Procesi i bllokuar te Sportet. Të hënën, emrat që garojnë për dekanë
Zyrtarizohen kandidaturat për rektorët e rinj në universitetet e Tiranës. Dje, në orën 16:00, është mbyllur procesi i regjistrimit në komisionet qendrore të zgjedhjeve, siç e parashikon rregullorja. Nga sa na konfirmuan krerët e këtyre komisioneve, në Universitetin e Tiranës do të garojnë Dhori Kule dhe Mimoza Hafizi. Në Universitetin Politeknik, rektori aktual, Jorgaq Kaçani, është i vetmi kandidat. Edhe në Universitetin Bujqësor, Fatos Harizaj, i cili mban postin e kreut të Universitetit, konkurron sërish. Një kandidaturë të vetme ka edhe Universiteti i Arteve. Rektori Petrit Malaj ka regjistruar zyrtarisht emrin për të rifituar të njëjtin post. Në Universitetin e Sporteve, pas konflikteve të krijuara mes rektorit aktual Vesel Rizvanolli dhe Senatit Akademik, procesi i zgjedhjeve është bllokuar me urdhër të ministrit të Arsimit. Çështja ka shkuar në gjykatë dhe pritet vendimi i saj për padinë që rektori Risvanolli ka ngritur me pretendimin se i është mohuar e drejta për t’u zgjedhur. “Nuk mundet askush të mohojë të drejtën për t’u zgjedhur në një shtet demokratik. Universiteti i Sporteve është i përjashtuar nga zgjedhjet e 20 shkurtit. Ato do të zhvillohen në një fazë të dytë, pasi gjykata të marrë vendimin”, tha dje për gazetën rektori Vesel Rizvanolli. Ditën e diel është afati i fundit i regjistrimit pranë komisioneve zgjedhore në fakultete i pedagogëve që garojnë për dekanë dhe shefa departamentesh. Të hënën pritet të afishohen listat zyrtare. Kutive të votimit u drejtohen këtë vit stafi akademik me kohë të plotë, stafi joakademik dhe studentët. Vota këtyre të fundit ka peshë në masën 20%, sipas formulës që përcakton ligji për shpalljen e fituesve. Në masën 75% vlerësohet vota e personelit akademik të institucionit, ndërsa stafi joakademik ka peshë në masën 5%. Pedagogët e jashtëm, të cilët janë të punësuar part-time, nuk do të kenë mundësi të votojnë. Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoritetit drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati që është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%.
Kandidatët
Universitetit i Tiranës
Dhori Kule
Mimoza HafiziUniversiteti Politeknik
Jorgaq KaccaniUniversiteti Bujqësor
Fatos HarizajUniversiteti i Arteve
Petrit Malaj
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











