqipërisë, Nevil Dede, është zyrtarisht trajneri i ri i Laçit. Zërat e ditëve të fundit botuar nga “Panorama Sport”, që Nevil Dede ishte kandidati kryesor për të zënë vendin e durrsakut Stavri Nica, janë konfirmuar nga vetë presidenti laçian, Pashk Laska. Pasditen e djeshme trajneri i Tiranas dhe presidenti laçian kanë pasur një takim të fundit midis tyre që ka vendosur përfundimisht se kush do të jetë tekniku i ri në Laç, pas largimit pas dy vitesh në krye të ekipit të Stavri Nicës. “Në të vërtetë, largimi i trajnerit Nica befasoi disi, pasi e kishim menduar të përfunduar konfirmimin e tij, por gjithsesi ai bëri zgjidhjen e cila u respektua nga i gjithë stafi teknik. Menjëherë ne filluam lëvizjet për të plotësuar boshllëkun e lënë nga ish-trajneri Nica dhe zgjidhja më e mirë ishte Nevil Dede. Mendoj që Dede ishte zgjidhja e duhur, pasi vetë eksperienca e tij e madhe në kampionatin tonë, si dhe provat e dhëna tek ekipet si Skënderbeu dhe Tirana për mua janë shumë të mira”, u shpreh presidenti bardhezi.

© Panorama.al

Te lidhura